image

Ismail SINANI

 Nëse një shoqëri mbështet individin, e jo idenë, ajo do të thotë se gjendet shumë pranë diktaturës. Është kështu ngase individi mund edhe të dështojë, kurse ideja mbetet apo të paktën duhet të mbesë gjallë.

 Për ta zbërthyer atë që e kam ndërmend, fillimisht më duhet të jap një shpjegim se ç’është ideja, çfarë nënkupton ajo?!  “Ide është koncept që pasqyron në ndërgjegjen e njeriut një send, një dukuri, një marrëdhënie a një tipar të përgjithshëm të botës materiale, objektive dhe që përbën një shkallë të veçantë në procesin e njohjes së realitetit”. Këtë definicion, lexues i nderuar, nuk e kam shpikur unë, por e kam kopjuar nga fjalori i gjuhës së sotme shqipe.

  

Politikanët, thuajse pa përjashtim, nuk e kuptojnë fare këtë definicion. Prandaj, shpesh hidhërohen me ata që nuk mendojnë sikurse ata. Në fakt, ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se nuk është faji tek ata që nuk i mbështesin, por te vetvetja e tyre ngase kanë devijuar nga ideja, ose nga qëllimi.  

Megjithatë, për politikanët tanë (e kam fjalët për shqiptarët, edhe pse nuk janë të paktë ata që në zemër kanë Cërvenkovskin), duhet ta dimë se cila është ideja e tyre?! Çfarë dëshirojnë të bëjnë me ne?! Dëshirojnë të na integrojnë me maqedonasit?! Dëshirojnë të na bëjnë të varur?! Dëshirojnë që edhe në 20 vitet e ardhshme të jemi vasalë, të dikujt që vjen e vendoset nga Vallandova e Probishtipi këtu në Shkup?! Dëshirojnë të na bëjnë shërbëtorë të atyre që për herë të parë Shkupin e kanë parë kur kanë ardhur të regjistrohen në fakultet?! Dëshirojnë që edhe një herë të në përsëritet e kaluara?!  

Apo dëshirojnë që ne përnjëmend të fillojmë të esëllohemi dhe të shohim se çfarë po ndodh?! Të shohim nëse Maqedonia, është nisur drejt Rusisë, apo drejt Serbisë?! Të shohim nëse ky vend, ka ndonjë të ardhme të ndritur politike?! Të shohim se drejtuesit e këtij shteti, përfundimisht janë maqedonasit, dhe se shqiptarët janë vetëm kukulla?! Të shohim se maqedonasit kanë ndërmend të ndërtojnë shtet, apo dëshirojnë të fitojnë kohë për projekte tjera?!  

Pra kjo është ideja, dhe politikanët shqiptarët duhet t’i zbardhin këto gjëra e të dalin para popullit për të thënë të vërtetën. Nëse nuk e bëjnë këtë, do të gjykohen nga historia, kurse nipërit e tyre, nuk do të mbahen mend si nipat e Isa Boletinit, por si nipat e Esat Pashë Toptanit.  

Nëse nuk dëshirojnë të mbeten të tillë, atëherë duhet të tregohen të gjithë më të kujdesshëm. Edhe Ali Ahmeti, i cili kërkon integrim të vazhdueshëm të shqiptarëve në “atdheun” e tij! Edhe Menduh Thaçi, i cili hiç më tepër se para tre vjetësh kur ishte në pushtet, në forumet e VMRO DPMNE-së përshëndetej me ovacione dhe tituj të çoroditur ushtarak pan-sllav. Edhe Imer Selmani, duhet të përcaktohet nëse është me arushën apo me njeriun. Madje kryetari i DR-së, një herë e përgjithmonë, duhet të pastrojë punët me identitetin e tij, e kam fjalën politik, sepse nuk më takon mua të merrem me identitetin e tij kombëtar, pra duhet të tregojë nëse lufton për të drejtat e shqiptarëve, apo maqedonasve… Por, këto dilema duhet t’i pastrojë edhe Rufi Osmani, i cili ende pa themeluar partinë, ka filluar t’i vardiset Nikolla Gruevskit, duke e mbrojtur çështjen e emrit, më shumë se sa vetë maqedonasit dhe duke i lavdëruar politikat ekonomike të kryeministrit si projekte të qëlluara!!!  

Nëse këta zotërinj, vazhdojnë me këtë avaz, pavarësisht se sot mund të kënaqen me rezultatet e sondazheve politike, të cilat tregojnë se kanë një besueshmëri prej 9, 3 apo 2 për qind, do të vijë dita që do të ballafaqohen me një ngërç politik, i cili do t’u kushtojë të gjithëve. Vetëkënaqësi nga veprimet politike të politikanëve shqiptarë, mos të harrojmë se kishte edhe në fund të viteve të nëntëdhjeta. Nëse nuk gaboj edhe atëherë njëra parti numëronte 13-14 deputetë, kurse tjetra 11 apo 12-të, pak ka rëndësi ky fakt! Edhe atëherë dikush thoshte se proceset politike janë duke shkuar mbarë, mirëpo edhe atë botë si gjëra të këqija që kishin goditur popullin, dikush i numëronte Bit Pazarin, Ladorishtin, Reçicën dhe Gostivarin. Edhe atëherë kishte një kryeministër “reformator”, i cili nuk ua varte veshin këtyre tragjedive… 10 vjet pas, nëse fillojmë t’i numërojmë incidentet e ngjashme me ato të viteve të nëntëdhjeta, do të shohim se ndoshta lista del edhe më e gjatë. Për shembull, Sopoti, Brodeci, vrasjet në Çair, vrasjet në Tetovë, vrasja në Strugë… Dhe mos të harrojmë se në mesin e të vrarëve, përpos banditëve, kishte edhe burra që ua ka lakmi i gjithë populli. Edhe tani, sikurse atëherë, pra në vitet e nëntëdhjeta, kemi një kryeministër “reformator” madje më i madh se sa ai i viteve të nëntëdhjeta! Edhe tani, sikurse atëherë, maqedonasit ruajnë kursin e vet politik në qetësi… Nuk dua të jem pesimist, por vetëm po dëshiroj ta laj mëkatin tim, që nesër mos të më brejë ndërgjegjja se pse nuk e thash atë që e mendova? Shëndet! P.S.  

Të gjithë ata që mendojnë se nuk e kam me vend e që në vete thonë se shqiptarët me të madhe janë punësuar në polici e ushtri, le t’i hapin sytë pak më shumë dhe të shohin se sa mjete janë ndarë këtë vit për kulturën shqiptare, sa mjete janë dhënë për filmin shqiptar, sa mjete kanë marrë bujqit shqiptar nga fondet qeveritare, sa metra ujësjellës janë ndërtuar në viset shqiptare e sa në ato maqedonase, sa bursa janë ndarë për studime jashtë vendit për shqiptarët e sa për maqedonasit, sa para janë ndarë për meremetimin e shollave shqiptare sa për ato maqedonase, sa para ndahen për USHT-në e sa për universitetet maqedonase… po e mbylli me kaq pa i numëruar 12 postet e rëndësishme të këtij vendi!