Incidentet në Maqedoni, duhet të merren seriozisht
Incidentet e fundit në Maqedoni, sado të vogla të jenë, duhet të merren seriozisht nga autoritetet e atjeshme, për shkak se do të mund të shndërroheshin në një problem serioz i cili do ta destabilizonte tërë rajonin. Këtë për ALSAT-M e deklaroi ish diplomati amerikan, James Hooper. Ai tha se Uashingtoni zyrtar si dhe shtete të tjera të Evropës, janë duke ndjekur me kujdes zhvillimet në Maqedoni.
“Në Uashington dhe në kryeqytetet evropiane ekziston një përkushtim i madh për çështjen e Maqedonisë për shkak se çdo incident qoftë edhe më i vogëli, mund të kalonte në një problem, i cili mund të çojë në destabilizimin e rajonit. Për këtë arsye të gjithë i kanë ndjekin incidentet qoftë edhe më të voglat, për të mësuar shkakun e krijimit të tyre, dhe për të parë nëse ka ndonjë implikim politik ose është vetëm një incident i vogël pa prapavijë politike”, deklaroi Hooper.
Ish diplomati amerikan, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të shfrytëzojnë mundësitë e tyre legale për të arritur deri të realizimi i kërkesave të tyre dhe të lënë format tjera të cilat vetëm mund të rrezikojnë sigurinë në vend.
“Dihet se shqiptarët e Maqedonisë kanë një numër të madh kërkesash dhe çështjesh që duhet ti zgjidhin. Unë konsideroj se ndryshimet kushtetuese të cilat janë bërë në Maqedoni, u kanë ofruar mundësi shqiptarëve një rrugë e cila do ti adresonte kërkesat e tyre në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për këto kërkesa. Do të ishte shumë më mirë që këto kërkesa të kenë një zgjidhje politike, legale, se sa përmes dhunës”, theksoi James Hooper, ish diplomat amerikan.
Hooper, ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë që të bashkëpunojë më shumë me palën shqiptare, duke përfshirë këtu edhe autoritetet kosovare, në mënyrë që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje për të mirën dhe stabilitetin e rajonit.