Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel po zgjasin më shumë se katër orë, derisa raportohet se atmosfera është e tensionuar dhe dialogu pritet të zgjasë edhe disa orë tjera. Siç raporton B92 nga Brukseli, është arritur vetëm memorandumi për mirëkuptim lidhur me sigurimin e automjeteve, derisa çështja e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe mbetet në pikën 0, pasi që palët nuk kanë ndryshuar qëndrim.   “Atmosfera është e tensionuar dhe e rëndë për shkak të pritjeve të mëdha nga bisedimet. Delegacioni ynë po e jep maksimumin që të arrihen rezultatet e pritura, që të përafrohen qëndrimet dhe të arrihet përparim. Bashkësia… është çështje kryesore, bazë për këtë janë kornizat ligjore dhe përgjegjësitë e Bashkësisë. Pala serbe po tenton që të gjendet zgjidhje kompromisi dhe kushtëzon me përfshirjen e parimeve të arritura për themelimin e Bashkësisë”, thotë Dejan Vladisavjeviç nga Zyra për Kosovën.   Sipas tij, në pjesën e dialogut për energjetikën pala kosovare ka tentuar të dalë nga pjesa e bisedimeve teknike.

“Kanë tentuar që të kalojnë në çështjen e pasurisë, që me një hap potez të zgjidhet çështja e Gazivodës, Valaçit dhe se sistemi distributiv në veri të Kosovës të merret nga serbët dhe të kalojë në pronësi të tyre. Qëndrimi i palës sonë është që kjo çështje nuk mund të diskutohet. Përfaqësuesit e BE po tentojnë që të gjejnë kompromis për të dyja palët”, ka thënë Vladisavjeviç.