Brukseli kërcënohet se do të rikthejë vizat për Serbinë dhe Maqedoninë, në rast se nuk hartojnë strategji konkrete për zvogëlimin e flukseve të azilkërkuesve drejt vendeve të BE-së.

Lajmi bëhet i ditur nga media serbe, të cilët bëjnë të ditur se BE-ja i ka bërë me dije Qeverive në Shkup dhe Beograd për valën e vazhdueshme të qytetarëve nga këto dy vende, të cilët kërkojnë statusin e azilit nëpër vendet evroperëndimore.

Brukseli zyrtar bëri me dije se janë shtuar shqetësimet për rritjen e numrit të azilkërkuesve të rrejshëm nga periudha e muajit shtator të vitit të kaluar. Nga fillimi i vitit 2010 rreth 8 mijë qytetarë nga Serbia kanë kërkuar azil në Suedi, Gjermani dhe Belgjikë. Numri më i madh i tyre janë pjesëtarë të komunitetit rom, por edhe shqiptarë nga Lugina e Preshevës.