Shaqir Islami

Ajo që duhet të na shqetësojë si komb, është se fjalët që shpërthyen nga goja e deputetit dhe ish prokurorit zviceran, rrodhën nga institucionet demokratike evropiane. Jo nga një shoqatë think-tank, apo ndonjë NGO, ato rrodhën nga foltorja e Parlamentit Evropian. Nga Qabeja e demokracisë, e cila është shpresa e madhe e shqiptarëve dhe e shumë popujve të shtypur anekënd botës. Çka ndodh me Evropën ? Dik Marti përmes terrorizimit të tij me fjalën e lirë, e cila është shtylla e demokracisë, sinjalizon se demokracia evropiane është e sëmurë. Ky raport aq sa i shqetësoi shqiptarët, aq më shumë duhet t’i shqetësojë vetë ata. Evropianët duke u marrë me inspektimin e demokracive në zhvillim, kanë krijuar ndjenjën e superioritetit ndaj tyre dhe kjo sikur u jep të drejtën që të ushtrojnë dhunë psikike si ndaj elitave politike ashtu dhe ndaj shoqërive të tyre edhe atë përmes fjalës së lirë. Është humbur masa e vërtetë e fjalës. Demokracia evropiane e keqpërdor fjalën e lirë, bash atë e shndërron në armë luftarake nga më të rrezikshmet. Mos është infektuar apo është intoksikuar rëndë nga ndonjë sëmundje e pashërueshme? Evropa duhet të kontrollohet mirë, për shëndetin e vetë demokratik. Këtë e lajmëron Dik Marti, s’e them unë.

Dikur, ata që e zbuluan këtë sistem politik dhe social të cilën Evropa e bëri “copy-paste”, në Agorën e tyre kishin pasur një mjet për t’i mbrojtur qytetarët, nga ndikimi i dëmshëm i fjalës. Ata i kishin praktikuar me shumë përgjegjësi parimet e demokracisë. Sa duket, ndaj rrezikut që mund të paraqes fjala kur përdoret nga njerëz të papërgjegjshëm si Dik Marti, Grekët Antikë janë sjellë me më shumë përgjegjësi dhe maturi se sa evropianët. Mbase evropianët fjalën e lirë, si mjetin bazë të demokracisë e mbajnë si pronë të trashëguar dhe këtë monopol e keqpërdorin si një kalama i papërgjegjshëm. Fjala është matur dhe matet ende me kute të ndryshme. Varret se nga goja e kujt del. Dhe aq peshon. Në bazë të kësaj mund të konstatojmë se demokracia evropiane, është e ç’ekuilibruar.

Ky dhjetor le të jetë një mësim i mirë për evropianët, se kanë harruar diçka nga mjeshtrit e vjetër që e shpikën demokracinë. Evropianët të vetëkënaqur me mirëqenien e tyre, duhet të mendojnë për mbrojtjen e popujve më të vegjël dhe grupeve të ndryshme shoqërore, të cilët janë fare të pambrojtur nga keqpërdorimi i fjalës apo dhe përdorimi shkatërrues i saj nga matrapazë dhe persona të papërgjegjshëm, qofshin ata edhe deputetë evropianë. Ashtu si kujdeset Evropa për përdorimin me përgjegjësi të armëve nukleare, ashtu duhet menduar edhe për përdorimin dhe keqpërdorimin e fjalës. Bile më tepër. S’ka armë bashkëkohore, që mund të ketë veti më shkatërruese se Fjala.

Si dikur në Greqinë antike “demagogë të ndryshëm, manipulatorë dhe magjistarë të fjalës e pushtojnë hapësirën publike.”( Ph. Breton “La Parole Manipulee” fq. 16) Çka të themi për kohën që e jetojmë ? Fjala, sot është malli më i shtrenjtë dhe më i shituri në këtë planetë. Fjala është pasuri, fjala është pushtet. Fjala e rrotullon këtë planetë.

Dikur fjala është dëgjuar nga numër shumë më i vogël njerëzish, se sa sot. Në kohën që jetojmë, mundësitë për t’u dëgjuar fjala janë të pakrahasueshme. Mundësitë e Mass Media of Comunication dita ditës bëhen më të fuqishme, s’ka mbetur birucë në planetin tonë ku s’depërton fjala. Prandaj na paraqitet si imperativ për një kujdes të posaçëm dhe përgjegjësi rigoroze, gjatë përdorimit të saj, sidomos nëse përdoret për shkaqe dhe qëllime propagandistike. Para se të lëshohet në eter, fjala duhet të peshohet mirë e mirë. Për shkak se shumë e hollë është vija që e ndan fjalën si informacion nga propaganda.

Sidomos fjala që del nga një institucion i rëndësishëm si që është Këshilli Evropian. Sidomos kur e thotë fjalën një deputet i Parlamentit Evropian.

Duke njohur natyrën tinëzare dhe teknikat e propagandës, mendoj se Dik Marti është i zgjedhur për këtë detyrë të amoralshme. Së pari, ai është qytetar i një shteti neutral politikisht. Zvicra është shtet i mirëqenies, i së drejtës, i sundimit të ligjit… me autoritet të veçantë në planetin tonë. Vetëm ta përmendësh Zvicrën, ndjell respekt në mbarë botën. Sidomos ne shqiptarët, kemi respektin më të madh për Zvicrën dhe popullin e tij. Për shumë, e shumë…arsye.

“Fqinji im Patriot Shqiptar dhe i arsimuar më tha: Komshi, s’më besohet gjithë muhabeti me këtë raportin…ama, e thotë zvicerani…s’ma merr mendja të gënjejë zvicerani !” Ai dyshonte në sistemin e vlerave tek shqiptarët. Dyshonte në veten. Për fat të keq, është shumë i madh numri i shqiptarëve që dyshojnë në sistemin e vlerave të shqiptarëve si komb. Prandaj s’duhet aspak të na habitë se si Dik Marti është shumë i bindur në ato thashetheme që i shpall si të vërteta.

Njëra ndër teknikat e famshme të praktikave të propagandës quhet “Lufta psikologjike : u drejtohet shteteve të jashtme, i drejtohet kundërshtarit (armikut) dhe prej atij kërkohet, përmes mjeteve psikologjike që t’ia shkatërrojë moralin dhe që ta bëjë të dyshojë në vlefshmërinë e çdo gjëje që ai bën dhe beson.”(Megret, “Action psychologique”, J. Ellul, ”Propagandes”; fq.9). Propaganda serbe, e cila sistematikisht ka ushtruar dhunë psikike mbi shqiptarët, ka arritur t’i bindë edhe vetë shqiptarët që të jenë shumë të dyshimtë në vlerat e veta qytetare dhe njerëzore dhe sidomos ato kombëtare. S’di një popull tjetër të jetë i nënshtruar një propagande kaq agresive, aq kohë të gjatë. Imazhi i shqiptarit në mbarë planetin është i ndërtuar përmes stereotipeve të konstruktuara nga mjeshtrit serb të propagandës. Paragjykimet për shqiptarin, ashtu si që janë në serbi, të njëjtat qarkullojnë në Ballkan, po të njëjtat qarkullojnë në mbarë botën. Kjo propagandë që vepron me një turbo intensitet, vepron ende pa ndalur.

Propaganda ka shumë definicione. Këtë e jep Ogle :” Propagandë është të gjitha përpjekjet që bëhen për t’i ndryshuar opinionet dhe qëndrimet” ( “Propagandes” J. Ellul; fq. 7). Propaganda si teknikë për të manipuluar, është një art i vërtetë, ku mendohet çdo imtësi që të del e suksesshme, ku planifikohen edhe detajet më të imta, që ndoshta për qytetarin e rëndomtë duken të tepruara.

Çfarë efekti kishte pasur ai raport, sikur ta kishte shpallur Parlamenti i Belorusisë ? A kishte tërhequr vëmendjen e publikut të gjerë, sikur ato akuza t’i kishte thënë një deputet Rumun? Me këto krahasime të padrejta dhe vulgare, vetëm dua ta vërtetoj tezën time, pa dashur që të ofendoj njeri. Dik Marti është i zgjedhuri i propagandistëve të shkathët. Edhe vetë mbiemri i tij, bile është i zgjedhur me kujdes. Pas aq vitesh, shumë pak njerëz dinë të dallojnë se kush ishte Marti Ahtisari, e kush është Dik Marti. Është folur nga shumë autorë, për kujtesën e dobët të njeriut. Sidomos në kohën që jetojmë, kur njeriu është i bombarduar me aq informacione të panumërta. Vetë ky mbiemër është i zgjedhur për të krijuar asociacione ndërmjet tyre. Qëllimi është për të krijuar huti dhe konfuzion në publikun global, po ashtu për ta deformuar opinionin publik dhe për t’i ndryshuar qëndrimet e evropianëve ndaj Kosovës dhe kosovarëve.

Grekët e Lashtë duke e parë rrezikun e keqpërdorimit të fjalës, apo duke e njohur fuqinë e fjalës si mjet komunikimi,” e kanë shpikur Ostrakizmin, si mjet për t’i mbrojtur qytetarët nga ndikimi i madh i fjalës që ka pasur tek publiku. Ostrakizmi ka lindur sipas idesë së Klistenit, në vitin 487 p.e sonë, ndërsa është zbatuar si mjet për t’i mbrojtur qytetarët nga njerëzit me ndikim të madh. Pasi që fjala e njerëzve me ndikim të fuqishëm ka peshuar shumë më tepër se sa fjala e të tjerëve, funksionimi i sistemit politik është dëmtuar seriozisht duke humbur drejtpeshimin.”( Ibid., fq. 36)

Parlamenti Evropian, sillet në mënyrë shumë joserioze, duke mos zbatuar një mjet mbrojtës të tillë, për mbrojtjen e qytetarëve, grupeve etnike si dhe popujve të vegjël. Duke e ditur peshën e fjalës që del nga ky institucion me ndikim planetar, duke marrë parasysh se në atë parlament po ashtu mund të ketë shumë deputetë që s’janë të ndërgjegjshëm apo s’dinë ta peshojnë fjalën e tyre, mund të shkaktohen dëme të mëdha dhe plagë shpirtërore, qofshin ato të qëllimshme apo të paqëllimshme. Dik Marti është një shembull eklatant dhe paprecedent, i cili i përdor institucionet evropiane për të shpërndarë thashetheme. Këtu s’kemi të bëjmë vetëm me manipulimin e tij nga qendra propaganduese serbe, më shqetësuese është, lehtësia se si institucionet evropiane paraqiten si bashkautorë në këtë krim kolosal përmes fjalës së lirë.

Vetëm naivët mund të besojnë se lufta e Kosovës për pavarësi, ka marrë fund vetëm me aktin e thjeshtë të shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Serbët vetëm e kanë ndërruar formën e luftës, ndërsa intensiteti i saj kurrë s’ka qenë më i fortë. Serbët e dinë mirë se çka kanë humbur, kosovarët s’dinë se çka kanë fituar. Atë që serbët s’e arritën me luftën e fundit gjenocidal , mundohen me luftën psikologjike përmes teknikave propagandistike ta kthejnë autoritetin e tyre mbi Kosovën. Siç është ky raport nga Këshilli Evropian.

Dik Marti mund të ketë shumë arsye, pse e ka shpallur atë raport. Ka gjasë të jetë një ndër Lobistët e shtetit Serb. Shumë gjë normale, pasi Lobizmi është profesion legal në mbarë botën dhe rregullohet me ligj, shumë Lobist për një sasi të caktuar parash, janë në gjendje të bëjnë edhe krime më të mëdha se kjo e Dikut. Sipas këtij konstatimi ky mund të jetë vetëm një deputet i korruptuar, pasi që i përdor institucionet evropiane për biznes personal. Ndërsa mundësia tjetër është që të jetë një person i komprometuar. Mbase “propaganda Staliniane” shquhet për metodat e saja të përpunimit të personave të komprometuar të cilët pastaj janë përdorur në mënyrë të pamëshirshme, për të kryer shërbime jo të ndershme. Këtë më së miri e di Dik Marti.

Por ku është roli i Këshillit Evropian këtu. Çka ndodh me Parlamentin Evropian ?Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian së bashku me Deputetin Dick Marti lozin rolin më të pandershëm të “dëshmitarit” të thashethemeve të mjeshtërve diabolik të propagandës serbe. I gjithë ky autoritet kolosal përdoret për ta bërë të besueshëm “raportin” dhe për ta formësuar opinionin publik ndërkombëtar si dhe qendrat e vendim marrjeve politike me peshë.

Mendoj se janë viktima të Propagandës së Zezë. Me këtë raport, propaganda serbe korr një sukses të paparë. Nga një shtet i cili, vetëm para disa vitesh ushtroi gjenocid të paparë, ndaj shumë fqinjëve të vet, vetëm me një raport të bazuar në thashetheme, viktimën e tij e shndërron në një bishë që ia shtien hatanë Evropës. Një barazim që mund ta arrijë vetëm propaganda me shkopin magjik.

Propaganda serbe, opinionin evropian e ushqen më shumë se një shekull, me një gamë dezinformatash përmes të cilave janë ndërtuar paragjykimet për shqiptarin. Ajo vetë është autor i imazhit të shqiptarit në mbarë botën. Më shumë se një shekull, janë kristalizuar paragjykimet për shqiptarët, mbi bazën e prodhimtarisë së stereotipeve nga propaganda serbe. Stereotipet për shqiptarin, janë ngulitur në kokat e evropianëve më shumë se një shekull. Shqiptari si: i egër, primitiv, i pabesë, i dhunshëm, impulsiv, krimogjen, narkodilerë, tregtarë të prostitucionit, terroristë, muxhahedinë, …të gjitha këta stereotipe, janë virtytet e shqiptarit që janë prodhuar nëpër kuzhinat e propagandës serbe dhe i janë shpërndarë apo servirur publikut ndërkombëtar, qoftë përmes kanaleve të MMC, qoftë përmes kanaleve diplomatike. Ky është imazh i vërtetë i Shqiptarit në mbarë botën. Kjo s’do të thotë, që shqiptarët s’kanë qytetarë me kësi virtyte. Ka boll. Qytetarë me tipare të tilla kanë të gjithë popujt e këtij planeti. Këto stereotipe të lartpërmendura për shqiptarin, janë të krijuara nga propaganda vetëm e vetëm për qëllime politike. Stereotipet si fenomene psikologjike, janë baza e ndërtimit të paragjykimeve për shqiptarin.

Është shumë lehtë që mbi këto stereotipe të prodhuara dhe të përhapura me vite, dhe mbi paragjykimet që janë krijuar për shqiptarin më shumë se një shekull, ( s’di a ka ndonjë shembull tjetër në botë) me një lehtësi kaq të madhe që të shartohet edhe “Raporti” i Dik Martit. Në gamën e stereotipeve për shqiptarin, mungonte vetëm ky i tregtimit të organeve. Është e kuptueshme shqetësimi i evropianëve. S’është ky një zanat për t’u pëlqyer.

Propaganda ec me kohën, ajo e ndjek më shumë se kushdo tjetër, aktualitetin. Në dekadën e kaluar temat më aktuale ishin “Tregtia me femrat për prostitucion”, “Tregtia me organet e njerëzve”, “Tregtia me narkotikë”, të gjitha këto tema janë të përfshira në raportin e tij. Tema kryesore në këtë “Raport”, është tregtia me organet, për shkak të aktualitetit. Kjo temë duhet ta shokojë opinionin evropian dhe ta frikojë. Si mund të pranohen Shqiptarët që të jenë të barabartë me evropianët ? Kjo “racë e egër”, që shet edhe organe serbe? Si mund të jenë pjesë të Evropës tregtarët me organe të njerëzve ? Kjo është ajo që duhet t’i shokojë evropianët.

Sipas mjeshtërit të madh të propagandës, Hitlerit ,” sa më e madhe që është rrena aq më lehtë njerëzit i besojnë”(J.E “Propagandes”). Prandaj që të besohet “Raporti”, i duhej një rrenë e madhe si kjo e tregtisë së organeve, edhe kur këtë e bën Lideri i një shteti (si që akuzohet Premieri i Kosovës !), tema e vërteton thënien e mjeshtrit të madh të propagandës.

Parlamenti evropian, si autoritet politik, është qesharake, që të jetë pre e propagandës serbe. Serbia bëri gjenocid ndaj fqinjësisë së vete me qindra mijëra viktima, akuza kaq të drejtpërdrejtë ndaj Premierit të Serbisë s’ka dalë nga foltorja e Institucioneve evropiane. Ndërsa për Premierin e Kosovës, rrodhën akuzat me një lehtësi të padurueshme. Evropa vuan nga mentaliteti diskriminues ndaj disave. Shumica e shqiptarëve mendojmë kështu.

Por për fuqinë magjike manipuluese të propagandës edhe atëherë kur jemi shumë të bindur se propaganda s’ka asnjë lloj ndikimi në qëndrimet dhe sjelljet tona, një autor serioz, na bën të dyshojmë në sigurinë tonë. “Personat që i janë nënshtruar propagandës, nuk besojnë aspak se janë të ndikuar nga ajo. Secili mendon se vullnetarisht gjendet në udhën e së vërtetës”…(Sauvy, “Nature Sociale”; J. Ellul, “Propagande” fq.191) Prandaj Evropa duhet të merr në konsideratë seriozisht, këtë gaf të deputetit të vet. Më së paku duhet që t’u kërkojë falje shqiptarëve për poshtërimin dhe ofendimin e bërë, që s’i ngjan civilizimit evropian.