Një deputet i partisë shqiptare BDI dyshohet të jetë bashkëpunëtor i ish-shërbimeve sekrete, pas verifikimit të dosjes së tij.

Këto akuza pohime vijnë nga qarqe politike opozitare, por edhe nga burime brenda Komisionit për verifikimin e dosjeve. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) në opozitë për sot ka paralajmëruar se do të publikojë emrin e deputetit, pasi që sipas tyre, komisioni për dosjet për shkak të presioneve nuk do të publikojë emrin e deputetit.

Kjo parti pretendon se ka dëshmi dhe dokumente për të dëshmuar involvimin e deputetit shqiptar si bashkëpunëtor i ish- UDB-së jugosllave.

Por nga ana tjetër, nënkryetari i Parlamentit dhe anëtari i lartë i BDI-së, Rafiz Haliti theksoi se është e padrejtë që të lustrohen ata që kanë qenë të diskriminuar apo nën kërcënim kanë pranuar dikur të bashkëpunonin me shërbimet sekrete.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA nga burime jozyrtare, pranë Komisionit për dosjet janë të pranishme dokumente për deputetin, i cili kishte pranuar gjatë periudhës së vitit 1981-1982 që të bashkëpunoj me shërbimin sekret ish-jugosllav për të ofruar të dhëna dhe informacione mbi aktivitetin e grupimeve ilegale të lëvizjes shqiptare të asaj periudhe. (INA)