Korrupsioni vlon në gjyqësi, doganë dhe administratë
Korrupsioni edhe më tej është një shqetësim që ka përfshirë institucionet në Maqedoni. Tërheqja e vërejtjes për praninë e vazhdueshme të kësaj dukurie është bërë drejtpërdrejt edhe nga Komisioni Shtetëror Antikorrupsion (KSHA).
“Pas shqyrtimit të analizave tona, korrupsioni më shumë është i pranishëm në gjyqësi, dogana dhe administratë, mirëpo ai është i pranishëm edhe në të gjitha fushat dhe kjo është shqetësuese”, ka theksuar kryetari i KSHA-së, Ilmi Selami, gjatë konferencës së organizuar në Shkup, për programin shtetërore për preventivë dhe represion të korrupsionit.
Selami ka bërë thirrje për hapjen e frontit të gjerë në luftën kundër korrupsionit, që ajo të jetë e suksesshme.
Edhe organizata Transparenca – korrupsioni zero ka theksuar se në Maqedoni ende nuk po zbatohen në mënyrë të plotë aktivitetet për luftën kundër korrupsionit. “I shohim problemet e njëjta, që nga ajo periudhë kur filloi të funksionojë Komisioni Antikorrupsion”, ka theksuar Sllagjana Taseva nga Transparenca- korrupsioni zero.
Edhe përkundër këtyre vlerësimeve negative dhe paralajmëruese, Ministria e Drejtësisë ka theksuar se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e institucioneve për luftimin e kësaj dukurie. Maqedonia radhitet ndër vendet me nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet shtetërore, duke potencuar gjyqësorin si një nga shtyllat më të korruptuara. (INA)