Aktorja dhe regjisorja e njohur amerikane e ka jetuar një jetë të jashtëzakonshme në këto katër dekadat e para.

Jolie, e cila është vajza e aktorit të shpërblyer me Oscar, Jon Voight dhe bashkëshortes së tij të atëhershme, Marcheline Bertrand, u lind më 4 qershor të vitit 1975 dhe qysh në fëmijëri kishte predispozita për t’u shndërruar në një yll të Hollywoodit.

Prindërit e saj u shkurorëzuan pothuajse menjëherë pas ardhjes së saj në jetë, dhe kështu ajo u detyrua të rritet mes dy qyteteve New York-ut dhe Beverly Hills-it, transmeton Koha.net. Më vonë ajo i përshkroi vitet e saj si tinejxhere, si një periudhë e vështirë dhe e trazuar që e ka shtyrë drejt përdorimit të drogave.

Por pavarësisht kësaj fëmijërie të vështirë, ajo u rrit dhe u shndërrua në një femër tejet të bukur, e cila e shënoi debutimin në Hollywood me një rol në filmin e vitit 1995 “Hackers.” Menjëherë pas shndërrimit të një prej aktoreve më të kërkuara të asaj kohe, Jolie u angazhua në disa projekte madhore filmike si: “Playing by Heart”, “Pushing Tin”, “Gia” etj. Por fama e saj si aktore e Hollywoodit u përforcua me ta fituar një çmim Oscar në kategorinë “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin e vitit 1999, “Girl, Interrupted”.

Një tjetër rol që e shndërroi atë në ikonë të filmave aksionë ishte ai në filmin shumë të suksesshëm në arkat filmike “Lara Croft: Tomb Raider”. Disa prej projekteve të saja të suksesshme janë edhe: “Gone in 60 Seconds,” “Alexander,” “Salt,” “Wanted,” dhe “Maleficent.”

Jeta e saj personale ka qenë po aq e trazuar dhe argëtuese sa ajo e personazheve të saj në filma të ndryshëm. Në moshë shumë të re ajo u martua me aktorin britanik, Jonny Lee Miller, me të cilin u shkurorëzua pas tre vjetësh martesë. Bashkëshorti i saj u dytë ishte aktori Billy Bob Thornton, martesa me të cilin po ashtu zgjati vetëm tre vjet. Ndërkaq për herë të tretë Jolie u martua me aktorin Brad Pitt.

Jolie dhe Pitt u takuan gjatë xhirimeve të filmit “Mr. & Mrs. Smith” në vitin 2005, atëherë kur Pitt ishte ende i martuar me aktoren Jennifer Aniston. Por tërheqja mes tyre ishte e parezistueshme dhe menjëherë pas xhirimeve të filmit, Pitt e bëri të ditur lajmin se po shkurorëzohet nga Anistoni. Çifti Pitt dhe Jolie i kanë gjashtë fëmijë së bashku, tre biologjikë dhe tre të adaptuar. Maddox u lind në Cambodia në vitin 2001 dhe u adoptua nga Jolie kur ai ishte vetëm 1 vjeçar. Zahara u lind në Etiopi në vitin 2005 dhe u adoptua nga Jolie. Pax Thien Jolie Pitt u lind në Vietnam në vitin 2003 dhe u adoptua nga Jolie në vitin 2007, transmeton Koha.net. Ndërsa tre fëmijët biologjikë të çiftit janë: Shiloh, e cila u lind në vitin 2006 dhe binjakët Knox Leon dhe Vivienne Marcheline, të cilët u lindën në vitin 2008.

Karriera e Jolie-it tashti ka marrë një drejtim tjetër, që është puna prapa kamerës. Në vitin 2011 aktorja debutoi si regjisore më filmin “In the Land of Milk and Honey”, i cili e sjell historinë e luftës së dhunshme në Bosnjë, si dhe në vitin 2014 ajo e bëri regjinë e filmit “Unbroken”, që është një biografi e sportistit Olimpik dhe pilotit ushtarak, Louis Zamperini.

Jolie po ashtu njihet për angazhimin e saj të pashoq në çështjet humanitare, me fokus tek varfëria e skajshme në Afrikë, dhunimi i grave në zonat e luftës dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në botë.