Fyle: Vrasja e njerëzve ju largon nga BE-ja
Komisioneri i BE, letër Berishës: Puno për të zgjidhur krizën. Njerëzit u vranë jashtë dyerve të kryeministrisë
Situata e tensionuar në Shqipëri është bërë dje objekt debati edhe në Parlamentin Europian. Eurodeputeti socialdemokrat rumun, Viktor Bostinaru, ka pyetur dje komisionerin Stefan Fyle mbi situatën aktuale në vend dhe se çfarë duhej bërë për të shmangur një situatë edhe më shpërthyese.
Fillimisht Stefan Fyle është përgjigjur duke dhënë një këshillë për liderët politikë në vend. “Unë shpresoj që udhëheqësit e të dy krahëve do të kuptonin pasojat, nëse ata do të vazhdojnë të sillen rreth kësaj orbite. Ata duhet ta kishin kuptuar se ajo që po ndodh tani shkon në të vërtetë në kurriz të Shqipërisë dhe në kurriz të interesave të shqiptarëve”, – tha Fyle.
Ai shpjegoi se disa ditë para demonstratës i kishte dërguar një letër qeverisë shqiptare për reformat, ngërçin politik dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale. Madje, Fyle tha se këtë letër do ta ofronte ai vetë në ndihmë të një pale negociatash, si ato që u zhvilluan vjet tek hotel “Krokodili” në Strasburg.
Fyle vuri theksin se njerëzit u vranë jashtë dyerve të kryeministrisë, pra në një territor ku garda nuk kishte të drejtë që të ndërhynte.
“Ne patëm nisur një letër disa ditë para kësaj demonstrate, ku për fat të keq njerëzit u vranë jashtë dyerve. Këtë letër ia drejtuam qeverisë dhe aty ngrinim çështjet që qëndrojnë që prej raportit të fundit të progresit mbi zgjerimin, duke theksuar se duhen bërë të gjitha përpjekjet për adresimin e sfidave përpara zgjedhjeve lokale të majit, një palë tjetër zgjedhjesh, këto që po afrohen.
Dhe pika e tretë ishte ritheksimi se pa zgjidhje reale të ngërçit politik do të ishte shumë e vështirë që të arrihej ndonjë farë progresi, për sa i takon perspektivës europiane. Por, çfarë është më e rëndë akoma, është se e gjithë kjo po sjell pasoja për jetën e njerëzve në Shqipëri”, – pohoi Fyle.
“E madje, unë shkova dhe përtej linjës sime tradicionale, kur në letër iu referova darkës së famshme te “Krokodili” vitin e kaluar dhe theksova, se ne jemi në kontakt me të dy liderët e shquar të familjeve kryesore politike në Parlamentin Europian dhe ofrojmë gatishmërinë tonë të vazhdueshme për të ndihmuar, në rast se të dy liderët shqiptarë do të dëshironin sërish angazhimin tonë, e nëse ata vetë nuk do të ishin të aftë të kapërcenin pjesën e fundit të rrugës në kërkimin e një zgjidhjeje politike”, – theksoi ai.
Fyle i dha kompetencë të plotë Lajçak që të negociojë me palën shqiptare dhe nga ana tjetër i kërkoi qeverisë që të mos harrojë planin me 12 pika ose në rast të kundër të harrojë integrimin.