Një libër i botuar nga ish- kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut Sulejman Rexhepi përmban një sërë dëshmish të rënda, kundër ish- presidentit Ilir Meta dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, përfshi Fahri Balliun, si dhe disa gazetarë dhe të vetëquajtur diplomatë, që i kanë shitur atij dekorata nga ish- presidenti Trump, si dhe “Urdhrin e Skënderbeut” nga ish- presidenti i Shqipërisë. 

Libri ka filluar të botohet pjesë pjesë në vitin 2018, dhe i plotë në pdf gjendet online:

Libri i Sulejman Rexhepit

Më poshtë po botojmë pjesën ku vet ish kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut tregon se si i shitën dekoratën e presidentit Trump, Ferdinand Samarxhiu dhe një i vet shpallur diplomat, Ylli Paja. 

Pas botimit të pjesës së parë të mënyrës se si ky person ka blerë dekoratën e “Urdhrit të Skënderbeut” tek Ilir Meta përmes negociatave me Fahri Balliun, tani po botojmë pjesën kur ka blerë dekoratën nga presidenti Trump.

 Pas botimit zoti Rexhepi ka deklaruar se ai nuk ka bërë kurrë deklarata apo shkrime të tilla. Në fakt libri është online, i pandryshuar prej datës 17.02.2020, dhe ai ka pasur kohë ta korrigjojë ose përgënjeshtrojë. E vetmja arsye që na shkon në mendje është se ndoshta e ka bërë për shantazh që këta që e kanë mashtruar ti kthejnë lekët. Sidoqoftë po botojmë pjesën tjetër që në libër është nga faqja 103 deri në faqen 105. Ndoshta ja kthejnë lekët pas botimit. 

Unë njeriu i Amerikës 

Faqe 103

Loja e shërbimeve intelegjente maqedonase më kishte lodhur në shpirt. Një jetë të tërë në bashkëpunim, në shërbim, në kundërshtim, në përndjekje dhe sërish në bashkëpunim më këtë shërbim! Dhe në fund, kapak i dhanë këta mangupë, “puçistët”! Po ndjeja se po më shterronin fuqitë, se pleqëria më kishte mbështetur për muri, se sëmundjet e ndryshme që më kanë kapur në këtë moshë po më bëjnë të dukem si një foshnje që mezi pret të thithë. Nuk po gjejë ndonjë faktore cicëmadhe ku mund të thithë e të më kthehen fuqitë. Këtë ndiesi të pakëndshme ia pata shprehur në një ditë ramazani, njëfarë gazetari nga Shqipëria që Maqedoninë e ka bërë teren përfitimi. Ferdinand Samarxhiu, kishte arrdhur për një emision për muajin e Ramazanit dhe, këtij ia shpreha këtë dhembje, duke kërkuar si i mjerë prej tij që të më caktojë një takim me presidentin shqiptar, z. Ilir Metën, meqë më tha se ishte bërë këshilltar i tij. Në bisedë e sipër, Ferdinandi më doli me një propozim shumë interesant.

Më tha se funksionojnë disa kanale që mund të më sjellin dekoratë nga presidenti Amerikan, z. Donald Tramp, si dhe nga ai i Shqipërisë z. Ilir Meta. Lobimet janë shumë të shtrenjta, por që përfundojnë me dekorime! Të dy kanalet funksionojnë në Shqipëri! Qenka një organizatë masonerike, e themeluar prej hebrenjëve, të cilët janë të lidhur me zyren presideenciale amerikane e cila shpërndanë mirënjohje në emër të presidentit anekënd botës, për secilin individ që është në përputhshmëri me politikat amerikane, në fakt, me politikat masonerike të hebrenjve. More, i thashë, Ferdinand Samarxhiut, jam në gjendje të bëhem edhe rabin, vetëm të marr mirënjohje që ka nënshkrimin e presidentit amerikan! Po, tha, Ferdinandi, mos u mërzit, sepse këtë mirënjohje deri më sot nga shqiptarët e ka marryr ky e ky, ky dhe ky dhe, në fund, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj! Kur ma tha këtë, mu bënë sytë filxhan!

Në këtë bord të këtij fondacioni masonerik, më tha se është edhe Ilir Meta si dhe shumë ministra të tij, të partisë së tij! Sa kushton, e pyeta Samarxhiun. Po ja, më tha, Kyeministri ka paguar 180 mij dollarë. Për ty mund të kushtojë pak më shtrenjtë, sepse, asgjë nuk të lidhë me politikën amerikane, për dallim nga Ramushi! 250 mij euro vendosën që çmimin e Donald Trampit të ma sjellin në Shkup, madje të ma ndajë ndonjë përfaqësues amerikan! Pasi u morëm vesh mirë e mirë, pas një javë sërish erdhi Samarxhiu te unë dhe, më tha se, për kaq para nuk ka llogari të vie amerikani nga Florida e të ma dorëzojë dekoratën, plus që, manifestimi duhet të shoqërohet edhe me ndarje të disa dekoratave të tjera, që mos të del puna se nuk ka njerëz të tjerë proamerikanë. Më tha që t’i gjejë edhe nja dy-tre persona të tjerë, të cilët do të paguajnë nga nja 20-30 mij euro për të marrë dekoratë në emër të Universitetit të Floridas ku punon i tërë stafi që merret me këto lobingje. Fola me Qani Nesimin dhe me Shaqir Fetahun, të cilët, mezi kishin pritur që të dekorohen. Fol, thanë, sa duhet do të paguajmë, vetëm të dekorohemi bashkë me ty, do të jemi shumë të nderuar. Ju thashë që t’m’i sjellin nga 30 mij euro se do t’ua jap unë. Natyrisht, Samarxhiut ia dhashë nga 18 mij euro, të tjerat i futa në xhepin tim. I treti ishte Feriz Dervishi, njëfarë kinse bisnesmeni nga Kumanova. 

Por, një muhabet i Ferdinandit sikur ma zbehu dëshirën për këtë dekoratë. Ai më tha se, funksionon edhe një lobing i cili mund të ma sigurojë dekoratën presdenciale të Shqipërisë, për të cilën do të duhej të paguaja 300 mij euro. Natyrisht, jo për Ilir Metën por, ato para do të përdoreshin për të paguar, rrymë, ujë, telefona, nxemje, freskim të hapësirës së Presidencës. Kështu po funksiononte në tërë botën. Përfitimet nga lobingjet nuk po hykan në xhep të presidentit por po shkuakan në fond të mirëmbajtjes së presidencës! 300 mij euro? Sikur ta kem këtë dekoratë do të piknin përdhe të gjitha ato pseudonime policore “Zhiko”, “Zharko”, “Sheriat”… 
  
Në BFI ka plotë para, veçse tregoni ku ka dekorata 

Kur erdhi Ferdinand Samarxhiu për t’i marrur paratë bashkë me një profesor, Ylli Pajën, i cili që nga barku vërehej se është shpirt i pangopur, dhe pastaj të ma sillnin dekoratën e Trampit, ma treguan edhe vendimin e zyres që paskësh vendosur të më dekorojnë por që, duhej të plotësohej edhe një kusht: të zhvilloja pak propagandë kundër mjekrrave, kundër xhihadistëve, kundër vehabistëve. Më thanë që presidenti Amerikan do ta shpallte si kryeqytet të Izraelit Jarusalemin dhe se ambasadën amerikane do ta dislokonte në këtë qytet. Unë duhej ta përshëndesja këtë gjest dhe të flisja, nëse jo publikisht, të paktën nëpër xhemat. Po more, si jo, ju thashë, flas unë sa të doni ju, sepse këta arabët janë popull injorant, as që marrin vesh se çka kam folur unë. I shikoni se çfarë populli janë, pa fije kulture, pa asnjë bagazh historik e kulturor, janë si kafshë që ju turren bustave e përmendoreve mijëravjeçare për t’i shkatërruar.

Ata janë të pacivilizuar e të paarsimuar, sepse, universitetet e tyre, sidomos ajo e Medines prodhojnë vetëm terrorista, radikalista dhe asgjë tjetër. Ja, më tha, profesor Ylli Paja, pikërisht këto gjëra t’i thonit, pse jo edhe publikisht, qoftë kjo edhe përmes ndonjë televizori lokal. Do t’ua bëni shumë qejfin amerikanëve. Po po, do ta flas këtë, ju thashë. Madje, edhe Jerusalemi! A e ka shpallur Pejgamberi vend të shenjtë, sidomos xhaminë aty, gjatë natës së Israsë dhe Miraxhit! Po myslimanët janë budallenj e nuk e kuptojnë politikën amerikane. Amerika futet aty për ta ruajtur atë qytet të shenjtë, atë vend që e bekoi Pejgamberi ynë.

Amerika ka respekt për Muhamedin a.s. e jo myslimanët e egër që janë në gjendje t’ia vënë flakën edhe Xhamisë ku u fal Pejgamberi ynë, vetëm e vetëm mos ta lënë në duart e hebrenjëve. E di unë, kjo është politika e Trampit që e dislokon amabsadën amerikane në këtë qytet, vetëm e vetëm që mos t’i lë mundësi askujt për ta dëmtuar apo për ta sulmuar Jerusalemin ku gjendet xhamia në të cilën Pejgamberi ynë për herë të parë u bë imam duke ju prirur në namaz të gjithë pejgamberëve të më parshëm. Ndaj kësaj mrekullie Amerika ka respekt të padiskutueshëm, prandaj edhe e merr nën mbrojtje dhe siguri të veten këtë qytet, dhe jo sepse këtë e paskan kërkuar hebrenjtë. 

Pas kësaj ligjerate, u mrekullua Ferdinand Samarxhiu, kurse profesori Ylli Paja ngeli pa fjalë, duke më thënë se, jam diplomat karriere por, një ligjeratë kaq racionale e të mrekullueshme nuk e kisha menduar kurrë. Bravo “reis ulema”, më tha Paja! I morën paratë duke më premtuar se, vetëm sa të plotësohej edhe kjo fushatë proamerikane në CV-në time, menjëherë do të vinte dekoarata, por që nuk do të duhej të vonohej më shumë se nja një muaj. 

Pas kësaj, nuk rreshta së foluri. Në të gjitha studiot ku me jepej rasti flisja për arabët si për popull të kotë, pa histori, pa kulturë, si të egër, vrasës. Dhe, me këtë e dija se po rrezikoja që ta humb tërë përkrahjen nga arabët por edhe nga turqët. Edhe ashtu nuk më kishte mbetur më interesimi për BFI-në të cilën po e shoh gjithnjë e më shumë tek fundoset, mendjen e kisha te dekoratat. Më duheshin edhe këto dy dekorata që të mbylleshin gojat e këqia që papushuar e theksojnë pseudonimin tim policor “Zharko”, “Zharko”, “Zharko”… Ta marr unë dekoratën e Trampit dhe të Metës e, pastaj, në rrotë t’samës le të shkojnë të gjithë, me gjithë BFI-në. 

Burimi i artikullit

https://www.gazetatema.net/rajoni/skandali-si-jashiten-300-mije-euro-dekoraten-e-presidentit-trump-sulejman-i457240#galeria

Shpërndaje artikullin në: