Mungesa e polifonisë
Nëse e thjeshtëzojmë rastin në raport me politikën shqiptare në Maqedoni, do të shohim se asaj i mungon respekti për vetveten. Politikanët shqiptarë më shumë tensionohen kur ua kritikon “padronin” se sa kur i kritikon ata, edhe kur “padroni” i sheh rrezik permanent… Kjo gjendje nuk i siguron të ardhme të ndritur as atij që hiqet si padron
Bota disa herë u mbështoll nga retë e absurdit të luftërave, teksa shekulli që lamë pas, pa ekzagjerim, është shekulli i krimeve më të mëdha të species njerëzore. Çarje e tmerrshme erdhi edhe si pasojë e stigmatizimit të “tjetrit”, prandaj mendimtarët kësaj logjike ia kundërvunë kryefjalën: “tjetri jam unë” ose “tjetri është pasqyra ku shohim vetveten”. Kjo sepse ai që e mundon “tjetrin”, tërthorazi e mundon vetveten. Të qenit padron kundrejt robit, do të thotë të jesh rob i frikës së hakmarrjes së tij. Robi dhe padroni gjithmonë janë në varshmëri të njëri – tjetrit. Respektimi i “tjetrit” është betejë fitimtare kundër ksenofobisë; është triumf i lirisë dhe i kohës së paqes, si kohë e mendimit. Theksimi i kësaj kryefjale është shprehje humanizmi. Pranimi i “tjetrit” është shmangie nga konflikti, por jo edhe shmangie nga qasja me të kundërtën. Pranimi i “tjetrit” është bazamenti i politikës moderne. Pranimi i “tjetrit” është identiteti i botës së lirë. Mospranimi apo pranimi i mangët i “tjetrit” shpie, sikurse thotë Çarl Tejlori, “te mbyllja e njeriut brenda botës së rreme dhe brenda një forme të reduktuar ekzistenciale”. Kjo mbyllje brenda kësaj bote të gënjeshtërt pati kosto të shtrenjtë për popujt që e projektuan veten si superior kundrejt popujve të tjerë, që e dëshmon leksioni i historisë. Grekëve iu deshën shekujt për ta larë ndërgjegjen që ua rëndonte Troja e zhbërë nga mënia e Akil këmbëshpejtit dhe Odhise mendarit e dinakut. Gjermanëve iu deshën dekada për t’u çliruar nga erinitë e ndërgjegjes.
Tendenca e mohimit dhe izolimit, tenton që ta fashit te “tjetri” ndjenjën e vetërespektit. Kur “tjetri” humb ndjenjën e vetërespektit, atëherë krijon identitet destruktiv dhe e pranon rolin e robit. Ai nuk është ashtu siç duhet të jetë apo siç dëshiron të jetë, por sikurse e duan kolonizuesit. Franc Fanon në librin “Njollat e tokës” thotë se “arma kryesore e kolonialistëve ishte që tek të kolonizuarit të impononte bindjen se ishin të kolonizuar”. Të kolonizuarit, për të fituar lirinë, duhet me patjetër të çlirohen nga kjo ndjenjë. Ata duhet që të kthejnë vetërespektin dhe të besojnë në shpirtin e vet krijues. Nëse e thjeshtëzojmë rastin në raport me politikën shqiptare në Maqedoni, do të shohim se asaj i mungon respekti për vetveten. Politikanët shqiptarë më shumë tensionohen kur ua kritikon “padronin” se sa kur i kritikon ata, edhe kur “padroni” i sheh rrezik permanent… Kjo gjendje nuk i siguron të ardhme të ndritur as atij që hiqet si padron. Kjo sepse shpallja e “tjetrit” si “inferior”, në vend të një pranimi të njëjtë, bëhet armë e rrezikshme, veçanërisht kur kësaj logjike i shërbejnë institucionet e shtetit. Tendenca e këtillë, në shoqëri shumetnike, krijon të çara, kontradikta të thella, mure ndarëse, pas çka pason gjendja traumatike, që kushtëzohet nga shkalla e vetëdijesimit të “tjetrit” për gjendjen e tij.
Politika (post)moderne, duke u nisur nga kjo përvojë historike, respektin për ”tjetrin” e konsideron si nevojë njerëzore. Politika e pranimit të njëjtë institucional është pika fillestare prej ku nisen shoqëritë shumëkulturore. Kjo politikë u jep status të njëjtë kulturave brenda suazave institucionale, sepse konsideron se të pranosh “tjetrin” do të thotë të pranosh dialogun, në vend të imponimit; do të thotë të tentosh të adhurosh dhe jo të humbësh agorën, këtë “vend takimi me të tjerët, këtë vend shkëmbimi, përzierje, përplasje e polemike”, sikurse thotë K. Czyzevski, që shton se “kush nuk dialogun me të tjerët i ngrys ditët në periferi”… Thënë ndryshe, mbyllet në provincën e vet dhe e shpall si qendër të botës.
Bashkëjetesa prodhimtare arrihet nëpërmjet polifonisë, që mundëson theksimin e shumë zërave dhe njëkohësisht asnjë prej zërave të mos mbisundohet apo të zhduket. Kur zhduken zërat triumfon monofonia.
Elitat politike maqedonase e mohojnë agorën ku do të dëgjohej zëri i shqiptarëve. Elitat politike shqiptare e mohojnë agorën ku do të dëgjohej zëri i opsioneve të ndryshme shqiptare. Një elitë politike shqiptare sillet si padron kundrejt elitës tjetër shqiptare dhe njëkohësisht me mungesë vetërespektit kundrejt një elite politike maqedonase. Në të dy rastet, identiteti tentohet të krijohet jo nëpërmjet dialogut, por nëpërmjet izolimit dhe mospranimit të “tjetrit”, që nuk është tjetër veçse “një lloj represioni” (Tejlor).
Përndryshe, politika e pranimit të njëjtë realizohet kur nuk ka ndarje të qytetarëve “të rendit të parë” dhe “rendit të dytë”. Politika e pranimit të dallimeve, sikurse e thonë shumë mendimtarë, i jep status diçkaje që nuk është e përbashkët, por specifike. Në rastin e shqiptarëve, përveç politikës së pranimit të njëjtë, nevojitet edhe politika e të drejtave specifike. Popujve autoktonë, që kanë qenë të diskriminuar për shkaqe të ndryshme, sipas konceptit të Will Kymlicka-s, duhet t’u mundësohen të drejta specifike; pra t’u krijohet hapësira jo vetëm që të ruajnë dhe që të kultivojnë identitetin kulturor e kombëtar, por edhe të kompensojnë një boshllëk që u është krijuar dhunshëm. Kjo arrihet vetëm kur “tjetrit” të ka qenë i diskriminuar i kompensohet padrejtësia historike, si parakusht për zhvillim normal dhe për arritjen e një bashkëjetese prodhimtare.
Ideali i pranimit të “tjetrit” arrihet vetëm kur i kundërvihemi qëndrimit arrogant dhe që shpreh mungesë respekti ndaj “tjetrit”, ndaj kulturës së tij. Pra, atëherë kur e pranojmë vlerën e çdo kulture dhe kur “tjetrit” i mundësohet të besojë se po ajo kulturë është e vlefshme. Që të arrihet deri tek kjo vetëdije nevojiten programe arsimore që shprehin mirënjohje dhe respekt për kulturat dhe identitetet e përjashtuara dhe kundërvënie tendencave për dominim kulturor. Kjo për shkakun se kulturat dominuese krijojnë hegjemoni, kurse të nënshtruarve tentojnë që t’u krijojnë imazhin e të qenit inferior. Kjo arrihet nëpërmjet studimit të kulturës së “tjetrit” dhe jo duke e stigmatizuar atë. Kjo arrihet vetëm kur “tjetri” mund të kënaqet me mendimin se kultura e tij është e pasur me vlera. Kjo arrihet kur kultura e “tjetrit” nuk vlerësohet sipas standardeve vetanake… Kjo arrihet kur mbrohemi, sikurse thotë R. Kimbal, “nga barrikadat e brendshme dhe të jashtme”… Ka vende ku kjo është arritur. Në botën tonë provinciale mungon vetërespekti, mbisundon respekti që nuk është veçse përkulje, kurse polifonia nuk dëgjohet…