VMRO-DPMNE përgatit shlyerjen e mërgimtarëve shqiptarë
BDI insiston që në regjistrimin e popullsisë të përfshihen edhe shtetasit e Maqedonisë me leje qëndrimi në shtetet perëndimore.
Kjo parti ka propozuar amendament për të rregulluar këtë problematikë, e cila me ligjin aktual përjashton të gjithë mërgimtarët shqiptarë të cilët kanë leje qëndrim të rregullt në vendet evropiane apo në SHBA. Sipas propozim-ligjit të bërë, të gjithë qytetarët nga Maqedonia të cilët kanë leje qëndrimi në shtetet e huaja nuk do të përfshihen në regjistrim dhe këtu bëjnë pjesë shtetasit që kanë “Vizë C” në Zvicër, “Sonxhorno” në Itali, “Ofental” në Gjermani dhe “Green card” në SHBA, por edhe mërgimtarët në shtetet e tjera.
Deputeti i BDI-së, Tahir Hani theksoi se është propozuar amendamenti i tyre që të intervenohet në ligj dhe të zgjidhet kjo çështje, e cila mundëson që të përfshihen në regjistrim të gjithë ata qytetarë që kanë leje qëndrimi në vendet e huaja, por që janë nga Maqedonia.
“Dallimet që ekzistojnë mendoj se do të harmonizohen deri në momentin e votimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë. Me vendbanim të zakonshëm të qytetarit ne nënkuptojmë qytetarin që ka vendvotim në Maqedoni, kryen obligimet administrative dhe gjithashtu ai do të duhet të llogaritet në numrin e përgjithshëm të Maqedonisë. Të gjitha amendamentet përputhen me rekomandimet e EUROSTAT-it” theksoi deputeti Hani.
Por nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së kësaj kategorie në regjistrim, e cila ka propozuar amendament të posaçëm për këtë çështje.
Kryetari i DR-së, Imer Selmani ka alarmuar këtë problematikë, duke apeluar që partia shqiptare të jetë e kujdesshme.
“Ajo që është më skandaloze është amendamenti VMRO-DPMNE që përjashton çdo qytetar veçanërisht shqiptar që kanë ‘Grin kartë’ ka ‘ofental’ , ka ‘sonxhorno’ apo vizë C që të mos mund të regjistrohet si qytetar rezident i Maqedonisë dhe të bëj pjesë në numrin përgjithshëm të popullatës. Pyetja është VMRO-DPMNE këtë propozim a e bën dhe a e ka bërë në koordinim me partnerin e vet BDI ose jo” ka theksuar sot Selmani, partia e të cilit pritet të mbajë protesta për shkak të përjashtimit të shtyrjes së datës për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë në muajin korrik të vitit të ardhshëm.
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni është propozuar të mbahet në prill të vitit 2011.