Frikë nga mini-shengeni me shqiptarët
Blerina SALIU
Iniciativa e Serbisë për rregullimin e regjimit të kalimeve kufitare me Maqedoninë, të cilën të shtunën e solli ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, që qytetarëve të këtyre dy shteteve t’u mundësohet qarkullim vetëm me letërnjoftime, ka ngjallur reagime të ndryshme te partitë politike shqiptare në vend. Deri sa partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka përshëndetur marrëveshjen në mes të dy shteteve, Demokracia e Re (DR) ka shprehur nevojën që pas kësaj marrëveshjeje të pranohet propozimi që para një viti e ka miratuar Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
“Mendoj se nisma të tilla duhet të përshëndeten, gjithsesi si një marrëveshje që është nënshkruar me Republikën e Serbisë. Maqedonia duhet të nënshkruajë prej një afat të shkurtër edhe me shtetet tjera fqinje, duke u nisur me Kosovën, Shqipërinë, e kështu me radhë”, ka thënë deputeti nga radhët e BDI-së Rafiz Aliti. Sipas tij, nismat e këtilla janë në interes të qytetarëve dhe të njëjtat për kohë sa më të shkurtër duhet të nënshkruhen.
“Ne si partner të koalicionit çështjet e tilla i mbrojmë edhe në këtë rast si do të punojmë në interesat e qytetarëve të Maqedonisë dhe një nga interesat e qytetarëve, është të mund të qarkullojnë të lirë me të gjitha shtetet përreth. Me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla më shumë do të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Aliti. Ndërkaq, zëdhënësi i DR-së, Arijanit Hoxha ka thënë se para një periudhe njëvjeçare Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu propozoi një zonë mini-shengen të vogël të Ballkanit, e cila do të lejonte qarkullimin e qytetarëve në shtetet ballkanike vetëm me letërnjoftime. Që në atë kohë DR ka përkrahur një ide të tillë, mirëpo ne jemi në opozitë dhe nuk mund të ndikojmë siç mundet të ndikojë partia politike në pushtet”, ka thënë Hoxha. Sipas tij, në rast se Maqedonia e pranon propozimin e ministrit të Serbisë, atëherë ajo duhet ta pranojë edhe propozimin e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
“Përqindja më e madhe e qytetarëve në Maqedoni, pas maqedonasve është e shqiptarëve dhe interesi edhe ekonomik edhe kulturorë etj. Është lëvizja më e madhe e qytetarëve shqiptar dhe duke e marrë parasysh se edhe lëvizja ekonomike më e madhe e Maqedonisë është me Kosovën, përfundimisht mund të konstatohet se është më se e nevojshme se një gjë e tillë të bëhet edhe me Kosovën dhe Shqipërinë”, ka thënë Hoxha. Sipas tij, partia shqiptare në pushtet duhet që të ketë vullnet për inciativa të këtilla dhe të bën presion si partner i koalicionit. “Nga ajo që kemi parë deri tani, shohim se partia politike shqiptare në pushtet luan rolin e një administratori në këtë qeverisje pasi që nuk ka ndonjë peshë politike, por në qoftë se ka vullnet politik, BDI mund të bëjë presion si partner i koalicionit që një gjë e tillë të ndodhë. Opozita nuk e ka mekanizmin e kushtëzimit të qeverisë pasi që ne jemi parti opozitare, ne mund ta ngremë zërin që t’i tregojmë idetë tonë dhe në parlament t’i japim propozimet, por votat dhe shumicën e ka VMRO-ja dhe BDI dhe në qoftë se ata kanë sensin e polikëbërjes dhe ndikojnë në këtë proces, mendoj se mund që një gjë e tillë të ndodhë edhe me Shqipërinë dhe Kosovën”, ka thënë Hoxha.
Ndërkohë, ministrat Jankulovska dhe Daçiq kanë thënë se qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë në të ardhmen do të mund ta kalojnë kufirin me letërnjoftim.
“Dua të përmendi nismën e kolegut Daçiq, për marrëveshjen për rregullimin e regjimit të kalimeve kufitare për qytetarët e të dy shteteve vetëm me letërnjoftime. Iniciativa është reale dhe e mundur”, ka thënë ministrja Jankuloska.
Ministri serb Daçiq, ka potencuar se Serbia një regjim të tillë të kalimit të kufirit ka me BeH-në dhe Malin e Zi, ndërsa në raport të vendosjes së saj me Kosovën dhe Shqipërinë tha se “Kosovën e konsideron pjesë të territorit të saj”, ndërsa për Shqipërinë paralajmëroi se po punohet për heqjen e ndërsjellë të vizave.
“Ne Kosovën ende e llogarisim si pjesë të Serbisë, pa dallim se ende po bisedohet për statusin e saj. Kështu që mes territorit të krahinës së dikurshme dhe Serbisë ka linjë administrative, e cila kalohet vetëm me letërnjoftim. Ndërsa me Shqipërinë jemi në bisedime për heqjen e vizave, mes dy shteteve gjë për të cilën kemi biseduar me ministrin Lulzim Basha. Ky është një hap i rëndësishëm dhe pres që shumë shpejt të firmosim marrëveshjen për heqjen e vizave mes dy shteteve”, është përgjigjur ministri serb Daçiq. Ndërkohë, ministrja Jankulovska nuk e përjashtoi mundësinë e realizimit të një nisme të tillë me Kosovën dhe Shqipërinë, nëse për këtë krijohen kushtet.
“Çdo nismë, e cila kontribuon për lëvizje më të lirë të qytetarëve tanë, do të shqyrtohet seriozisht, dhe nëse plotësohen disa kushtet dhe dispozita që një nismë e tillë të mund të realizohet, ne do ta realizojmë. Me dy shtetet konkrete që ju përmendët, ne ende nuk kemi zhvilluar bisedime për këtë temë”, ka shtuar ministrja Gordana Jankulovska.
“Zgjohu” dënon deklaratën e Daçiqit për Kosovën
Lëvizja qytetare “Zgjohu!“ dënon ashpër deklaratën e Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë Ivica Daçiq, i cili gjatë takimit me kolegen e tij maqedonase Jankullovska në Shkup tha që e Kosovën e konsideron si pjesë të Serbisë.
“Zgjohu! gjykon që heshtja e Jankullovskës pas kësaj deklarate të Daçiqit paraqet miratim të agresionit verbal të kolegut të saj serb ndaj Republikës së Kosovës, shtetin fqinj të cilin Maqedonia e ka njohur dhe me të cilin ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Përkujtojmë të gjithë ata që akoma hamendën rreth realitetit të ri në Ballkanin Perëndimor që pavarësia e Republikës së Kosovës është e pakthyeshme, e përkrahur nga të gjithë shqiptarët kudo qofshin dhe e konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Këshilli i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, si dhe është e njohur nga shumica absolute e demokracive botërore”, thonë në “Zgjohu”.