Policia pengon aktivitetet e Komunës së Gostivarit
Komuna e Gostivarit, në vazhdën e aktiviteteve për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit, të shtunën filloi me sanimin e pjesëve të dëmtuara të trotuarit në rrugën “Vëllezërit Gjinoski” përballë ish ndërtesës së “Stopanska Banka”.
Mirëpo, shërbimi për informim i kësaj komune bën të ditur se policia e Gostivarit po pengon punën dhe aktivetet e tyre, duke u orvatur me qëllim që të shkaktoj incidente.“Me arsyetim banal se nuk është kërkuar asistencë nga policia 5 ditë para fillimit të punëve, komandanti i shkarkuar i Stacionit të policisë në Gostivar Shuvaip Dalipi, urdhëroi policët e vet që të bllokojnë punën madje edhe duke u kanosur me arrestim të realizuesve të punëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gostivarit.
Komuna e Gostivarit thotë se konstatimet e pabaza të policisë lokale nga Gostivari, hidhen poshtë edhe nga Jetmir Aliu, udhëheqës i Shërbimit të komunikacionit pranë Komunës, i cili konform ligjit, në kohë ka informuar policinë për punët ndërtimore që do të realizojë Komuna, e me të cilat punë nuk bllokohet dhe nuk ndryshohet regjimi i komunikacionit.
Kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani me bashkëpunëtorët e tij, doli në vendngjarje për të penguar situatën e tensionuar si pasojë e kryeneçësisë së policisë dhe revoltit të qytetarëve.
“Kjo bllokadë bëhet me urdhër të komandantit të shkarkuar Shuvaip Dalipi dhe mentorit të tij Nevzat Bejta. Është ky një rast pa precedencë, kur dihet se kur ndërtohej objekti përballë, kjo rrugë u mbajt e bllokuar për dy vite me radhë”, deklaroi për mediat kryetari Osmani.
Ai i bëri thirrje personit të papërgjegjshëm Shuvaip Dalipi, të cilin Këshilli komunës së Gostivarit e ka shkarkuar nga detyra, si dhe mentorin e tij humbës në zgjedhjet e fundit lokale, që ta lënë rehat Komunën e Gostivarit për të realizuar punët e veta investive sepse: “Në të kundërtën do të detyrohemi që duke filluar nga e hëna, kamionët dhe maunat e NP “Komunalec” dhe firmave që duhet të realizojnë projektet, ta bllokojnë rrugën para policisë dhe me këtë të dërgojmë mesazh se policia nuk mund të vihet mbi ligjin”.
Për rastin në fjalë, pas të cilit fshihen skenarët e errët, Komuna e Gostivarit njoftoi instancat më të larta qeveritare si dhe faktorët relevant ndërkombëtarë, ambasadën amerikane, OSBE-në dhe BE-në.