Partia Demokratike ka akuzuar kryeprokuroren Ina Rama se është bashkëpunëtore e kreut të PS-së Edi Rama në puçin shtetëror.

Në emër të grupit parlamentar të PD-së deputetja Mesila Doda ka theksuar se demonstrata e dhunshme e 21 janarit ishte fund e krye një grusht shteti dhe se kryeprokurorja Rama ka lëshuar urdhër-arresti për 6 gardistët në kundërshtim ne ligjin.

“Demonstrata ishte fund e krye një grusht shteti, dhe urdhri i arrestit për punonjësit e gardës pa asnjë hetim për të dërguar pas hekurave heronjtë e institucioneve ka për qëllim që të lërë ka kokë dhe mbrojtje institucionet dhe t`i hapë rrugë marrjes së pushtetit me dhunë” theksoi Doda.

Sipas saj grushti i shteti ka pasur edhe bashkëpunimin e pakundërshtuar të kryeprokurores Ina Rama por theksoi se ligji dhe forca e tij për të gjithë shkelësit është i pashmangshëm.

“Grushti i shtetit ka pasur bashkëpunimin e pakundërshtuar të kryeprokurores Ina Rama dhe Edi Ramës por fundi i tyre do te jetë ligjor dhe i pashmangësh” theksoi Doda.

Edhe deputeti i PD-së, Eduard Halimi doli sot para medieve dhe akuzoi ashpër Prokurorinë e Përgjithshme, lidhur me kërkesën e saj për të arrestuar gjashtë gardistë, mes të cilëve katër drejtues, përfshirë komandantin Ndrea Prendi.

“Puci i shtetit, i neutralizuar haptazi ne date 21 janar nga falangat e krimit, kërkon domosdoshmërish reagimin e shtetit ligjor nëpërmjet një hetimi serioz, të besueshëm, të pavarur, kompetent dhe profesional. Vetëm dënimi i rreptë i nxitësve dhe organizatorëve të puçit të shtetit mund të japë garanci të plota se rendi kushtetues është i fortë dhe se kushtetuta dhe institucionet janë të mbrojtura, se demokracia nuk mund të dhunohet”, deklaroi Halimi.

Sipas është i hidhur dhe i dhimbshëm konstatimi se, më shumë se 24 orë pas tentativës për puç shteti, prokuroria nuk i ka dalë zot situatës.