URIME HEQJA E VIZAVE, GJYSMËSHQIPËRI E LIRË DHE E PAVARUR!
BAROMETRI DIPLOMATIK-Prof.Dr.Mehdi HYSENI
*** Vizat iu hoqën gjysmë Shqipërisë londineze, por kur do të shkallmohet edhe sundimi i egër 100-vjeçar kolonial nga gjysma tjetër e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë Natyrale Etnike? –Kjo është pyetja kyç që kërkon përgjigjje imediate edhe nga Tirana zyrtare, edhe nga BE-ja, edhe nga bashkësia ndërkombëtare
*** Është për t’u përshëndetur vendimi i BE-së për heqjen e vizave gjysmë Shqipërisë së pavarur. Këtë sihariq shqiptarët e Shqipërisë Londineze (1912) e kanë merituar (që të lëvizin lirshëm pa viza në zonën e Shengenit evropian, ashtu sikurse popujt e tejrë të Evropës) para Serbisë, para Malit të Zi dhe para “Maqedonisë”, shtete këto, të cilat nuk e kanë merituar t’u heqen vizat, sepse, ende nuk kanë zgjidhur statusin politik, nacional dhe territorial të shqiptarëve të kolonizuar, që nga viti 1912.
Me gjithë leverdinë e saj, heqja e vizave nuk ka të bëjë me çërrënjosjen e kolonializmit sllav nga trevat e Shqipërisë Natyrale Etnike. Prandaj, një akt i tillë i vullnetit të mirë të BE-së ndaj gjysmë Shqipërisë, në kupim më të gjerë dhe realist, assesi nuk mund të kualifikohet si akt me rëndësi të përgjithshme historike për mbarë kombin shqiptar në Ballkan.
Mirëpo, ky akt është i rëndësishëm vetëm për gjysmën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë së sotme me kufij artificialë(1912-2010), e jo për gjithë kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Natyrale Etnike, sepse gjysma e tyre ende ndodhet nën sundimin e egër serbosllav të shteteve fqinje ballkanike. Prandaj, heqja e regjimit të vizave gjysmë Shqipërisë, në asnjë konktekst, nuk mund të konsiderohet e as të cilësohet si ndonjë “fitore me peshë historike” për gjithë kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Natyrale Etnike.
-Triumf me peshë dhe me rëndësi historike, politike, kombëtare dhe demokratike, do të quhej ai akt, kur politika dhe diplomacia e Tiranës dhe krerët e saj drejtues, t’ia arrijnë që, së bashku me BE-në dhe me partnerët e saj të bashkësisë ndërkombëtare, përfundimisht ta zgjidhin problemin kolonial, kombëtar dhe territorial të gjysmës së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Natyrale Etnike në Ballkan.
Vetëm, kur të vijë në shprehje shkolonizimi, vetëvendosja dhe ribashkimi i plotë i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë Natyrale Etnike, atëherë do të mund të mburreshim para botës se, kemi arritur fitoren më të madhe dhe më të rëndësishme në historinë e deritashme të kombit shqiptar në Ballkan. Ndryshe, nuk kemi fakte, as kurrfarë argumentesh të vlefshme, të pohojmë (për ta kënaqur vetëvetën dhe për ta mashtruar mbarë popullin shqiptar) se kinëse me heqjen e vizave gjysmë Shqipërisë, “mbarë kombi shqiptar në ballkan ka arritur fitoren më të madhe në historinë e tij ”. Çfarë cirku! Çfarë hipokrizie! Kjo nuk është e vërtetë fare, por më tepër ka të bëjë me marketingun politiko-propagandistik dhe të biznesit prëfitues të krerëve aktualë të Republikës së Shqipërisë (Bamir Topi dhe Sali Berisha etj.).
Fundja, sot, demokratike është shprehja e mendimit dhe e fjalës së lirë, mirëpo, në rastin konkret, nuk “pijnë ujë më” deklaratat e tilla retorike dhe boshe, duke u thirrur në adresë të mbarë kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Natyrale Etnike, kur të gjithë jemi dëshmitarë dhe po shohim se gjysma e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë Natyrale Etnike ende janë plaçkë koloniale e Serbisë, e Malit të Zi, e Greqisë dhe e “Maqedonisë”. Ndaj, çfarë fitoreje historike mbarëkombëtare” na qenka heqja e vizave vetëm gjysmës së Shqiërisë së lirë dhe sovrane, e gjysma tjetër jeton në kënetat dhe në moçalet e regjimeve gjenocidale, kolonialiste dhe imperialiste serbo-greko-malazeze-“maqedone”?!
-“Nuk ka gjë”, mund të festoni dhe të deklaroni çfarë t’u bie ndrmend, dhe çfarë është në interesin juaj perosnal, grupor, klanor, partiak dhe provinical, por të pavërtetat juaja politike, nuk mund t’ia impononi më mbarëkombit dhe mbarë Shqipërisë Natyrale Etnike, sepse nuk jemi të verbër dhe aq naivë, që si këtu e 100 vjet më parë, t’iu besojmë blanko dhe verbërisht se robëria dhe liria janë simetrike dhe kanë të njëjtin kuptim. JO!
-“Nuk prish punë”, -jemi mësuar qe njëqind vjet në robëri!!! Mirëpo, shpresojmë se, së shpejti, do vijë koha edhe për ne, kur do të udhëtojmë të lirë dhe pa viza për në Evropë, atëherë kur të jetë shkolonizuar, çliruar, pavarësuar dhe ribashkuar i gjithë kombi shqiptar dhe Shqipëria Natyrale Etnike.
– Gëzuar heqja vizave! Por mos u dehni aq shumë, sepse kjo është vetëm një fitore e vogël politike, gjysëkombëtare dhe gjysmështetëore, jo fitore e madhe, as e plotë historike mbarëkombëtare dhe mbarështetërore, ashtu si janë shprehur krerët aktualë të Shqipërisë.