image
Vendi lëshohet me qira” ose “dyqani është zhvendosur në tjetër vend “. Njoftimet e tilla, po shihen gjithnjë e më shpesh në vitrinat e dyqaneve në qendër të Shkupit. Ato shihen në qendrën tregtare  “Siti Galeri”, në rrugën “Nikola Vapcarov”, apo edhe në katin e tretë të “Qendrës tregtare të Qytetit” … Për veshjet luksoze, stolitë, pajisje të ndryshme shtëpiake etj, që deri para një viti ishin të ekspozuara në vitrinat e këtyre dyqaneve, tani të kujtojnë vetëm reklamat për zbritje të mëdha. Cila është arsyeja për këtë?
Që të mbahet një dyqan në këtë rrugë në qendër të Shkupit, vetëm për qira mujore duhet të paguhen nga rreth 30 euro për një metër katror, ndërsa për sipërfaqen prej rreth 100 metrash katror shuma arrin rreth 3 mijë euro. Sipas shumicës së tregtarëve të cilët tashmë kanë vendosur të largohen nga kjo hapësirë, këto shuma janë të pa arritshme. Ata thonë se është gjithnjë e më i vogël numri i konsumatorëve të cilët janë të gatshëm të hyjnë në këto dyqane.
Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se tregtia, të paktën në mënyrë statistikore, këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, nuk ka pësuar rënie. Përkundrazi, ajo është rritur dhe madje për 1.4 %. Mirëpo, sipas analizave të tyre, 97 % e këtij konsumi bie mbi ushqimin, pijet, karburantin dhe pajisjet për makina.
“Përfundimi do të ishte se, po bie standardi i përgjithshëm i popullatës dhe kryesisht paratë shpenzohen në atë që është mëse e nevojshme, sikurse ushqimi dhe automjetet që janë të domosdoshëm për një funksionimin normal”, thotë Jadranka Arizankovska, Oda ekonomike e Maqedonisë.
Sipas Arizankovskës, trendi i mbylljes dhe shpërnguljes së shpeshtë të dyqaneve ku mbijetojnë vetëm ato me mallra të lira, nuk është e veçantë vetëm për Shkupin. Sipas saj, një fenomen i tillë ka prekur gjithë BE-në në dy vitet e krizës. Rënie ka për produktet luksoze. Nga ana tjetër, Enti i Statistikave vëren se shpenzimet bazë të jetesës janë rritur përsëri. Kjo tregon se situata nuk po shkon drejt përmirësimit, por që numri i dyqaneve në mbyllje do të rritet, sidomos në pjesën e shtrenjtë të qytetit.