Partia më e madhe opozitare Lidhja Social Demokrate (LSDM) braktisi sot Parlamentin për një afat të pacaktuar duke drejtuar akuza ndaj maxhorancës.

Lideri i forcës më të madhe opozitare në Maqedoni, Branko Cërvenkovski theksoi se nuk ka për qëllim të marrë pjesë në punimet e Parlamentit për ti dhënë legjitimitet kësaj qeverisje.

Ai theksoi se bojkotimi i Parlamentit po bëhet pas ngjarjeve të fundit me televizionin A1, ku gjykata vendosi ngrirjen e llogarive bankare të këtij televizioni dhe të gazetave që janë pronësi të biznesmenit Velija Ramkovski, i arrestuar në operacionin “Rrjeta”, që dyshohet për fshehje tatimesh dhe dëme të buxhetit shtetëror.

“LSDM nuk ka për qëllim që ti jap legjitimitet kësaj qeverisje jodemokratike dhe jopopullore. Prej sot nuk do të marrim pjesë në punën e Parlamentit”, theksoi Cërvenkovski.

Ai shtoi se partia që drejton ai do të shkojë në anën tjetër, e cila sipas tij, do të jetë rruga e vërtetë dhe e fitores me popullin.

Cërvenkovski shtoi se në këtë shtet mbretëron regjim jodemokratik, autoritar dhe jopopullor.

“Qëllimi i tyre është ndarjet dhe konfliktet e vazhdueshme me konfrontime të ndërsjellta, tensione dhe përleshje në shoqërinë maqedonase. Ata ndanë dhe konfrontuan mediat me mediat, gazetarët me gazetarët, administratorët me duhanprodhuesit, pacientët me mjekët, studentët me profesorët”, theksoi Cërvenkovski.