10:25- VOTOI ISA MUSTAFA

 Lideri i LDK-së, Isa Mustafa votoi rreth orës 10.00 në qendrën e votimit pranë shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. Mustafa shprehu besimin për zgjedhje të lira dhe demokratike.

 “Sot është një ditë e rëndësishme për Kosoven dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë”, theksoi Mustafa duke shtuar se do të fitoj ai që do të merr votën e qytetarëve të Kosovës.

10: 15 – “DEMOKRACIA NË VEPRIM” VLERËSIM POZITIV 

“Demokracia në Veprim”, ka vërejtur parregullsi në disa vendvotime për shkak se nuk kanë funksionuar llambat ultravjollce, për të cilat është thënë se janë të cilësisë së dobët.

Sipas “Demokracisë në Veprim”, të gjitha vendvotimet janë hapur përkundër vonesave në disa vendvotime për shkak të mungesës së materialit zgjedhor.

Driton Selmanaj, nga koalicioni “Demokracia në Veprim”, në paraqitjen e parë për media, ka thënë në terren janë pesë mijë vëzhgues, të cilët nuk kanë raportuar për ndonjë incident që ka ndikuar në procesin zgjedhor.

Në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas tij, janë 36 vëzhgues që po përcjellin votimin në ekipet mobile. “Demokracia në Veprim” nuk ka informacione për procesin e votimit në këtë pjesë të Kosovës, por ekipet mobile të KQZ-së janë në terren.

Ndërkohë llambat e cilësisë së dobët janë zëvendësuar me pesë mijë llamba që kanë mbërritur si ndihmë nga Shqipëria, mëngjesin e së dielës.

09:45 –  VOTUAN HASHIM THAÇI DHE BLERIM SHALA

 

Votën e tyre e dhanë dhe lideri i PDSK-së dhe kryeministri në ikje, Hashim Thaçi dhe nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala.

 

Dy krerët e këtyre forcave politike votuan në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

 

Thaçi dhe Shala kanë uruar të gjithë qytetarët për ditën e zgjedhjeve, duke apeluar që të  shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

 

Kryeministri Thaçi vlerësoi se këto zgjedhje janë të rëndësishme për Kosovën për shkak se sipas tij, ato po mbahen për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Ftoj qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese që të dalin sa më masovikisht në këto zgjedhje dhe të japin votën e tyre”.

09:35 – KQZ: PROCES I RREGULLT I VOTIMEVE NË TËRË KOSOVËN

KQZ në Prishtinë në konferencën e parë me gazetarët njoftoi për një proces të rregullt të votimit në tërë Kosovën.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka tha se në mbarë Kosovën janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet në orën 7, ndërkaq në veriun e Kosovë përpos qendrat e votimit dhe vendvotimet ka edhe ekipe mobile të cilat janë hapur në orën 9.

Ajo theksoi se nuk ka pasur ndonjë problem me të cilin janë ballafaquar gjatë hapjes së të gjitha qendrave dhe vendvotimeve në tërë territorin e Kosovës.

09:20 – VOTOI LIDERI I VETËVENDOSJES, ALBIN KURTI

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka hedhur votën e tij në prani të disa aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në fakultetin juridik ne ora 8:30.

Në një prononcim të shkurtër para medieve ai ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të dalin në votime duke i vlerësuar këto zgjedhje si zgjedhjet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës.

Ai ka porositur qytetarët që të ndajnë vetëm një orë kohë gjatë ditës të marrin një laps me vete dhe të votojnë për ndryshimet në vend.

09:15 – INCIDENT NË ZUBIN POTOK

Një incident në Zubin Potok në veri të Kosovës është regjistruar sot herët në mëngjes vetëm pak çaste pas hapjes së vendvotimit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti njoftoi se në drejtim të zyrës së KFOR-it në Zubin Potok është shtënë me armë zjarri.

Sipas tij, organet e sigurisë kanë nisur hetimet dhe janë në ndjekje të rastit, pas këtyre të shtënave nga persona të paidentifikuar.

Nga ana tjetër, të gjitha vendvotimet janë hapur në pjesën e veriut të Kosovës dhe se nuk janë regjistruar parregullsi.

07:20 – Në Kosovë po zhvillohen sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, me ç`rast mbi 1,6 milion qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin deputetet e Parlamentit të parë të dalë nga zgjedhjet e para të përgjithshme nga shpallja e pavarësisë së vendit në shkurt të vitit 2008.

Nga ora shtatë e mëngjesit janë hapur 346 qendrat e votimit me gjithsejtë 2.280 vendvotime, të cilat do të mbyllen deri në orën 19-të.

Gjithsejtë 29 subjekte politike konkurrojnë për të siguruar pjesëmarrje në Parlamentin 120 vendesh.

Zgjedhjet e sotme vlerësohen si një sprovë e shtetit të ri. Ato po vëzhgohen nga 32 mijë vëzhgues të partive politike dhe organizatave vendase e ndërkombëtare, ndërsa për të ruajtur rendin dhe sigurinë janë angazhuar 6 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të mbështetur edhe nga EULEX dhe trupat e KFOR-it.

Zgjedhjet e sotme janë zgjedhjet e para parlamentare pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ato shihen si një sprovë e rëndësishme për maturinë politike dhe demokratike të Kosovës, posaçërisht për faktin se ato u organizuan në një kohë të shkurtër dhe në tërësi nga vet institucionet e shtetit të ri.

Pas këtyre zgjedhjeve pritet që Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të nisin bisedimet për çështjet praktike të interesit të përbashkët, që synojnë ndryshimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Beogradi vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës e cila deri tash është njohur nga 72 vende të botës. (INA)