Shaban Zenuni dhe Sahit Rushiti janë tashmë dy të akuzuarit që kanë ndërruar jetë, të cilët janë përfshirë në akuzën për rastin e maltretimit të punëtorëve maqedonas të ndërmarrjes ndërtuese Mavrova, gjatë konfliktit të vitit 2001, një vepër e ngritur nga autoritetet maqedonase, e cila nuk u procedua nga Tribunali i Hagës dhe i`u kthye autoriteteve gjyqësore në Maqedoni.

Shaban Zenuni nga fshati Merovë i komunës së Zhelinës së Tetovës është një nga të akuzuarit, i cili u vra në aksionin policor dy javë më parë në fshatin Radushë.

I akuzuari i dytë Sahit Rushiti dje u gjet i varur në qelinë e tij në burgun e Idrizovës, ku ai po vuante një dënim që nga viti 2004, i akuzuar për vrasje.Në rastin e vrasjes së Shaban Zenunit, ish-pjesëtarë i UÇK-së i cili u vra së bashku me tre persona të tjerë në aksionin policor në afërsi të Radushës, shoqatat joqeveritare dhe partitë politike kanë kërkuar ekspertizë ndërkombëtare për ndriçimin e vrasjes, pas shumë dyshimeve, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një incident të montuar në afërsi të Radushës nga ana e MPB-së.

Dyshime janë shprehur edhe në rastin e Sahit Rushitit, i cili në rrethana të pasqaruara u gjet i varur në qelinë e tij në burgun e Idrizovës.

Për rastin e maltretimit të punëtorëve maqedonas të Mavrovës, që pretendohet se ka ndodhur në afërsi të Tetovës gjatë konfliktit të vitit 2001, akuzohen 22 ish-pjesëtarë të UÇK-së, ndër të cilët edhe deputeti i BDI-së, Hisen Xhemaili, të cilit i është hequr imuniteti i deputetit.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë apeluar mbylljen e këtij procesi gjyqësor, në mungesë të provave dhe fakteve të shpalosura, duke e quajtur veprën si një montim politik nga ish-strukturat qeveritare të vitit 2001.

Edhe partitë politike kanë kërkuar ndërprerjen dhe mosprocesuimin e rasteve të kthyera nga Tribunali i Hagës, të cilat kryesisht ngarkojnë sit ë akuzuar ish-pjestarët dhe krerët e UÇK-së.

Katër lëndë gjyqësore u kthyen nga Tribunali i Hagës në mungesë provash dhe të cilat janë: maltretimi i punëtorëve maqedonas të Mavrovës, ndërprerja e ujit nga Liqeni artificial i Likovës për Kumanovën, akuza kundër ish-krerëve të UÇK-së me në krye Ali Ahmetin si dhe zhdukja e civilëve maqedonas.

Më 2 qershor do të mbahet seanca e radhës gjyqësore për rastin e Mavrovës. Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ndër tre kërkesat e tij të fundit ka kërkuar edhe ndërprerjen e gjykimit të këtyre rasteve të kthyera nga Tribunali i Hagës. (M.Mellova/INA)