Dy deputetë të Lëvizjes “Vetëvendosje” që fituan mandatin në krah të kësaj të fundit, ende pa hyrë në Parlament, kanë vendosur t’ia kthejnë shpinën Albin Kurtit.

Në fakt, janë dy kandidatët nga Lëvizja për Bashkim që garoi në koalicion parazgjedhor me “Vetëvendosjen”. Për më tepër, Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli mund të jenë edhe në qeverinë e ardhshme Thaçi.

Largimin nga Lëvizja “Vetëvendosje” e ka konfirmuar për “Epokën e Re” kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku.

“Po, është e vërtetë që dy kandidatët e Lëvizjes për Bashkim, nuk do të jenë përfaqësues të Vetëvendosjes në Kuvend”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se marrëveshja me Vetëvendosjen ka qenë vetëm parazgjedhore. Ai po ashtu ka konfirmuar bisedimet me PDK-në për qeverinë e ardhshme.