Kosova ka rreth 1.8 milion përdorues të telefonisë mobile
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka publikuar raportin “Pasqyrë e Tregut të Komunikimeve Elektronike”, i cili përfshinë ecurinë e indikatorëve kryesorë të tregut për tremujorin e katërt të vitit 2022.
Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të katërt (TM4-2022) është 1,783,419 përkatësisht për 8.3% më i ultë krahasuar me tremujorin paraprak TM3-2022, ndërsa 0.03% me i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM4-2021) “, thuhet në raport.
Sipas ARKEP-it, ngjashëm me numrin e përdoruesve, edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka rënie në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2021) është një ngritje e lehtë. Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 98.2% të numrit të popullsisë.
“Në periudhën TM4 2022 numri i parapaguesve të telefonisë fikse është 71,346, nuk paraqet ndonjë dallim të theksuar në krahasim me tremujorin e kaluar. Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë në këtë tremujor është 3.93% . Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit, e sidomos me shtetet e BE-së”, thuhet në raport.
Sipas raportit struktura e parapaguesve të telefonisë fikse është e njëjtë me TM-në e kaluar në mes të parapaguesve individualë dhe parapaguesve të biznesit, raporton RTKlive.
“Numri i linjave të internetit me qasje fikse brez gjerë deri në TM4 2022 i raportuar nga operatorët është dhënë në figurën e mëposhtme dhe shënon shifrën 383,834 parapagues të internetit. Nga kjo vërehet një rënie prej 3.43% në krahasim me TM3 2022, respektivisht pothuajse njëjtë me TM4 2021, (ulje shumë e lehtë prej 0.01%) . Ndërsa, penetrimi i internetit përmes qasjes fikse brezgjerë në internet për ekonomi familjare është 129.28%, përkatësisht penetrimi i internetit sipas banorëve (për 100 banorë) rezulton të jetë 21.10%”, thuhet në raport,
Numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil (Mobile Broadband) apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G në periudhën TM4 2022 ka arritur në 1,548,183 përdoruesish e që shënon një zvogëlim prej 6.1% krahasuar me TM3 2022, dhe një rritje prej rreth 8.9% krahasuar me TM4 2021.
“Trendi i numrit të parapaguesve të qasjes në internet përmes rrjetit mobil që nga fillimi i ofrimit të këtyre shërbimeve në treg është karakterizuar me një rritje të vazhdueshme . Në periudhën raportuese (TM4 2022) penetrimi i qasjes mobile është 85 % ndërsa i asaj fikse 21% për banor”, thuhet në raport.