Fatmir Sejdiu dha dorëheqje
Fatmir Sejdiu, ka dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Sejdiu, ka kumtuar dorëheqjen e tij, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, konstatoi se Presidenti ka shkelur kushtetutën duke mbajtur paralelisht pozitën e presidentit dhe atë të kryetari të LDK-së.“Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Unë kam besuar se mbajtja e postit të Kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion, siç e përcakton Kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj Kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe, dhe unë e respektoj këtë vendim, pavarësisht faktit se ende nuk më është dorëzuar aktgjykimi i Gjykatës me arsyetim” tha Fatmir Sejdiu, president i Kosovës, në dorëheqje. Sejdiu, duke kujtuar veprimtarinë e tij, tha se ndihet krenar me kontributin që e ka dhënë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë edukativ. “Kur kthehem të shoh të kaluarën, ndjehem krenar se i kam dhënë edhe unë një vlerë modeste procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në politikë kam qenë gjithmonë ithtar i vendimeve të urta. Nuk kam përkrahur asnjëherë aktet e dhunës dhe të presionit, gjuhën e urrejtjes dhe të mostolerancës. Edhe në karrierën politike, jam udhëhequr nga parimet etike, nga të cilat nuk do të heq dorë asnjëherë as në të ardhmen” shtoi Sejdiu. I menjëhershëm ishte prononcimi i kryetari të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili sipas kushtetutës, është i obliguar që të ushtroj detyrën e presidentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Ai në një konferencë për media, përshëndeti veprimin e presidentit Sejdiu duke e quajtur atë një akt shumë të moralshëm, ndërsa ka siguruar qytetarët se nuk do të lejoj të krijohet krizë institucionale apo boshllëk në këtë pozitë.“Respektoj plotësisht vendimin e presidentit Sejdiu, për hapin që e ka marr në mbrojtje të kushtetutës së Kosovës. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj presidentin Sejdiu për kontributin e dhënë në këto procese të rëndësishme demokratike për vendin.Të nderuar qytetar ju garantoj se në Kosovës nuk ka krizë institucionale. Këto janë zhvillime politike demokratike të parashikuara edhe me kushtetutë dhe çdo gjë do të zgjidhet konfrom normave kushtetuese” tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi. Sipas Kushtetutës së Kosovës, kreu i Kuvendit obligohet që të ushtroj pozitën e presidentit në një afat prej 6 muajve deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas marrëveshjes në mes dy partive të koalicionit, pozita e kryetarit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës