KOSOOOVË, TI JE GJAKU IM QË NUK FALET
S. Guraziu, 2007 …(nga ditari i një patrioti apolitik – humoreskë)
Siç dihet, politika ngërthen në vorbullën e vet shumë më shumë sesa vetëm idealin, si bosht. Ndër të tjera ajo ngërthen atë pa të cilën gjë nuk është e plotë: diplomacinë. Ndërsa po ashtu dihet shumë mirë se diplomacia është gjëja më e rrezikshme për qashtërsinë intelektuale dhe dinjitetin… Miku im i dashur dhe i respektuar, unë kurrë s’kam qenë anëtar, madje as simpatizant i ndonjë partie. Besoj këtë ti tashmë e di mirë. Sigurisht këtë e dinë edhe mjaft të tjerë, por ja që dikujt mund t’i shkrep: a është e mundur kjo, dhe si është e mundur? Ta them i dashur mik se është fort e mundur, tepër fort madje. Thjesht sepse nuk më tërheq politika. As qerpiku s’më dridhet, s’ka asgjë në jetë që unë ta shoh “politikisht”. Unë jam total… totalisht apolitik. Gjithmonë kam qenë i tillë, kurrë s’më ka pëlqyer gjë që ka të bëjë me politikat. Në këtë kontekst, për të zgjuar sadopak shijen e një humori mund të them: unë, si subjekt social-politik, jam kryekëput “asocial”. Jo në kuptimin negativ apo të ndonjë mosadoptimi politik, por se nuk përshtatet politika me asnjë frymë të interesit tim. Lirisht më quaj ashtu apo më fut në atë kategori njerëzish, nëse mund të ketë një kategori të tillë. Ja, të të ndihmoj pakëz!
Kjo kategori mund të mbushet me njerëz “asocial” siç jam unë, së këndejmi dhe vetë kategoria mund të quhet: kategori Asociale-Politike. Pse jo?! Por të mos keqkuptohemi, natyrisht se jam kundër tiranive e diktaturave! Ndërsa s’jam ndonjë nonkomformist i sistemeve të avancuara politike. Tash për hir të shembullit, cilido sistem të jetë, s’ka lidhje. S’do të harrojmë pra se jemi në shekullin XXI, gjërat janë avancuar. Unë thjesht i respektoj rregullat e lojës së qytetarisë, iu përmbahem pa dashur të di hiçgjë për pollavrat politike. Disa njerëz – ndoshta nga ata patriotët e zjarrtë, naiv dhe nga ata pseudo-intelektualët nëpër pozita, eventualisht dhe ata gazetarët e lajthitur që mendojnë se “gazetari quhet ose është buletini politik” i partisë së tyre – mund të kujtojnë se jam ndonjë aso lakadredhësi i sofistikuar, dinak, nga ata që mund t’i kthejnë fluturat e velat në njëmijë drejtime, kahdo që të fryjë era! Jo pra, mik i dashur as kjo jo, dhe ti e di mirë, më njeh mirë, më beson. Teorikisht, e gjitha çfarë më duhet të “kapë” është bërthama, ideali i një rryme, i një kahje politike. Në praktikë, kuptohet më interesojnë rezultatet, programet reale, bindëse… ose që janë më afër tokës.
Dhe ky do jetë faktori që do t’ndikojë se kujt do t’ia jap kokrrën (nëse, apo kur t’më pyesin ta bëjë këtë). Si qytetar i civilizuar, afër mendsh është se respektoj “rregullën” e votimit. Kaq. Të tjerat s’më interesojnë: p.sh. doktrinat, resurset dhe mjetet, diplomacitë, strategjitë, taktikat, postet, pollavrat, kandidatët, buletinët partiak, parullat-reklamat… Asgjë në fakt. Dhe, mik i dashur, për një arsye fare të thjeshtë. Siç dihet, politika ngërthen në vorbullën e vet shumë më shumë sesa vetëm idealin, si bosht. Ndër të tjera ajo ngërthen atë pa të cilën gjë nuk është e plotë: diplomacinë. Ndërsa po ashtu dihet shumë mirë se diplomacia është gjëja më e rrezikshme për qashtërsinë intelektuale dhe dinjitetin. Kjo dritë e kuqe automatikisht ma pamundëson për të qenë aktiv në jetën politike, qoftë edhe vetëm duke përkrahur, simpatizuar ndonjë politikan ose parti.
Duhet theksuar gjithashtu se kokrra ime (një X në disa vjet) nuk është përkrahje e “politikës” politike të një partie. Në fakt është përkrahje e planeve ekonomike të një aparati ekonomik, e ndonjë programi ekonomik, anipse gjithçka sot pothuaj është e ngjyrosur me “politizmat”. Dhe hooop, me ta vënë X-in unë vetvetiu plasohem në taborrin e të jo-interesuarve, që janë pasiv, plot dembelizëm “politik”. Kurse të merresh me politikë i kthjellët shpirtërisht e mentalisht, duke pasur si forcë shtytëse të mjaftueshme vetëm idealin (si Gandi përshembull, si Dalai Lama) është diç tjetër. Mirëpo për të gjitha këto, më qartë e më gjerësisht do të të shkruaj ndonjëherë tjetër.
Tash i ceka vetëm se më duheshin… që ti ta kuptosh sa më drejt storie-n time. ***Shumë miq këndej në diasporë, gjatë kohës nuk ishin në gjendje të gëlltisnin dhe as përthekonin asnjanësinë time politike. Sepse koha jonë është vetvetiu kohë e bujshme, përplot politika, deshe-s’deshe të imponohen – thoshin – duke u ndodhur në rrethana të okupimit… më parë, pastaj të luftës, tash – do të shtonin – aso shtetformuese, e kështu me radhë. Para disa vitesh ata sikur s’donin të kuptonin qasjen time dhe pavarësinë intelektuale, integritetin tim (a)politik. Fitoja bindjen se apolitik nuk mund të jetë dikush që s’e njeh askush, që është kurrkushi, që s’është dikushi (anipse, bie fjala s’duhet të jetë bash si ai Ramushi). Sipas tyre, apolitik, intelektual i pavarur duhet të jetë ndokush që ka emër të madh, që është i njohur, që ka ndonjë meritë, ta zëmë: si artist, si person kulturor, si publicist apo shkrimtar i njohur (ndoshta si ai Kadarushi, për shembull – meqë ra fjala, mendo pakëz miku im: pse vetë Kadareja nuk merret me politikë?! Sepse thjesht është i mençur, ja pse!).
Sipas miqve, unë duhej të zgjedhja një “anë”, medoemos duhej. Sytë e tyre, gjithë shikimet e tyre sikur shprehnin të njëjtën gjë; diç ngjashëm me: aga Fetah… aga Fetah, o me Ne, o me Ata!Shpesh detyrohesha të hesht dhe të largohem, sepse nuk kisha durim e vullnet për të diskutuar jopërzierjen time në asnjëren kategori që ata njihnin. Retorika e tyre më ngjallte keqardhje. Ashtu-kështu, të gjitha s’ishin më shumë se diskutime shterpe, pa kokë e me shumë, shumë bishta. Kështu, pas një kohe, erdhi momenti kur duhej shkuar nga pozita e diskutimeve dhe politikave të zjarrta drejt e në luftë. Pra në diç edhe më të “zjarrtë”, që ishte bërë realitet.
Erdhi koha kur duhej dëshmuar ai patriotizmi që merrte zjarr e çelikosej debateve tona, sepse sipas tyre pasioni për politikën atëbotë, disi ishte i lidhur me patriotizmin, me atë ndjenjën e kulluar të patriotizmit. Meqë ne krijuesit ia kemi zakon merremi dhe me poezi, ata shpesh merrnin si shembull vargje të këtij lloji “Kosooovë, ti je gjaku im që nuk falet” – desh më lodhnin me këso e të tjera vargje të ngjashme. Thua se unë nuk e dija se ç’është një varg, se ç’janë fjalët, se ç’janë ndjenjat poetike, çfarë janë debatet, politikat e diplomacitë… e çfarë na qenka aksioni i vërtetë! Dhe në momentin e dhënë unë aspak nuk hezitova, papritur u nisa të bëhem aksionist.
Thjesht ashtu u nisa, pa surle e pa tupana, pa topa e jatagana. Ata të gjithë, pothuaj të gjithë gjetën nga një justifikim të zjarrtë (të zjaaarrtë thuaj prapë sa vetë lufta) se përse nuk ishin akoma gati të niseshin në “aksion”. Ndonëse jo, siç dhe ty vetë mik i dashur të është e njohur, jo! Nuk qe e thënë që unë të merrja pjesë në luftë. Mirëpo gatishmëria ime dhe çyka prej aksionisti, si me ndonje mrekulli magjistarësh, jo vetëm që ma çliruan Kosovën time personale, për aq sa “ishte e imja”, por dhe më çliruan nga moskuptimi i miqve njëherë e përgjithmonë. Se dhe vetë nisja ime qe pakëz e “vonuar”, kjo s’do mend! Por pak kohë më vonë, fatmirësisht, kontributin tonë hipotetik prej politikanësh e debatuesish e kompenzuan “stealth” fluturaket me urdhrin e njëfarë Hafir Solana, nëse s’gabohem. Sa i përket kompanisë tonë (pra, mik i dashur, flas për gjëra që i di dhe i njoh mirë) nuk besoj se do bënim më shumë se një aso fluturake që nisej nga Missouri, nga atje larg përtej oqeanit. Madje dhe sikur t’ishim nisur të gjithë së bashku, kompania e miqve dhe jaranave, të gjithë si eskadron politikulushësh në bordin e një aeroplani Hercules. Një eskadron Rambosh, të hidhur e të çartur në fytyrë, me parashuta si “12 të vulosurit”, si Li-Marvina të armatosur me patriotizëm e me armë, gjer në dhëmbë. Ishim se jo shaka, nuk hyj në hak. Kësaj radhe jo debatik-as që këndojnë e përqeshin tinëz “serbosllavi sono buoni, per mangiare macaroni, quando sparano i cannoni, câcano…in pantoloni” por debatues, patri(k)otë e politikanë të ditur, të gjitha në NJË.
Thashë debatik-as sepse disa nga miqtë i takonin taborrit që është vështirë ta kategorizosh edhe sot e kësaj dite (bile as ata vetë nuk dinë ta kategorizojnë vetveten). Por gjithsesi ishin, dhe poende janë diç e përafërt me brumin e neo-xhaxhikuqëve, patriotë kosovarë që ishin kalitur me të tilla ideologji sa i përket patriotizmit. Pa pa pa… veç Rambo kishte humbur sensin, disa herë, se kur njeriu duhet angazhuar në luftë. Ai nisej tek ashtu, me ta pyetur, me t’ia bërë me sy. Thjesht i varte ca bomba dhe ia bënte fijuuuuu helikopterit. Ndërsa ne, hm! Ne e dinim saktësisht se kur do të kërciste fishek-momenti ynë. Ç’është e vërteta, doli se unë nuk e kisha ditur tamam, por miqtë e mi dolën të gjithë ekspertë për mobilizime, për angazhime, përgatitje, stërvitje, për “timing” adekuat dhe panumër këso detajesh të luftës. Ata bombarderët, kështjellat fluturuese dhe tomahawk-raketat e xha Klintonit vetëm sa u koritën me ne. Në fakt, për të saktësuar duhet thënë kështu: u koritën me trimat, me miqtë
e mi politikologë. Me mua jo qebesa! Sepse unë veç isha nisur me gjithë trupin, me të dy këmbët, me zemrën e mendjen… me kokë e me ca shokë (të tjerë, apolitikë). Sidoqoftë, nganjëherë më bëhet, apo sikur kam përshtypjen se ai shef-amigosi, Hafir Solana (nga respekti, më duhet të lëviz… saherë ia përmend emrin) dha urdhërin më riskant në historinë e NATO-s vetëm e vetëm se u prek nga nisja ime. Por ani, mirë që e bëri. Unë dhe ai ishim në të njëjtën linjë, ashtu-kështu. Në të njëjtat valë. Ai vetëm ishte ngutur pak, sipas miqve të mi. Më mirë sikur t’ishte konsulltuar me ta. Së paku tri ditë t’iu kishte dhënë “myhlet”, sa për t’u nisur. Por jo, sekretar Hafiri i kishte zënë në befasi dhe as që ishte konsulltuar. Ashtu për pikë të qejfit, kokë mëvete t’ia kishte hedhur bombat Kosovarlushës së ngratë. Miqtë, madje desh u tmerruan kur panë se bombat e para ranë në Kosovë. Mos vallë NATO e kishte gabim, ata ekspertët e luftës, ata gjeneralët!? Në vend që ta bombardonin Beogradin, ishin lajthitur e t’ia kishin kërcitur Prishtinës!
Por nejse, për këto gjëra miqtë shumë shpejt e morën veten, disi filluan ta kuptojnë me shpejtësi marramendëse se ata të NATO-s nuk ishin dhe aq kokëbosh! Sot e atë ditë që u nisa, kurrë më s’kam dyshim se ata nuk janë në gjendje ta kuptojnë apolitizmin tim dhe rezervat ndaj klubeve, klaneve e partive politike. Dhe miqtë e mi, të betohem miku im, nuk janë vetëm të një “partie”. Jooo, ata janë madje të shumë nënpartive, degëve a fraksioneve përbrenda shumë partive të gjalla e të shuara, të cilat prapë janë pjesë e disa partive, gjoja aso Amë, më të mëdha. Ja që s’prish shumë punë, sa më përket mua të gjitha mund të derdhen në Detin e Zi të politikës kosovare. Ah… vërtetë, së paku sikur të derdheshin të gjitha ato përrocka e lumenj në një det të vetëm. Së paku ai uji i tyre i politizuar, herë vërshues e herë i qetë, të kishte një krye-destinacion, gjithë ajo energji politiko-elektrike të fluksohej në një drejtim, ta them miku im i dashur, po të ndodhte kjo, e gjithë Kosova do ndritësohej e do të bëhej parajsë. Dhe jo vetëm ajo!