Kurti, procesi i votimit i pranueshëm
(E plotësuar) Procesi zgjedhor filloi problematik në disa prej Qendrave të Votimit, por disa probleme janë zgjidhur dhe janë marrë masa pas reagimeve të njëpasnjëshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deklaroi në një takim me gazetarë, kryetari i kësaj Lëvizje, Albin Kurti. “Ne jemi duke e monitoruar imtësisht procesin, në secilën qendër e ne secilin vendvotim, dhe duke raportuar edhe për shkelje më të vogla i parandalojmë shkeljet e mëdha”, tha Kurti.
Ai tha se këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës, “për të ardhmen e secilit prej nesh”. Kurti tha se pjesëmarrja e madhe në këto zgjedhje do të bënte të pamundura manipulimet dhe tentativat për të deformuar vullnetin e votuesve. Ai tha se këto zgjedhje janë historike sepse ndodhin në një moment kur diskutohen tema politike tepër të rëndësishme për popullin tonë. “Pushteti i ardhshëm do të vendosë nëse do të ketë negociata me Serbinë apo nëse ato do të ndërprehen, do të vendosë nëse do të vazhdojë procesi i privatizimit të kompanive të rëndësishme publike, apo nëse këto do t’i kthehen qytetarit të Kosovës, e vendimi për këtë pushtet është i juaji. Prandaj ju ftoj të dilni të votoni të gjithë, me familjet, miqtë e shokët tuaj, sa më pasivisht”, tha Kurti.
Ai e ftoi rininë gjithashtu të dalë masivisht në zgjedhje, sepse sot po vendoset për të ardhmen e tyre. Ai bëri apel që qytetarët të mos e lënë votën për momentet e fundit, paraqituni sa më shpejt në qendrat e votimit në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë, e të kemi mundësinë të ruajmë votat e secilit prej ju. “Sot është dita kur qytetari i Kosovës ka mundësi të vendosë, e sot ju ftojmë për të vendosur”, tha Kurti. / BS
* * * * * *
“Vetëvendosje!”: Fletëvotimet jashtë qendrave të votimeve (Video)
Lëvizja “Vetëvendosje!” e cila sivjet po merr pjesë për herë të parë në zgjedhje, sot gjatë gjithë ditës ka njoftuar për parregullsi në disa qendra votimi. Në ditën kur po votohet anembanë Kosovës, Lëvizja “Vetëvendosje!” ua ka shpërndarë medieve një xhirim të shkurtër amator, ku shihet që në një qendër të votimit, që thuhet të jetë diku në Prizren, disa persona shpërndajnë fletëvotime jashtë qendrave të votimit. Sipas kësaj lëvizjeje, bëhet fjalë për Qendrën Nr 204/A në shkollën “Gani Cavderbasha”, në Prizren.
Sulmohen qendrat mobile të votimit në veri të Kosovës
Në veri të Republikës së Kosovës, më konkretisht në Banovdo dhe në Jashevik të Zubin Potokut janë sulmuar qendrat mobile të votimit me shumë mjete piroteknike. Kurse në fshatin Serbovac një grup serbësh po e pengojnë procesin e votimit.
Sipas medieve personat që kanë sulmuar ekipet mobile janë Millan Raje, Millosh Kabashiq dhe personat me pseudonimet Gjakovice dhe Mitrovica. Ata po ashtu kanë kërcënuar që ekipet mobile të hiqen me njëherë, ose do të sulmohen me armë zjarri.
Ndërkaq në fshatin Serbovac, janë tubuar rreth 30 person atë komunitetit serb në mënyrë që të pengojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve
* * * * * * *