PDSH kërkoi sot prolongimin e datës së regjistrimit deri në plotësimin e disa kushteve për popullësinë shqiptare, në të kundërtën do të ftojë për bojkot.

Kjo është bërë e ditur sot nga zëdhënësi i kësaj partie, Luan Tresi në një konferencë me gazetarët në Tetovë.

“Duke patur parasysh se ky projekt për regjistrim është si produkt i marrëveshjes së Ali Ahmetit dhe Gruevskit nuk kemi aspak dyshim se do të ketë përfundimin që e kanë patur shumë çështje tjera me rrëndësi për shqiptarët kur këta dy persona “merën vesh”.

PDSH-ja përkujton se mbi 150.000 shqiptar janë ende pa nënshtetësi dhe se më shumë se dy vite nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.PDSH-ja përkujton deklaratën e Kryeministrit Gruevski dhënë me 10 Shtator ku ai qartë ia beri me dije opinionit tendencën e tij për manipulim me regjistrimin, duke konstatuar se Maqedonia është e gatshme vetë të organizoj këtë proces dhe se krahasuar me regjistrimin e vitit 2002 vëzhgimi ndërkombëtar do të jetë në një formë shumë të butë, pasi sipas tij Maqedonia nuk është vend në krizë.PDSH-ja ua bën me dije se gjatë periudhës kur ata duan të bëjnë regjistrimin e popullsisë mërgimtarët shqiptar janë jashtë vendlindjes”, theksoi Tresi.

Kjo parti alarmon se shqiptarët nuk kanë aspak qasje në Entin Statistikor Shtetëror të Maqedonisë ku në përgatitjet e deritanishme për këtë regjistrim nuk ka qenë i kyçur asnjë shqiptarë.

“Nisur nga parametrat statistikore, si numri i nxënësve shqiptarë që vijojnë mësimin në shkolla fillore, e që është mbi 42% dhe nataliteti i lartë te shqiptarët, janë të drejta konstatimet se shqiptarët në Maqedoni janë mbi 34 %”, nënvizoi Tresi.

Nisur nga këto elemente PDSH-ja kërkon që regjistrimi i popullsisë të shtyhet në mënyrë që të plotësohen kushtet, si dhënia e nënshtetësive shqiptarëve, periudha kohore kur mërgimtarët janë në vendlindje dhe shqiptarët të jenë të përfaqësuar proporcionalisht dhe të kenë drejtën vendimarëse në Entin Statistikor Shtetëror.

PDSH-ja kërkon që OSBE-ja të inkuadrohet në vëzhgimin e plotë të procesit të regjistrimit me garanci të forta se nuk do të lejohet manipulimi.

“Në qoftë se nuk përfillen kërkesat tona të cilët janë parakusht për regjistrim objektiv dhe korrekt, PDSH-ja mban të drejtën të thërret popullatën shqiptare në bojkot të këtij procesi”, theksoi zëdhënësi Luan Tresi. (INA)