Përmbytjet në Shkodër, dështim i Berishës
Përmbytja dramatike e zonës së Shkodrës dhe përkeqësimi i mëtejshëm i situatës nga ora në orë në veriun e vendit kanë qenë tema më e nxehtë e debatit politik gjatë kësaj jave. Kryetari i Partisë Socialiste në disa bashkëbisedime të zhvilluara me gazetarët është shprehur qartë se fajtor për këtë situatë është Sali Berisha dhe se banorët e Shkodrës sot po vuajnë pasojat e një pushteti që s’do t’ia dijë për hallet e popullit.
“Kur veriu i Shqipërisë u përmbyt si kurrë më parë, Saliu fajësoi natyrën, fajësoi shirat, fajësoi hënën blu, fajësoi kë mundi edhe Zotin vetë, por nuk morri mbi vete përgjegjësinë që i takonte atij dhe qeverisë së tij për mijëra hektarë tokë të përmbytura, për mijëra shtëpi të dëmtuara dhe për humbjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale të mijëra e mijëra familjeve që jetojnë në atë zonë. Më pas erdhën përmbytje pas përmbytjesh dhe doli se jo një herë në 100 vjet, po edhe 5 herë në vit mund të ndodhë ajo që në fakt nuk ka ndodhur kurrë më parë. Për të ardhur tek kjo përmbytje, e pesta herë brenda vitit, me përmasa katastrofike dhe sigurisht për të njëjtat arsye dhe me të njëjtin fajtor, Sali Berisha.”
Rama e akuzoi kryeministrin Berisha se nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar përmbytjet në zonën e Shkodrës, por vetëm ka bërë premtime që nuk i ka mbajtur. “Kur ndodhi përmbytja e parë Saliu premtoi se kjo gjë që ndodh një herë në 100 vjet do të ndodhë vetëm pas 100 vjetësh të tjera, sepse siç tha ai, do të ndërhyhet menjëherë në shtratin e lumit Buna dhe kjo ndërhyrje do ta zgjidhë situatën. Referojuni arkivit 8 janar 2010. Sepse siç tha ai do të ndërtohet by passi i Shkodrës me qëllim rehabilitimin e zonës së përmbytur dhe mos lejimin e ndërtimeve në zona të rrezikuara. Referojuni arkivit 13 janar 2010. Këto janë premtimet dhe si njeri i premtimeve të thëna, të rithëna, të stërthëna, po të asnjëherë mbajtura, Sali Berisha nuk mbajti asnjë prej këtyre premtimeve.”
“Të thuash në vitin 2010, në mes të Europës, në një vend që gjithsesi nuk është krijuar dje, në një vend që gjithsesi e ka një eksperiencë të gjallë nga e shkuara, se sa herë shiu të jetë i furishëm, aq herë do të zhyteni të tërë në ujë do të thotë të tallesh në mënyrën më cinike me ata që qeveris dhe kjo tallje nuk është asgjë tjetër përveçse vetëdija se votat e tyre, të këtyre shqiptarëve kudoqofshin, i merr edhe po s’ti dhanë ngaqë i vjedh,” tha Rama. “Po vodhe votën, po e garantove pushtetin pavarësisht vlerësimit dhe gjykimit të popullit, sigurisht që pyet gjithmonë e më pak për hallet e njerëzve, ” duke shtuar se e vetmja rrugë për t’i zgjidhur problemet e vendit është largimi i Sali Berishës: “Së fundi, dëshiroj ta ritheksoj që Saliu duhet të largohet. Që e vetmja rrugë për ti trajtuar këto probleme ashtu siç janë, të rënda, të ndërlikuara, të akumuluara në vite e vite është rruga që hapet me largimin e Saliut dhe të pushtetit të tij të votave të vjedhura.”
Rama denoncoi po ashtu sjelljen e qeverisë dhe mazhorancës në Parlament duke ngritur dyshime edhe për gjendjen mendore të kryeministrit: “Dua ta përsëris edhe njëherë sot se edhe në kushtet kur parlamentit i takon më shumë sesa zakonisht të zhvillojë një debat serioz, të jetë vendi ku ballafaqohen fakte, të dhëna, argumente, sigurisht nga këndvështrime të ndryshme që natyrshëm i kanë palët në çdo lloj situate ku ka një përfaqësim palësh, parlamenti kthehet në vendin ku të vjen turp që je shqiptarë dhe sheh sesi shqiptarët përfaqësohen paturpësisht me format më të degjeneruara të komunikimit dhe të përfaqësimit të interesave të tyre.”
I pyetur në lidhje me strategjinë e Partisë Socialiste për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë Rama ironizoi qeverinë duke thënë se “po të shikosh edhe parlamentin, po të shikosh edhe mënyrën sesi flasin kryeministri e ministrat duket në fakt sikur qeverisim ne dhe në opozitë janë ata. Duket në fakt sikur çdo gjë që po ndodh në këtë vend jo për mirë duket sikur është përgjegjësia jonë që po qeverisim keq.”