Artistët shqiptarë koncert për shenjtërimin e Nënë Terezës-Video
U zhvillua në Bazilikën e Shën Palit në Vatikan koncerti në nderim të shenjtërimit të humanistes shqiptare Nënë Tereza.
Yjet e kombit shqiptar Rita Ora, Inva Mula, Ermonela Joho dhe Shkëlzen Doli kanë performuar në nderim të Nënë Terezës.
Rita Ora dhe legjenda e futbollit shqiptar Lorik Cana në fjalën e tyre u shprehën se koncerti është një fjalim dashurie me muzikë që mund të përmblidhet me fjalët ‘Bota mund të shpëtohet vetëm me dashuri”.
“Ne bijtë e gjakut dhe shpirtëror jemi këtu për ta nderur veprën e saj në dobi të të varfërve, që bashkoi njerëzimin me fuqinë e besimit. Këtë e dëshmon edhe koncerti dhe prania juaj.
Në koncert u dëgjua edhe himni i Nënë Terezës “Valsi Hyjnor” me muzikë të Lorenc Antonit e me vargjet e poezisë “Lamtumirë” të shkruar nga Nënë Tereza gjatë udhëtimit të saj nga Irlanda në Kalkutë.
Himni u këndua nga soprano Inva Mula e shoqëruar nga Filarmonia dhe kori i Kosovës me orkestrant nga Shqipëria e Maqedonia.
Ndërkohë, në koncert ishin të pranishëm edhe krerët e lartë të shtetit shqiptarë, përkatësisht Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, etj.