image
Kryeministri Gruevski sot edhe njëherë ka refuzuar të përgjigjet se po diskutohen ose jo tre kërkesat e Ali Ahmetit për mbylljen me urgjencë të rasteve të Hagës, lirimin e sopotasve  dhe zgjidhjen e statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së. Gruevski konfirmoi se ai dhe VMRO-DPMNE mbajnë takime të rregullta me partnerin e koalicionit, BDI-në duke mos shpalosur se për çfarë bisedohet.
“Unë me Ali Ahmetin takohem shumë shpesh, janë këto takime të rregullta. Funksionarë tanë partiakë gjithashtu mbajnë takime të rregullta ku diskutohen çështje të shumta, për të gjitha gjërat që duan njëra ose pala tjetër të diskutojnë”, tha Nikolla Gruevski.
Këto tre pika mes të tjerash kanë qenë edhe temë debati gjatë mbledhjes së para dy jave të kryesisë qendrore të BDI-së, ku është kërkuar një rrugë për dalje nga situata e krijuar. Edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit të fundit që kishte me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Filip Gordon tha se këto çështje kërkojnë zgjidhje të shpejtë.
“Cështje që kanë të bëjnë me gjyqet, siç është  rasti i Sopotit, rastet e Hagës dhe zgjidhja e statusit të invalidëve dhe të familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftës së vitit 2001. Do të thotë si probleme që ne na preokupojnë brenda dhe që kërkojnë zgjidhje për relaksim sa më të mirë të marrëdhënieve ndëretnike”, pati deklaruar para dy javesh kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti edhe në takimin e fundit që kishte me ambasadorët e Greqisë dhe Spanjës ka ngritur shqetësimin lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërnetike. Në këtë takim sipas një njoftimi të BDI-së Ahmeti dhe diplomatët José Manuel Agueras dhe Aleksandra Papadopulo kanë konstatuar se “implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit paraqet alternativën e vetme për jetësimin dhe ngritjen e vlerave shoqërore multi-etnike në vend”. Sipas tyre, “Tendencat për zhvlerësimin e këtyre vlerave janë të papranueshme ndërsa implementimi i plotë i tyre forcon konceptin e shoqërisë qytetare duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e gjithë qytetarëve të Maqedonisë”.