Glauk Konjufca, kryetari i Parlamentit të Kosovës, nëpërmjet rrjeteve sociale shprehu zhgënjimin e tij ndaj deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, i cili uroi qeverinë e re të Serbisë, në kabinetin e të cilës ka dy ministra të sanksionuar për korrupsion.

“Me keqardhje dëgjohet se BE-ja po pret me padurim të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Aleksandër Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”, ka shkruar kryeparlamentari në platformën “X”.

Një ditë më parë, Josep Borrell, në të njëjtin rrjet social, shkruante: “Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviç. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriç dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”.

Shpërndaje artikullin në: