Për hapjen e një pike kufitare mes Kosovës e Maqedonisë, sikur më shumë interes shprehin diplomatë e përfaqësues të huaj, se sa përfaqësues të pushtetit lokal e qendror. Këto ditë Qeveria belge, përmes përfaqësuesit të saj ka shprehur gatishmëri për ta ndihmuar dhe për ti krijuar mundësi që të zhvillohet rajoni i Likovës.

Sekretari shtetëror i Belgjikës, Dirk Ahtenka ka shprehur interes për të ndihmuar në hapjen sa më të shpejt të një pike të re kufitare me Kosovën që lidh Likovën dhe Kumanovën me Gjilanin. Sipas tij, ky projekt do të ishte i rëndësishëm për banorët e kësaj zone kufitare, të cilët kanë nevojë por edhe mundësi për lëvizje më të lirë, shkëmbim tregtar dhe zhvillim ekonomik të këtyre zonave.

Siç bëhet e ditur Belgjika edhe në fillim të këtij viti kishte shprehur një interesim më të theksuar për të ndihmuar këtë rajon, por deri më sot askush nuk e ka bërë ndonjë hap konkret. Që nga liberalizimi i vizave mijëra banorë nga kjo anë, sidomos (Likova e Kumanova) kishin shkuar në vende të ndryshme të Evropës e sidomos në Belgjikë për mirëqenie sociale dhe në kërkim të statusit të azilit.

Pika kufitare në Bellanoc që lidh Maqedoninë me Kosovën përkundër shumë kërkesave të shumta të qytetarëve që të lëvizin lirshëm dhe paralajmërimeve të autoriteteve, akoma po mbetet ku interesimi më i madh është i të huajve se sa i vendorëve.

Derisa nga ana e Kosovës rruga është e asfaltuar deri në kufi, autoritetet e Maqedonisë akoma nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të meremetuar e ku më të asfaltojnë rrugën.

Nga komuna e Likovës thonë se ”në vitin e ardhshëm do të fillojë dhe përfundojë ky projekt i rrugës 125, rrugës regjionale ku edhe aty do të jetë pika kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës”. Kjo pikë kufitare është shumë me një domethënie të madhe në çështjen ekonomike ku njerëzit do të lëvizin lirshëm ku prodhimet e veta bujqësore, pasi komuna e Likovës është komunë e cila merret me blegtori e bujqësi dhe prodhimet bujqësore mund t’i plasojnë në Kosovë