Rexhep Qosja ka luajtur një rol parësor në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, që ishte ashtu si e quan ai tokë e pushtuar e që çoi në ngjarjen madhore të fundshekullit, në çlirimin e saj. “Populli i ndaluar”, është libri që përmbledh zërin e vendosur dhe autoritar të Qosjes për lirinë. Me titull shumë domethënës, një libër i jashtëzakonshëm, i guximshëm, heroik dhe profetik. Tekstet e tij janë shkruar dhe botuar prej vitit 1985 deri në 1990. Më 1985 Qosja mori pjesë në Kongresin IX të Lidhjes së Shkrimtarëve Jugosllavë në Novi-Sad dhe aty mbajti një ligjëratë me kritika të ashpra ndaj pushtetit shtypës serb. Kështu lufta e tij kundër pushtetit shtypës serb u bë një realitet de jure me shkrime dhe intervista që botoheshin anembanë Jugosllavisë. Në disa raste atij i bllokohet pasaporta në Ministrinë e Jashtme Jugosllave e nuk lejohet të lëvizë jashtë Jugosllavisë. Rasti më i pakundërshtueshëm është ai kur i ndalohet të vijë në Tiranë me rastin e botimit të librit të tij “Porosia e madhe” nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Por lufta e tij kundër pushtetit serb është më e hershme.

Serbia e kishte futur emrin e tij në rreth të kuq që pas demonstratave të rinisë më 1981, kur ai nuk pranoi të shprehej kundër, domethënë të bënte diferencim, sipas gjuhës demagogjike të kohës, përveç kësaj si shumë të ashtuquajtur intelektualë të tjerë të Kosovës. Presioni ishte i madh dhe arriti deri në kërcënime të drejtpërdrejta, por si mund të shkelte ai mbi dinjitetin e atyre që u vranë? Qosja e ngriti zërin e mospajtimit e të protestës jo për vete, por për të mbrojtur një çështje të madhe: të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët, për kulturën dhe historinë kombëtare. Shkrimet Liria që s’e kemi; Filozofi; Letër shkrimtarëve Serbë; Demagogjia e madhe; Serbia -ndërgjegje e tradhtuar e njerëzimit etj., zhveshin lakuriq një realitet të maskuar. Masar Stavileci në parathënie shkruan se “autori i kësaj vepre ka mbetur një kohë të gjatë i vetmuar”. Kjo është në të vërtetë sakrifica e korifejve të njerëzimit. Libri u botua fillimisht në Ljubjanë, pastaj në Prishtinë më 1990, në Tiranë më 1991; në këtë të fundit shoqëruar me vështirësi të paimagjinueshme për shkak të kaosit të përgjithshëm që mbretëronte pas rënies së komunizmit.

Ka një raport universalist në veprën e tij të gjerë, aq të thellë e aq të pasur, një raport që simbolizon një udhëtim në ngjitje. Problemet kombëtare janë trajtuar në shumë intervista, ligjërata apo artikuj publicistikë, por libri “Strategjia e Bashkimit Kombëtar”, botuar më 1992, është një sentencë e atdhetarizmit të kulluar të Rexhep Qosjes. Ai ka “adhuruar gjithmonë gatishmërinë e flijimit për të mirën dhe ardhmërinë e Atdheut.” Prandaj i përdor me krenari vargjet popullore “Shqipëri! të qofsha falë, / të kam Nënë – e më ke Djalë!” Në janar 1991 nga radio Zagrebi Rexhep Qosja tha më zë të lartë: Shqiptarët në Jogosllavi – popull i pushtuar. Fjala e tij me përgjegjësi historike dëgjohej në hapësirën Jugosllave, si një zë i vendosur për të drejtat e një populli. Ai mbrojti me argumente tezën se Kosova dhe territoret e tjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi janë shumica toka shqiptare. Ai hodhi poshtë me guxim thënien kundërhistorike (të përsëritur aq herë me patetizëm në histori) të akademikut Joviq që e quajti Kosovën jo më larg se 1989, “territor serb” dhe tre milionë shqiptarë të Kosovës, po aq në numër sa dhe në Shqipërinë shtet, “pakicë kombëtare.”

Në ditët e dhjetorit të shënuar 1990 ai përcjell lajmet me vëmendje të tendosur dhe pohon në radion “Zëri i Amerikës”: “ […] në Shqipëri po ngjet historia […] Ngadhënjimi i demokracisë në Shqipëri ka domethënie të madhe historike, jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por edhe për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, në përgjithësi”. Ai e pagëzon gazetën e parë opozitare “Rilindja demokratike” : « E uroj Rilindjen Demokratike të bëhet tribunë e vërtetë demokratike, shpirtërore dhe politike të popullit shqiptar.» (Vepra XXIV ). Por kjo gazetë që ngjalli aq shumë shpresa për një shtyp të vërtetë opozitar, jo më larg se pardje përdorte në një artikull të saj shprehjen « Aleanca e qelbësirave », duke e harruar gjuhën e argumentit, që është treguesi themelor i një shtypi demokratik. Por nuk është hera e parë që ajo dhe gazeta të tjera si ajo, përdorin këtë gjuhë… Si një rilindës i kohëve të reja, Rexhep Qosja më 1991 dhe 1992 shkruan 3 dokumente programatike: “Programi i rilindjes shpirtërore; Deklarata e Kuvendit të intelektualëve shqiptarë; Rezoluta mbi bashkimin shqiptar », të cilat dëshmojnë përgatitjen e tij të gjithanshme dhe vetëdijen e thellë kombëtare për këtë mision që i ngarkoi koha.

Propaganda e shfrenuar

“Çështja shqiptare – historia dhe politika”, botuar më 1994, bën pjesë ndër ato libra që duhet të hyjnë në arkivat e kujtesës. Kritika e ka krahasuar atë me “kryeveprat e Rilindjes Kombëtare”. Nga shkrimtar, Rexhep Qosja, këtu kthehet në historian. Në fund të tekstit ndërtohet edhe një kronologji e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, që nisin me vitet 400 para erës sonë, në kohët iliriane dhe mbërrijnë në vitet ’90 të shekullit XX… Në këtë vëllim (XVIII) është edhe libri tjetër “Programet kombëtare serbe për shpërnguljen e shqiptarëve”, një përmbledhje e plotë dokumentesh, duke filluar nga “Naçertanija” (1844) e Ilia Garashaninit, “Dëbimi i arnautëve” (1937) i Vasa Çubrilloviqit, “Projekt për ndarjen e Shqipërisë” (1939) i Ivo Andriqit etj. Këto tekste na njohin me propagandën e shfrenuar raciste kundërshqiptare…

«Semantika e ndryshimeve historiko-letrare» (Vepra X) është një libër tjetër studimor, themelor për studiuesit e letërsisë, por dhe të historisë. Libri është një jetëshkrim etimologjik i letërsisë së zhvilluar në Kosovë, në të cilin flitet gjerë e gjatë përgjithësisht për mungesën e temës së Kosovës në letërsinë shqipe. Pastaj bëhen krahasime me praninë e kësaj teme në letërsinë serbe. Sillen dokumente që na bëjnë të skuqemi ne shqiptarët. Më 1989 në Ljubjanë botohet vepra trivëllimëshe “Serbia dhe shqiptarët”, me shkrime të autorëve serbë; janë rreth 750 tituj artikuj dhe libra të botuar në Serbi me temën e Kosovës…

E vërteta dhe e drejta në veprën e tij, janë vlera që i japin kuptim jetës

Krejt kultura serbe, letërsia, artet, mendimet, dëshirat – të gjitha këto sillen rreth një fjale : K o s o v a. Dhe kështu themeli, mjedisi, zemra, rrënja e të gjitha punëve kulturore të Serbisë ishin jashtë Serbisë, dhe Serbia jetonte me ato që nuk i kishte… » (Vepra X). Në këtë libër botohet për herë të parë në kohën tonë edhe Ëvetari i dytë Naum Veqilharxhit i vitit 1845 dhe flitet pastaj për semantikën e rimës në dy vepra: “Lulet e verës” të Naim Frashërit dhe “Vargjet e lira” të Migjenit. Në shkrimin “Modernizmi dhe letërsia shqipe”, duke shpjeguar shfaqjen e modernizmit në gjysmën e parë të shekullit XX, përmenden emrat: Asdreni, Lasgush Poradeci, Dhimitër Shuteriqi, Etëhem Haxhiademi, Petro Marko, Migjeni, Martin Camaj dhe Arshi Pipa…

Te studiuesit dhe shkrimtarët e Shqipërisë është folur përgjithësisht vetëm për letërsi që zhvillohet brenda kufirit, ndërkohë që koncepti letërsi shqipe është i gjerë. Këtë ide Qosja e ka hedhur që në studimet e para, në vitet ‘68, ‘69, ‘70. Ai i ka bërë që në krye të herës letërsisë një periodizim, që lidhet me natyrën e saj të qenësishme, me vlerat estetike, ndryshe nga periodizimi politik i këtushëm. Kuptohet, ai ka hasur vështirësi për ta bërë të njohur te kolegët shqiptarë shkencën e tij letrare, jo politike. Për këto moskuptime flitet edhe në ditarët e tij dhe nuk janë vetëm kolegët shqiptarë që heshtin, si për shumë probleme të tjera, por edhe disa nga kolegët e tij në Kosovë. Me frymë shkencore shkruan ai për “tri marrëveshjet e mëdha kombëtare”: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 1878, në Prizren; Kongresi i Alfabetit, më 1909, në Manastir dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, më 1972, në Tiranë. Ato janë një kujtesë e çmuar për historinë dhe kulturën kolektive shqiptare.

Pas kaq vitesh veprimtarie e vërteta, e bukura dhe e drejta në veprën e tij quhen vlera që i japim kuptim jetës së njeriut. Këto përfundime filozofike, lidhen dhe me integritetin e tij politik, moral dhe etik.

Me shkrimet e viteve 1991-‘95, të publikuara në Shqipëri, Jugosllavi dhe në botë, Qosja ka botuar një libër me titull “Ligjërime paravajtëse” (Vepra XXV). Libri përshkohet nga një frymë kritike sidomos ndaj konformizmit të intelektualëve, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Nga autorja e këtyre radhëve përmendet Tirana më parë, se mbi atë duhet të rëndojë më shumë kritika; Shqipëria ka 100 vjet që është bërë shtet dhe Kosova është shtet fare i ri. Po citoj një fragment nga një intervistë e Qosjes, dhënë një gazete të Tiranës: “Mirë, o zot! Njeriu nuk është shtatore që të mos ndryshojë mendje! Ndryshojnë kushtet dhe ndryshojnë njerëzit! Mirë, o zot! Tani kanë ndryshuar punët dhe intelektualët të cilët, duke heshtur a duke folur me gjuhën e pushtetit, a duke u inkuadruar në pushtet, i krijonin legjitimitet shtypjes së pushtetit, tani edhe ata intelektualë – sidomos ata – rreshtohen në shoqata dhe në parti që t’i ndihmojnë popullit. E drejtë dhe e domosdoshme. Por, edhe që bashkërisht ta pushtojnë më lehtë atë që e kanë lakmuar dhe për çka kanë lejuar të përkulen edhe përpara – pushtetin! E padrejtë dhe e palejueshme!” (Vepra XXV: 29). Disa nga idetë e librit përbëjnë edhe shumicën e titujve, si: “Rruga e bashkimit është rrugë mundimesh”, “Zhbërja e Jugosllavisë është e pashmangshme”, “Hakmarrja është trajta më e vrazhdë e totalitarizmit etj. Dihet tashmë se sa shumë është anatemuar Rexhep Qosja për ide të tilla nga pushtetarët dhe ekstremistët e PD-së në Shqipëri e të LDK-së në Kosovë, nga shovinistët serbë dhe nga intelektualët e lëkundur që e rrethonin.

Ligjërimi letrar, në kërkim të personazheve

Në disa libra Qosja u bën kronikë ngjarjeve të fundshekullit, të para me syrin e një shkrimtari atdhetar, që i është përkushtuar çështjes kombëtare. Libri manifest “ Paqja e përgjakshme”, është kronikë shpirtërore për Konferencën e Rambouillet-së, atëherë “kur bota po merrej me Kosovën dhe kur për herë të parë në histori interesat e popullit shqiptar ishin në përputhje me interesat e fuqive të mëdha perëndimore”. Si një nga anëtarët e Delegacionit për nënshkrimin e Marrëveshjes, ai i ka lënë historisë sonë kombëtare një vepër të pazëvendësueshme. “Nënshkrimi i asaj marrëveshjeje paqësore, me të cilin e kemi rigjetur arsyen e krenarisë historike, njëkohësisht e ka tronditur përgjithmonë paqen time shpirtërore si njëri prej autorëve të tij!” (Vepra XIX: 13). Përshkrimi i momenteve të nënshkrimit të Marrëveshjes që është e ngarkuar me peshën e historisë, bëhet nga një penë e sprovuar që nuk harron për asnjë çast se është shkrimtar.

Në librat “ Tronditja e shekullit 1,2” (Vepra XX, XXI), vjen një rrëfim tjetër rrëqethës. Është fjala për ditarin e ditëve të fatit në luftën e Kosovës, kur do të vendosej përfundimisht shkëputja e saj nga robëria shekullore serbe. “E mërkurë, 24.3.1999 […] Në orën 20 e 5 minuta fillojnë bombardimet!

Historia e kombit shqiptar ka ndryshuar”. Libri mund të quhet edhe një roman që nis me bombardimet, me njerëz që presin të ngujuar në një vendstrehim. Vjen një moment njerëzit dalin nga ngujimi. Pra del edhe autori i librit për t’u futur “në rreshtin e jetës ose të vdekjes”. Në ditar ka përsiatje ekzistenciale, skicohen portrete, jepen skena të jetës endacake, visore të ndryshme. Kjo është një mënyrë e dytë të shkruari, autori e ndien se i mungon letërsia.

Mes tragjedisë së luftës që ka brenda gjak e varre, çel si lule jeta e lirë. Qosja e përshkruan me emocion faktin se shqiptarët në këtë luftë u gjetën bashkë. “Drama tragjike shqiptare në fund të shekullit pati anën e vet madhështore. Ajo i nxori shqiptarët fitues”. Në të vërtetë libri është një roman tragjik: “Nuk dalloj: jam autor i Ditarit apo personazh i romanit jetëshkrimor.” Kosova çlirohet. Qosja mbushet me shpresë, me dritë krijuese. Lexuesi e ndien tonin thuajse muzikor të ligjërimit të tij letrar që rikthehet dhe njëherë. Tani vendin e parë e zënë librat letrarë. Dalin nga shtypi fillimisht romani “Një dashuri dhe shtatë faje”, pastaj tregimi alegorik “I ringjalluri i penduar”, pastaj romani “Nata është dita jonë” dhe romani i romaneve me dy vëllime “Bijtë e askujt”. Ligjërimi letrar zbulon imagjinatën e tij në kërkim të personazheve.

Sidoqoftë, Qosja shkruan edhe për aspekte të realitetit të përditshëm. Ai është autor, por edhe aktor i rëndësishëm i kohës së vet. Çfarë rëndësie ka për të në është në Prishtinë apo në Tiranë. Të dyja këto qytete janë trupi i atdheut që dhemb. Dhe ai është shqiptar. Kështu libri “Intelektualët, etika dhe politika”, është vazhdim i librave “Demokracia e shpërdorur” dhe “Fjalor demokratik”, në të cilat shpjegohet domosdoshmëria e një mendimi të qartë demokratik në kohët e reja. Shfaqjet e sofistikuara apo primitive të jetës publike dhe private shpërdorojnë demokracinë dhe duhen dënuar, si: “Kuvendi dhe qeverisja e parë pa opozitë në Kosovë”: “Kongresi i socialistëve shqiptarë më 12 dhe 13 dhjetor 2002, si kongres vetëm i duartrokitjeve për Fatos Nanon” etj. Me qëndrime kritike ndaj bashkëkohësisë e së shkuarës sonë, Qosja godet epigonizmin, vlerat e rreme, korrupsionin, anakronizmin, akademizmin dhe dukuri të tjera që e pengojnë vetëdijen e re të ecë përpara. Më 2007 ai boton librin “Rilindja e dytë” (Vepra XXII), në të cilin shkëlqen stili i tij sidomos në fjalimet që ka pasur me shqiptarët jashtë atdheut në Amerikë dhe Zvicër në vitet ’90.

Romani “Bijtë e askujt”, I,II, futet natyrshëm në rrjedhat e krijimtarisë së autorit, por edhe letërsisë postmoderne për të zbuluar “anën e mbrapme” të realitetit, sipas shprehjes së romancierit austriak Hermann Broch. Ai shfaqet si një apogje në krijimtarinë e tij letrare. Qosja riprodhon kohërat me ngjyra individuale, duke i çmitizuar, si komunizmin ashtu edhe demokracinë, të dyja me një vulë anakronike à l’albanaise. Shfaqja e dashurisë, midis shkrimtarit shqiptar, të lindur në Kontinentin e Ri dhe Delina Dertit, studiueses shqiptare të lindur në Shqipëri, që e ndihmon në kërkimet e tij për një jetë të humbur gjatë diktaturës komuniste, hedh një ngjyrë të purpurt brenda sfondit epik të romanit, ashtu si ndodh me romanin “Emri i trëndafilit” të Umberto Eco-s.

Tërë krijimtaria e Rexhep Qosjes ushqehet nga një lloj frymëzimi që është dialogu i përhershëm me botën shqiptare, një lidhje e frytshme autor-lexues. Stilist i papërsëritshëm, fraza e tij është lapidare. Përsëritja, monologu, dialogu imagjinar, fjalitë retorike, pikëpyetjet dhe pikëçuditjet, fjalët e reja, shndërrohen në tingëllim ritmik dhe i japin mendimit fuqi transmetuese. Qosja përfaqëson një univers me imagjinatë dhe dije të jashtëzakonshme. Gjuha e tij e kulluar nga pasqyrimi i së vërtetës, është një lartësim i ligjërimit. Platoni thotë se, e bukura është shkëlqim i së vërtetës.