Nisur nga fakti se gjithçka që ka shkruar njeriu mund edhe të ndryshojë, në disa raste patjetër edhe të ndryshojë, atëherë nuk shoh asnjë pengesë që kushtetuta aktuale e Maqedonisë të përjeton ndryshime rrënjësore.

Shkruan : Alisetar Ramadani

Titullin në fjalë e mora nga inspirimi që më bëri profesor Rufi Osmani kur tha se marrëveshja e Ohrit nuk është Kur-an..

Për çdo ditë jemi duke dëgjuar përfaqësuesin e shqiptarëve të Maqedonisë z. Ali Ahmeti duke na thënë se kushtetuta aktuale e Maqedonisë popullin shqiptarë e njeh si popull shtet-formues dhe bartës të sovranitetit, dhe me automatizëm kjo do të thotë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, si dhe alfabeti i gjuhës shqipe alfabet zyrtar!

Sa është e vërtetë kjo?

Me sa kemi njohuri, në preambulën e kushtetutës aktuale thuhet se shteti është shtet multinacional, dhe përmenden nacionalitetet që e përbëjnë këtë laramani kombesh të ndryshme si romët, turqit, serbet, vllahët, boshnjakët, myslimanët etj. dhe në këtë grup hyn edhe shqiptarët, ndërsa maqedonasit veçohen! Alfabeti dhe gjuha zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë është ai/ajo maqedonase, pa çka se ka fshatra dhe komuna që 100% janë shqiptare, aty fëmijët shqiptarë duhet ta mësojnë gjuhën maqedonase prej klasës së tretë (hiç më larg se vitin e kaluar u bë bujë rreth një ligji të cilin edhe partia e shqiptarëve në pushtet e pranoji, që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe nga klasa e parë!). Kjo që themi ia garanton kushtetuta aktuale popullit maqedonas! Ndërsa fëmijët maqedonas nuk e kanë për detyrë të mësojnë as në mënyrë fakultative gjuhën shqipe! Kjo tregon se gjuha shqipe nuk është zyrtare! Kjo tregon se populli shqiptarë nuk është shtet-formues dhe bartës i sovranitetit siç është populli maqedonas!

Me MO dhe ndërprerjen e luftës, të gjithë menduam se Maqedonia do të bëhet shtet dy nacional, shtet i dy popujve: popullit shqiptarë dhe popullit maqedonas! Kjo nuk ndodhi ngase menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes, kryetari i atëhershëm Trajkovski bëri operacione të “imëta” në këtë marrëveshje ku populli maqedonas mbeti sovrani! Dhe kështu 10 vjet me radhë për këtë marrëveshje flasin vetëm shqiptarët dhe aty këtu ndonjë zyrtar nga Evropa dhe SHBA-të! Maqedonasve nuk ju intereson kjo marrëveshje fare!

Sa populli shqiptarë është shtet-formues flasin edhe resorët shtetëror! Të gjitha resorët me rëndësi i kanë maqedonasit (kushtetuta ua mundëson atyre), ndërsa ne shqiptarët duhet të kënaqemi me resorë jo të rëndësishëm (kushtetuta nuk na lejon resorë me rëndësi sepse kryeministri është maqedonas dhe ai vendos sa resorë duhet t’ju takojnë shqiptarëve dhe cilat resorë, kurse shqiptarët së paku deri tani dmth këto 20 vjet gjithmonë kanë thënë – amin)! Pra, po qe se i ndajmë me numra, ne shqiptarët kemi pasur më së shumti 5 ministri, ndërsa maqedonasit 15 e më tepër! Ne ministri jo të rëndësishme, ndërsa maqedonasit: kryetarin e shteti, kryetarin e parlamentit, kryeministrin, MPB, MPJ, MM, atë të financave, të drejtësisë! Dhe disa mundohen me mish e shpirt të na bindin për atë se ne qenkemi shtet-formues! Hm! A nga ana tjetër ndodhi lufta!

Prandaj

Kushtetuta duhet patjetër të ndryshon, ku do të definohet qartë statuti juridiko kushtetues i shqiptarëve njësoj si i maqedonasve, dhe shteti të na takon njësoj edhe ne shqiptarëve siç ju takon edhe maqedonasve, as më shumë as më pak. Me kushtetutë të garantohet gjithçka për shqiptarët që ju garanton maqedonasve. Zërat gjithnjë janë në rritje që thonë se Kushtetuta aktuale diskriminon shqiptarët dhe favorizon maqedonasit, në praktikë e shohim se kjo është më se e vërtetë, prandaj pyes qartë: ku e sheh shtet-formësinë ti or Ali Ahmeti? Ndoshta nuk e din, por dua të ta përkujtoj se edhe gjatë sistemit komunist, në ksuhtetutën e Republikës Socialiste të Maqedonisë ne shqiptarët kemi figuruar së paku në letër si shtet-formues dhe bartës të sovraniteti ku edhe turqit kanë qenë si popull i tretë element konstituiv i RSM! Pse tentoni të na thoni se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë popull shtet-formues por pakicë kombëtare, kur që kjo nuk është e vërtetë?

Vlerat e luftës ne nuk i mohojmë aspak, por ajo luftë kishte një qëllim or i nderuar, pse shohim tjera fotografi sot? Pse ikin njerëzit jashtë? Pse janë të dëshpëruar shqiptarët me ju? Këto dëshpërime i hasim kudo, në biseda rasti, në oda burrash, në internet, në dasma, po edhe në raste vdekjesh, pra, temë aktualiteti është mjerimi dhe papunësia tek shqiptarët, si rrjedhojë e kësaj rritja e varfërisë së skajshme tek populli ynë! Ju flitni për muzetë, për Skënderbeun! Jo, ju nuk keni të drejtë, ju nuk e flitni realitetin, ju tentoni të shtrembëroni atë që nuk shtrembërohet, situatën tej mase të keqësuar të shqiptarëve, duke qëndruar në një odë me ato që kësaj situate i dhanë forcë, shpifje, nënçmim, fyerje, ndërsa juve duke ju dhënë komodinë dhe privilegje!

Kushtetua patjetër duhet të ndryshon, ndryshe kjo kushtetutë ne shqiptarëve asgjë nuk na garanton. Me këtë rast nuk përmenda investimet qindra milionëshe që shkojnë vetëm atje ku kushtetuta ju garanton gjithçka!