Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi kërkoi sot zgjedhje të parakohshme parlamentare, me qëllim të daljes së vendit nga kriza.

“Vlerësoj se varianti më i dhimbshëm, më i qetë dhe më demokratik për të dalur nga kjo krizë është shkruaja e vendit në zgjedhje të parakohshme. Ne jemi të gatshëm, por kërkojmë ndryshime në kodin zgjedhor”, theksoi Menduh Thaçi.

Sipas tij, problemi kryesorë në Maqedoni nuk është bllokimi i xhirollogarive të dikujt, të një individi a të një firme, por shkelja e të drejtave të shqiptarëve në të gjitha planet.

Kreu i PDSH-së edhe kësaj radhe atakoi partinë shqiptare në pushtet duke e quajtur si ‘argate’ të Gruevskit që po shkatërron gjithçka shqiptare në Maqedoni.

“Partia politike që mori legjitimitetin përmes një kryengritje të rrejshme, në mënyrë përçmuese i tradhton idetë, qëllimet përfundimtare të politikës dhe të interesit shqiptar. Qeveritë e majta dhe të djathta maqedonase shfrytëzojnë këtë subjekt me legjitimitet të dyshimtë, pa projekt politik dhe pa kurriz moral që popullin shqiptar ta shndërrojnë në pakicë vegjetuese kombëtare që do të shërbejë si element që eksploatohet në forma më përbuzëse”, deklaroi Thaçi, njofton agjencia e lajmeve INA.

Ai tha se, në vend të investimit optimal në shoqërinë shqiptare, qeveritë maqedonase e blejnë moralin e përfaqësuesve të kësaj partie që me arrogancë tallen me idealet kombëtare dhe si model veprimi imponojnë dorëzimin komik.

“Dobësia morale, politike dhe kombëtare e tyre është faktori që nxit agresivitetin e qeverisë aktuale të Gruevskit, i cili vazhdimisht, përmes disiplinimit të Ali Ahmetit dhe partisë së tij përpiqet ta çmontojë kauzën kombëtare shqiptare në Maqedoni”, shtoi Thaçi.

PDSH-ja sipas tij, me kohë ka sinjalizuar dhe ka informuar opinionin për këtë deformim.

“Përfundimisht për të zgjuar ndërgjegjen e vënë në gjumë nga retorika skizofrenike “patriotike-integraliste” të BDI-së, vendosi që t’i bojkotojë institucionet e sistemit ngaqë veprimi brenda tyre u bë i pakuptimtë dhe i dëmshëm për kauzën kombëtare.Pakënaqësia e shqiptarëve me veprimtarinë e BDI-së, që në mënyrë të pacipë i tradhton idealet dhe aspiratat kombëtare është e madhe. Mirëpo për ta çmontuar funksionimin e këtij përbindëshi politik duhet të bashkohen forcat, të krijohet një projekt sinergjik rreth boshtit të PDSH-së e cila ka vendosmëri të pathyeshme që ta demaskojë këtë mashtrim dhe t’i zbulojë rrënjët e një politike antikombëtare”, u shpreh më tej Thaçi.

Në vijë të këtij misioni, PDSH-ja tha ai, i fton të gjithë ata që kanë vlerësime të këtilla, pa marrë parasysh profesionin, partishmërinë, statusin social dhe intelektual t’i bashkohen projektit të PDSH-së për arritjen e një marrëveshje të re ndëretnike që në mënyrë më precize i përkufizon dhe garanton implementimin e vazhdueshëm të drejtave të shqiptarëve.

“Koha po kalon dhe është e sigurt se qëllimi i radhës së këtij koalicioni VMRO-BDI është zbritja e përqindjes (nën 20%) së shqiptarëve në strukturën demografike të Maqedonisë. Krijimi i frontit të përbashkët do ta pengojë realizimin e projekteve që dalin nga laboratorët antishqiptare që tanimë kanë marrë krahë falë dorëzimit të BDI-së”, theksoi në fund Thaçi. (INA)