Për (mos)unitetin politik shqiptar
Ide fisnike, por jokredibile, ndaj së cilës nuk bënë dot të heshtet! Këto ditë patëm rastin ta lexojmë një artikull të deputetes Ermira Mehmeti, esenca e së cilës ishte sa fisnike aq edhe e dëmshme, besa fillim e mbarim ishte e dëmshme. Tek sa po e lexoja artikullin e kësaj deputeteje, në këtë rast të kësaj publicisteje të nderuar, m’u kujtua përralla “Shtatë thuprat” të shkrimtarit dhe poetit Anton Çeta, në brendësinë e së cilës plasohet një qëllim, motiv dhe shembull shumë fisnik për të gjithë ne dhe për të gjitha kohërat, kur babai për t’ia bërë me dije shtatë djemve të tij se kështu të përçarë e të ndarë i ngjani shkopit, i cili kur është vetëm shumë lehtë mund ta thyejë çdokush, ndërsa kur të bashkohen këta shtatë shkopinj, është vështirë që dikush të paktën ta provojë që t’i thyejë, duke aluduar kështu në shtatë vëllezërit e bashkuar. Kësisoj, këtë shkrim e fillova, duke marrë parasysh të kaluarën e zonjës Ermira Mehmeti, si udhëheqëse e dikurshme e një emisioni të shkëlqyer për fëmijë. Besoj që të paktën në përgatitjen e atij emisioni ka pasur rast ta lexojë në tërësi përrallën “Shtatë thuprat” në mos diku tjetër!
Ndonjë herë ne na vjen shumë e shijshme buka e furrës, qoftë edhe nëse nuk e dimë se kush e ka përgatitur atë, mund të jetë e përgatitur edhe prej ndonjë bukëpjekësi, i cili me ditë të tëra të ketë harruar larjen e përparëses dhe pastrimin e duarve. Thirrjen për unitet të faktorit politik shqiptar, në bazë të artikullit “Për unitetin politik shqiptar”, shohim se zonja në fjalë është marrë më tepër me ofertuesin, se sa me cilësinë dhe efektin e produktit. Madje, për hir të historisë së zymtë ndërmjet partive politike shqiptare, si dhe për fajet dhe dëmet e shumta që partia tjetër ia bëri BDI-së, në vend të flakjes së këtyre inateve politike brenda shqiptare, qenka mirë që njëherë ofertuesit të pastrohen prej mëkateve, pra të deklarohen dhe dënohen haptas për përgjegjësit që i kanë para popullit, e tek pastaj të mendohet në jetësimin e ndonjë ideje të tillë fisnike, por jo edhe besnike. Nëse është ashtu siç pohon zonja e nderuar, atëherë përgjegjësi duhet kërkuar prej gjitha partive politike shqiptare, të cilat e privuan qytetarin shqiptar drejt një jete të dinjitetshme dhe reale. Për hir të asaj se populli nuk ka dëshirë që në vazhdimësi të merret me vajtimin dhe mallkimin e shkaqeve, por në vend të kësaj populli shqiptar është fort i interesuar që të besuarit e tyre, dhe vetë ata të fillojnë të merren me eliminimin e pasojave, pra shndërrimin e shkretëtirës në lulëzim, këtë dëshirë të këtij populli të shumëvuajtur, si duket, dikush për hir të inateve të tyre ditore e banale, paskan vendosur që deri në fund ta rrënojnë, edhe atë, pikërisht ata që janë zgjedhur për të ndërtuar e jetësuar mirëqenien e po kësaj shoqërie.
Nëse për hir të së kaluarës së zymtë mes partive politike shqiptare, qenka i pamundur bashkimi dhe bashkëveprimi i tyre si një tërësi, atëherë po na del një e kaluar shumë e pastër ndërmjet partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase, sepse partitë politike shqiptare dhe maqedonase po të kishin acarime, mosmarrëveshje dhe tradhti ndërmjet vetes, atëherë as në të kaluarën e as sot e mot nuk do të funksiononte si duhet koalicioni ndërmjet këtyre partive. Megjithatë, po funksionon partneriteti me partitë maqedonase në mënyrë të shkëlqyer, thuajse këta shqiptarëve nuk u paskan bërë asgjë të keqe, besa as vetë partive shqiptare, por habitem se si zonjusha në fjalë kaq shpejt harroi se në vitin 2006, po kjo partnere e shpërfilli vullnetin e votuesve shqiptarë, po nga ministria e kësaj partnereje u realizua aksioni i suksesshëm në Vaksincë, Brodec dhe Radushë me shumë shqiptarë të vrarë, të plagosur dhe të prangosur. Në mos më shumë, nëse pra për hir të së kaluarës së zymtë dhe dashakeqe me partitë tjera shqiptare nuk e keni ndërmend të pajtoheni, atëherë partnerja juaj ju duket serioze dhe e sinqertë pas atyre katastrofave që i shkaktoi në familjet dhe në opinionin shqiptar, i harruar sulmet e llahtarshme kundër shqiptarëve, e harruat eksodin e tmerrshëm në Komunën e Likovës, pasoi kjo, jo e agjencive turistike, por e partive aventuriste. Është mirë të lexoni edhe literaturë ndërkombëtare, madje veç e keni lexuar armiqësinë historike ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, ndërmjet Japonisë dhe Amerikës, ndërmjet Kinës dhe Japonisë etj., tanimë pikërisht po këto shtet dhe shumë shtete tjera për hir të interesave politike dhe ekonomike, pas një të kaluar tejet të zymtë, prapë filluan bashkëpunim e tyre, ndërsa kur armiqësinë tuaj e krahasojmë (edhe pse është banalitet të bëjmë krahasime të këtilla) me vëllezërit tuaj të partisë tjetër, atëherë nuk mund të aludojmë gjë tjetër pos “dëshirës” suaj që sa më shumë të mbahet peng populli shqiptar i këtushëm, edhe atë për asgjë tjetër, pos për hir të interesave tuaja ditore dhe karrieriste. Mendoj se keni lexuar diçka edhe prej historisë sonë shqiptare, që pasojat e mendësive të tilla primitive dhe të trashëguara na sollën në këtë gjendje të sotme, ku arbëreshët edhe pse ishin pasardhës të ilirëve, ata nuk deshën ta kenë vetëm një Arbëri të përbashkët, por deshën shumë principata arbërore, pastaj shumë shqiptarë partizanë dhe shqiptarë ballistë-zogistë që luftuan kundër njëri-tjetrit, mandej konfliktet ideologjike mes Skënderbeut e Hamzë Kastriotit, Moisi Golemit e Lekë Dukagjinit, Ali Pashë Tepelenës e Hoxhollët e Tepelenës, Abdyl Frashërit e Iljaz Pashë Dibrës, Ismail Qemalit e Esat Pashë Toptanit, Fan Nolit e Ahmet Zogut, Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, Sali Berishës e Fatos Nanos, Ibrahim Rugovës e Hashim Thaçit, Ali Ahmetit e Arbër Xhaferit, Ramush Haradinajt e Hashim Thaçit etj., përçarje këto që më së shumti i pagoi populli civil shqiptar, viktimë e të cilëve ishte vetë atdheu ynë, sllavët dhe armiqtë tjerë si askush tjetër fituan marramendësish prej kësaj situate dhe mendësie të çuditshme shqiptare, pra krejt kjo si rrjedhojë e mungesës së kompromisit shqiptaro-shqiptar, dhe lëshimit skajshmërisht pe kur ishte dhe është fjala për palën tjetër jo shqiptare.
Kësisoj në kronologjinë historike të lartcekur, gjithsesi historia do t’ju evitojë dhe rendisë edhe juve, si rrënues të këtij muri të ndërtuar dikur edhe prej vetë jush, dhe prej atyre që sot quhen dëshmorë.