Xhelal Neziri:NEVOJA PËR NJË SHTET FUNKSIONAL
Nuk është hera e parë që Maqedonia është në krizë të thellë politike. Krizat e kanë ndjekur këtë shtet të vogël dymilionësh që nga pavarësimi nga ish-Jugosllavia më 1992 dhe që nga instalimi i një sistemi pseudo-demokratik. Pikërisht ky sistem i vendosur keq prodhon kriza që një herë shfaqen si politike, që më pastaj të kalojnë në ndëretnike. Burimi i krizave në fakt është ajo që quhet rotacion demokratik i pushtetit. Sistemi pseudo-demokratik favorizon dhe nxit partitë që e fitojnë pushtetin të bëjnë plane afatgjata për ushtrimin e po atij pushteti. Me këtë ky sistem i transformon partitë nga demokratike në autokratike, me atë që nëse tolerohet të zgjasë më shumë një proces i këtillë, atëherë rezultati final do të ishte vrasja e demokracisë dhe instalimi i diktaturës.
Zgjidhja e krizës
Nëse kthehemi në historinë pluraliste të Maqedonisë, do të vërejmë një krizë konstante kur është bërë fjalë për ndërrim të strukturave në pushtet. Afër 200 mijë votues fiktivë janë toleruar nga partitë në pushtet, ngase u kanë siguruar një fitore të paqenë me atë që sistemin politik të vendit e kanë shndërruar në pseudo-demokratik. Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) e mori pushtetin në vitin 1992 në një situatë krize të rrezikshme. Pas gjashtë viteve në pushtet, e djathta VMRO-DPMNE erdhi në pushtet pas protestave masive dhe bllokimit të shtetit, duke shkaktuar kështu sërish një krizë të rrezikshme për stabilitetin e vendit. Kjo qeveri mori goditjen fatale në vitin 2001, kur në Maqedoni plasi konflikti i armatosur. Kjo bëri që në zgjedhjet e vitit 2002 sërish në pushtet të kthehet e majta maqedonase. Në vitin 2006, sërish pas një krize institucionale dhe një çarje serioze te LSDM-ja, VMRO-DPMNE erdhi në pushtet me qëllimin që ta demokratizojë vendin dhe ta zhvillojë ekonomikisht. Lideri i kësaj partie dhe kryeministri i deridjeshëm Nikolla Gruevski shihej si politikan reformator, që përfundimisht do ta bëjë Maqedoninë një shtet demokratik e funksional, me ekonomi të zhvilluar dhe të integruar në NATO dhe BE. Në vitin 2011, kur humbi shumicën e votuesve, ai nuk ishte i gatshëm për një rotacion demokratik të pushtetit. Në ato zgjedhje të parakohshme, që i kërkoi opozita, u përdorën të gjitha mjetet jodemokratike për të mbetur në pushtet – që nga mbyllja e mediave, manipulimi i zgjedhjeve e deri te kërcënimi ose shantazhi i biznesmenëve e votuesve. Ishte kjo një shenjë se kjo garniturë politike nuk ka ndërmend ta lëshojë pushtetin dhe ta respektojë vullnetin e qytetarëve, por do të bëjë çmos që të ketë një përkrahje të madhe në opinion, qoftë ajo edhe e rrejshme. Kapja e institucioneve, sektorit privat, mediave dhe partizimi i skajshëm i tyre solli në zbehjen e zërit opozitar dhe një bindje e nënshtrim të qytetarit ndaj këtij sistemi të stërkequr. U arrit që te qytetari i Maqedonisë të instalohet një frikë-respekt ndaj pushtetit, i cili bëri jo të rëndësishme debatet për parimet e demokracisë, qeverisjen e mirë, korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Reagimi i qytetarit ndaj shpërdorimit të pushtetit ishte i vakët ndërkohë që korrupsioni u shndërrua në një mënyrë normale e ushtrimit të po atij pushteti.
Korrupsioni i pushtetit u degëzua horizontalisht dhe vertikalisht, me atë që zgjedhjet u shndërruan një mundësi përfitimi jo vetëm për grupe të ndryshme të interesit, por edhe për votuesin e thjeshtë. Te votuesi u arrit të vritet ideali dhe të instalohet interesi konkret ose korrupsioni, si motiv i pjesëmarrjes në proceset demokratike. Nëse “ata lart” korruptohen, nëse elitat e shoqërisë janë të korruptuara, atëherë ku është logjika që qytetari të qëndrojë imun ndaj korrupsionit.
Rotacioni i pushtetit
Nëse rotacioni i pushtetit gjeneron kriza të vazhdueshme në Maqedoni, atëherë problemi nuk është te ndonjë parti apo individ, por te vetë sistemi. Vendit i nevojitet një skanim kualitativ i sistemit, me qëllim që i njëjti të pastrohet nga barrierat dhe të bëhet funksional, me qëllim që të mos prodhojë kriza, por zhvillim dhe progres për të gjithë qytetarët që jetojnë aty.
Limitimi i mandateve të funksionarëve është një formë e njohur që e kanë vendet zhvilluara, kjo si preventivë nga rrëshqitja e mundshme pushtetarëve demokratë në akullin diktatorial. Edhe Maqedonia ka limit në funksion, por vetëm për presidentin e vendit. Ai ka të drejtë të kandidojë dhe të zgjidhet vetëm dy herë në atë pozicion. Por, funksionet e tjera janë të pakufizuara, duke filluar nga ai i kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrit, sekretarit shtetëror, zv/ministrit, deputetit, kryetarit të komunës, këshilltarit dhe të gjitha funksioneve të tjera të zgjedhura në votime të drejtpërdrejta, nga ana e Parlamentit, Këshillit Komunal ose këshillave të tjera, qofshin të trupave të pavarura ose edhe të funksioneve në gjyqësor. Të pakufizuara janë edhe mandatet e funksioneve brenda partive politike, të cilat burojnë nga zgjedhjet që organizohen në kuadër të këtyre entiteteve të skenës politike.
Një mandat zakonisht nevojitet për të filluar dhe shtyrë përpara projektet e premtuara nga programi, kurse mandati i dytë për përfundimin e tyre. Çdo kohë më tepër se kjo, që do të gjejë një parti ose një funksionar në të njëjtin pozicion, do të thotë rritje e rrezikut për humbje të efikasitetit, për përfitime nga korrupsioni, për partizim të institucionit dhe administratës, për korruptim dhe kontroll të mediave, si dhe për kapje të të gjithë lojtarëve të sferës publike, që marrin pjesë në krijimin e opinionit publik.
Kufizimi në dy mandate i funksionit të kryetarit të partive, duke e bërë këtë kategori ligjore njëjtë siç është detyrimi që një herë në katër vite të mbahet kongres zgjedhor, do të ishte një kontribut shtesë për demokratizimin e vendit. Çarjet e vazhdueshme te partitë politike, veçanërisht ato shqiptare, vijnë si rezultat i kapjes së partisë ose privatizimit të saj nga një ose grup personash, që interesin e tyre personal e klanor e vënë mbi interesin e përgjithshëm, që duhet ta përfaqësojnë dhe mbrojnë.
Ridefinimi i marrëdhënieve
Përveç limitimit të mandateve, vendit i nevojitet edhe mënjanimi i pengesave që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike. Mënjanimi nga Kushtetuta dhe ligjet i përqindjes, që determinon të drejtat kolektive të bashkësive joshumicë, do të evitonte fërkimet nacionaliste rreth regjistrimit të popullsisë si një operacion i thjeshtë statistikor, i nevojshëm për projektimet e zhvillimit ekonomik ose edhe për funksionimin e demokracisë. Manipulimi me zgjedhjet, listat kaotike të votuesve dhe përdorimi i votuesve fiktivë buron nga mungesa e regjistrimit të popullsisë, operacion i cili duhej të realizohej në vitin 2011. Ajo që e bën këtë operacion aq të ndërlikuar është fakti se përdorimi i gjuhës dhe simboleve shqiptare në Maqedoni definohet me frazën “gjuhën/flamurin që e flasin/përdorin mbi 20 apo 50 për qind e popullatës”. Kjo bën që ruajtja ose humbja e këtyre të drejtave varet ekskluzivisht nga rezultatet e regjistrimit. Nëse këto të drejta në bazë të përqindjes në të shumtën e rasteve i gëzon vetëm një bashkësi etnike, atëherë të njëjtat duhet t’i atribuohen pikërisht asaj bashkësie etnike, në rastin konkret shqiptarëve.
Decentralizimi i pushtetit duhet të vazhdojë me atë që do të rezultojë me komuna po ashtu funksionale, që do të kenë ingerenca të plota mbi policinë lokale, arsimin dhe financat. Zhvillimi i barabartë rajonal dhe shpërndarja e drejtë e mjeteve buxhetore duhet të përbëjë shtyllën e bashkëqeverisjes në aspektin etnik dhe politik, e cila do të përforcohej me atë që buxheti i vendit të marrë dritë jeshile edhe nga Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Etnike.
Aspekti kualitativ është elementi i cili nuk mund të rregullohet me asnjë ligj, por që duhet të imponohet nëpërmjet ngritjes së vetëdijes dhe nxitjes së reagimit qytetar. Pa deputetë aktivë, që do të kandidoheshin nëpërmjet një procesi demokratik brendapartiak e që do të zgjidheshin në zgjedhje korrekte e demokratike, asnjë e drejtë e garantuar nuk mund të shfrytëzohet tërësisht.
Deri më tani votuesi shqiptar në Maqedoni ka votuar njerëz që arritën të ngrenë mite të rrejshme për të mbuluar boshllëkun profesional të tyre. Këta politikanë, pasi nuk kishin çfarë t’i japin shoqërisë, përkundrazi i morën gjithçka – përfshirë edhe të ardhmen.
Një raport tjetër që mbetet i padefinuar, e që në fakt e stimulon korrupsionin masiv, është raporti i qytetarit shqiptar në Maqedoni me shtetin e tij. Nëse një qytetar nuk mban llogari për shtetin ku jeton, atëherë nuk ka interes nëse i njëjti vidhet dhe plaçkitet nga të zgjedhurit e tij. Edhe pse janë taksapagues dhe shtetas të Maqedonisë, shqiptarët e këtushëm janë keqedukuar nga politikanët dhe elitat e tyre intelektuale se, nëse dikush kujdeset për shtetin ku jeton, kjo do të nënkuptonte një lloj tradhtie ndaj kombit që i përket. Andaj, shqiptari i Maqedonisë nuk arrin ta kuptojë se mund njëkohësisht të jetë edhe pjesëtar i kombit shqiptar, edhe shtetas i Maqedonisë dhe këto dy identitete të jenë komplementare midis tyre. Duke e lëvruar edhe identitetin shtetëror, ai do të kërkonte më shumë llogari nga të zgjedhurit e tij se si harxhohen paratë e shtetit që mblidhen edhe nga xhepi i tij, si përdoret prona e shtetit që në fakt është edhe e tij dhe kah lëvizë vetë shteti që realisht është edhe i tij.
Nëse Maqedonia dhe jo vetëm, si shtet i ri nuk arrin që të jetë funksional, ajo nuk do të mund të ketë jetë të gjatë.