Lajçak: BE kërkon t’i jepet fund dhunës
Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së zotin Miroslav Lajcák, i cili është i dërguari i Bashkimit Evropian për të diskutuar me faktorët politikë shqiptarë mbi situatën e krijuar si pasojë e protestave të dhunshme dhe përpjekjeve për përmbysjen e rendit kushtetues dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.
Kryeministri Berisha i paraqiti zotit Lajcák një ekspoze të ngjarjeve që çuan në përpjekjen e dhunshme të 21 janarit dhe mbi pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me situatën.
Duke shprehur falënderimin për mbështetjen dhe interesin për hetimin, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Lajcák se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve. Kryeministri siguroi gjithashtu për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend, përkarshi çdo tentative për shkeljen e tyre.
Zoti Lajcák i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian duke theksuar së ajo e konsideron qeverinë Berisha si partner dhe qeveri legjitime të Shqipërisë si dhe vlerësoi si një akt përgjegjësie të lartë nga ana e kryeministrit vendimin për mos mbajtjen e manifestimit të ditës së shtunë duke theksuar se ky qëndrim duhet të ndiqet edhe nga opozita.
Zoti Lajcák u shpreh se BE kërkon nga palët, shmangien e organizimit të protestave për të evituar përshkallëzimin e akteve të dhunshme kundër institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor. BE kërkon nga të gjitha palët rivendosjen e dialogut politik në Parlament për të vijuar ecjen përpara me axhendën e integrimit evropian veçanërisht atë të statusit të vendit kandidat dhe përqendrimin të gjitha energjive në përgatitjen për zgjedhjeve lokale të 8 Majit. (INA)
Përfundon takimi Lajçak-Topi
10:00- Përfundon takimi në Presdiencë mes të dërguarit të BE-së për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, Miroslav Lajçak dhe presidentit të Republikës, Bamir Topi. Lajçak në Tiranë, takimi me presidentin Topi
8:00- I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak mbërriti sot në Tiranë për të ndërmjetësuar në pajimin e palëve pas demonstratës së 21 janarit.
Drejtori i drejtorisë për Ballkanin pranë BE-së, Lajçak po zhvillon një takim me presidentin Bamir Topi, ndërsa ai pritet të takohet edhe me kryeministrin Sali Berisha, kreun e opozitës Edi Rama dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Diplomati sllovak, Lajçak është një njohës i mirë i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit. Ai ka qenë mbikëqyrës i Bashkimit Evropian në referendumin e Malit të Zi në vitin 2006 dhe ka qenë i dërguar i BE në vitin 2000.
Ai është caktuar me mision për të pajtuar palët politike në Shqipëri, pas tensioneve dhe krizës politike pas demonstratës së 21 janarit ku pati tre të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Lajçak pritet të bëjë thirrje për uljen e faktorëve politik në një tryezë të përbashkët për tejkalimin e dallimeve politike, por edhe për hetimin e plotë të ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit. (INA)
Në takim është folur për situatën në vend, pas përshkallëzimit të saj në demonstratën e 21 janarit ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë.
Në këto momente, Lajçak ka nisur takimin me kryeministrin Sali Berisha. Ndërkohë që në orën 10:45 është parashikuar që diplomati sllovak të takohet me kryetarin e PS-së, Edi Rama.