Viktimë e injorancës dhe e shpirtngushtësisë
Mjafton një periudhë disavjeçare përgjumjeje, vullgaritet në arsim e kulturë, mjafton vetëm një dekadë të të qeverisë ai që ta helmon sferën e arsimit dhe të kulturës, që të humbësh përgjithmonë disa gjenerata e të marrësh plagë të rënda në trupin etnik. Pastaj, mjafton një popull ta lësh në duart e atyre që nuk kanë vesh për urdhrat e dijes dhe të urtësisë, në duart e atyre që dëgjojnë vetëm zhurmën e primitivizmit të vet, e që ai popull, gjatë kohë të mos e kuptojë se është kapur në rrjetin e mediokritetit shpirtëror, mediokritet i cili gjithmonë shoqërohet nga veprime që i ngjajnë bërjes së vrimës në ujë. Dhe dy dekada me radhë, shqiptarët e Maqedonisë nuk bëjnë thuajse asgjë tjetër përpos që ankohen se dikush ua mëkëmb kulturën, se fëmijët e tyre mësojnë nga librat e autorëve serbë e maqedonas, e të cilët Kosovën e tregojnë si pjesë përbërëse të Serbisë dhe të kaluarën dhe vlerat shqiptare i pasqyrojnë në librat shkollorë po aq sa edhe ato të aborixhinëve të Australisë. Por, edhe pas gjithë këtyre ankesave, fëmijët shqiptarë vazhdojnë të mësojnë nga librat shkollorë të botuar me lejen e një ministrie që më shumë i ngjan drejtorisë së një kooperative bujqësore me sekretare të bukur, sesa institucionit që vendos për kahen e rrugëve të dijes. Pra, dy dekada me radhë, shqiptarët e Maqedonisë ankohen se janë lënë në duart e politikanëve të papërgjegjshëm shqiptarë, të cilët nuk shohin se Maqedonia ka Ministri të Kulturës që me vite “financon” akulturimin e shoqërisë shqiptare, që nuk shohin se ky shtet ka një Ministri të Arsimit, që shkollarin shqiptar e konsideron si fëmijë, i cili, duke u rritur mes fantazmës të bëhet i aftë për të ardhmen dhe dëshirës së mirë të prindërve të tij të jetojnë në harmoni me vetveten dhe të tjerët në këtë shtet, një ditë mund të përfundojë si kandidat për ta dhënë provimin e “maqedonizmit”, e ndërkohë, t’i jetë mirënjohës shtetit që ia shtroi rrugën drejtë të qenët i shkolluar, por pa njohuri për identitetin e vet.
Të gjitha këto ankesa të shqiptarëve të Maqedonisë, përmbajnë në vetvete shumë absurde dhe pak arsye. Edhe atë shkaku se shqiptarët e këtushëm vetëm konstatojnë, vetëm vajtojnë, e assesi të ndërmarrin diçka konkrete. Për shembull, nëse prindërit shqiptarë me të vërtetë janë aq të brengosur për cilësinë e librave nga të cilat mësojnë shkollarët e tyre, ata që moti do të themelonin një organizatë joqeveritare, e cila do komunikonte me Tiranën e Prishtinën dhe nga atje do të sillte maunë të ngarkuar me libra shkollorë nga lënda e historisë, gjeografisë, letërsisë…, e që nuk do kushtonin më shumë se plumbat e harxhuar nëpër dasmat e tyre. Pra, do ta bënin atë që me vite bëjnë shumë organizata maqedonase, që u shpërndajnë libra falas shkollarëve të etnitetit maqedonas në Liqenas (Pustec) të Shqipërisë, e ku kalimthi thënë, të njëjtën e bëjnë edhe ato bullgare. Një organizim i tillë i prindërve të këtushëm shqiptarë, do t’u dëshmonte politikanëve të këtij shteti se ata nuk lejojnë që fëmijët e tyre të viktimizohen në altarin e mediokritetit politik, i cili thuajse gjithmonë shoqërohet edhe me karakter të prishur, mediokritet i cili kurrë nuk e kupton të mirën që ia thua, por të keqen që mund t’ia bësh.
Kur jemi te librat shkollorë, autorë të së cilave janë vetëm maqedonasit dhe serbët, ka një të mirë në atë që u përkthehen fëmijëve shqiptarë pa asnjë ndërhyrje. E mira qëndron në atë se prindërit dhe politikanët shqiptarë mund të shohin se çka mësojnë maqedonasit për identitetin e tyre kombëtarë e religjioz. Mund të shohin se në një shtet ku Akademia e Shkencave dhe e Arteve të shpallë “ardhacakë të posazbritur nga malet”, s’ke çka pret nga ministritë e atij shteti. Pra, në një shtet ku t’i kanë thënë të gjitha ofendimet poshtëruese në fytyrë, e ti as që je skuqur, s’ke pse habitesh kur sheh se kush janë autorë dhe çka shkruajnë për ty nëpër librat shkollorë. Sepse, më në fund, kjo që ndodh në Maqedoni në relacionin kulturor e arsimor mes shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk ka të bëjë me gabime, por me një koncept të qartë e afatgjatë, koncept që ka për qëllim të të dëmtojë sa më shumë, të ta helmojë kulturën e arsimimin deri në ato përmasa sa mos ta njohësh vetveten e të fillosh t’i ngjash të posazbriturit nga malet.
Ankesat dydekadëshe të shqiptarëve të Maqedonisë tregojnë të vërtetën e dhembshme se politikanët e këtushëm maqedonas kanë një përparësi të madhe përballë kolegëve të tyre shqiptarë: nuk janë injorantë dhe dyfytyrësh sa këta të dytët. Dhe duke mos qenë të tillë, politikanët maqedonas u qëndrojnë besnikë qëndrimeve të tyre dhe veprojnë që të arrijnë cakun e dëshiruar. Andaj, ata në fytyrë ua thonë shqiptarëve se Marrëveshja e Ohrit është projekt i shtrenjtë që do të realizohet vetëm kur Maqedonia do arrijë standardin e 8000 eurove për kokë njeriu, e në ndërkohë, qeveritarët shqiptarë, le që harrojnë kush më së forti e ka kundërshtuar realizimin e kësaj Marrëveshjeje, por të njëjtin e ndihmuan të bëhet president i shtetit. Pra, përderisa presidenti aktual i Maqedonisë pranon se qëndrimi i tij si profesor ndryshon nga ai i politikanit, pra hapur dhe pa u hamendur thotë se po të mos ishte president, do të mbronte qëndrimin e kamotshëm kundër kësaj Marrëveshjeje, përfaqësuesit e BDI-së në pushtet, me plotë optimizëm flasin për sukseset e arritura dhe për lumturinë që na pret kur të bëhet Maqedonia vend me 8000 euro të ardhura vjetore për frymë njeriu. E në ndërkohë, i shpallin injorantë e të paditur shqiptarët që thonë se më e pandershme se të jesh vasal është të mos jesh i vetëdijshëm për pozitën në të cilën je, e të mos bësh asgjë që të dalësh nga ajo pozitë poshtëruese.
Dhe përderisa është kështu, përderisa populli ankohet se keq është, e përfaqësuesit e tij në pushtet thonë se kurrë nuk ka qenë më mirë, njeriu nuk di çka të thotë dhe si ta vlerësojë këtë situatë absurde, përpos të përballet me dilemën se o bëhet fjalë për popull që nuk e njeh të mirën e vet, o për politikanë shpirtprishur. Ku ta dish, mbase nuk bëhet fjalë as për njërën, as për tjetrën, por për mungesën e guximit kolektiv për t’u përballur me fytyrën e së vërtetës lakuriqe. Guxim i cili të mundëson të shohësh se asgjë nuk arrihet nëpërmjet konstatimeve, se asgjë nuk mund të arrijë një popull që ka udhëheqës, të cilët me politikë merren shkaku i vetvetes, e jo i të tjerëve. Andaj, ankesat dydekadëshe të shqiptarëve të Maqedonisë tregojnë shpirtngushtësinë etnike të elitave maqedonase, por edhe injorancën e elitave të shqiptarëve të këtushëm, injorancë e cila nuk u lejon atyre të kuptojnë se të sundosh me një shtet nuk është si të merresh me rregullimin e një kooperative bujqësore, apo si të jesh kryeplaku i një fshati.