Nga paratë në SHBA te pronat në Egjipt, raportet sekrete të avokatit në CIA për pasurinë e Ahmet Zogut
(NGA ARKIVI I CIA-s)
SHERADIN BERISHA
Botuar në DITA
Në gazetën “DITA”, të datës 22 shkurt 2023 botohet reagimi i nipit te Ahmet Zogut, djali i Leka Zogut, lidhur me grabitjen e floririt te thesarit te shtetit prej ish-Mbretit Zog kur u arratis më 6 prill 1939. Me këtë rast, po botojme shkrimin e portalit pashtriku.org, i bazuar në dokumentat e CIA-s: “Personalisht më duket e tepërt që t’i kushtohet një emision një dokumenti të shkruar për hesap të pushtuesit të kohës. Profilet sociale të AQSH bëjnë sensacion me copa letrash. Vendi nuk ka nevojë për sensacione, por për ndershmëri”, – thuhet ndër të tjera në reagimin e nipit të Zogut.
Pashtriku.org, 24. 10. 2016:
Në prill të vitit1939, kur Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria kishtë marrë me vete edhe arin e shtetit. Tashmë një numër i deklasifikuar dokumentesh – raportesh “sekrete” të CIA’s amerikane (në vitin 2006) dëshmojnë edhe për vlerën e Floririt të grabitur. Këto raporte janë hartuar nga avokati amerikan në Nju Jork, Edgar M.Church, i cili kishte hyrë në kontakt me oborrin mbretëror të Zogut dhe ishte bërë avokat i tij në ShBA. Atëkohë Ahmet Zogu me familjen mbretërore jetonte në Aleksandri të Egjiptit, nën mbrojtjen e Mbretit Faruk. Z.Church, lidhjen me oborrin mbretëror të Zogut e bëri përmes gruas së tij Konteshës Margaret, e cila ishte dhe kushërira e Geraldinës, gruas së Ahmet Zogut. Në këtë kohë Avokati Church e informonte CIA’n për të gjitha zhvillimet që ndodhnin në oborrin e Ahmet Zogut.
Raporti i parë, nga z. Church u përpilua në mesin e shtatorit 1949, ndërsa CIA e ka administruar zyrtarisht më 30 shtator 1949. Në këtë raport ai bëri një përmbledhje të gjendjes financiare të Ahmet Zogut në SHBA. Kishte 108 mijë dollarë në bankën National City Bank, rreth 5000 dollarë në fondin Guaranty Trust, pastaj toka dhe një ndërtesë në Aleksandri me vlerë rreth 40 000 lira egjiptiane, xhevahiret e kurorës së Shqipërisë me vlerë rreth 200 dollarë, dhe rreth 750 000 dollarë në flori nga rreth 3 milionë që mori kur u largua nga Shqipëria. Në raport gjithashtu theksohet se Zogu paguante 115 dollarë në muaj për gjyshen e gruas së tij – 82 vjeçe, Madame de Strahl D’Ekna, e cila jetonte në SHBA. Pastaj kujdeset për 4 motrat e gruas së tij dhe vëllain e saj, John Apponyi, i cili vuante nga tuberkulozi në një sanatorium të Siçilisë në Itali, për disa çështje private që kishin ndodhur në familjen e oborrit të A.Zogut, etj.
– Ahmet Zogu me gruan, Geraldinën dhe djalin, Leka I –
Në vazhdim lexoni dokumentin e CIA’s amerikane:
***
Klasifikimi Sekret – Vetëm për zyrtarë të Shteteve të Bashkuara
CIA – AGJENCIA QENDRORE E INTELIGJENCËS
Raporti informativ Nr. 00-B-8501-49
CD Nr. G-162
Çështja 2860
Data e Regjistrimit: 30 Shtator 1949
Nr i faqeve: 3
Shteti: Shqipëria
Subjekti: Mbi Statusin Personal dhe Financiar të Ish-Mbretit Zog
Vendi ku u sigurua:
Data kur u thith nga burimi: Në mesin e Shtatorit 1949
VLERËSIMI MBI INFORMACIONIN:
Gjykimi mbi zyrën nga ka ardhur: Nuk mund të gjykohet
Opinioni i burimit mbi përmbajtjen: Me shumë gjasa informacion i vërtetë.
BURIMI: Një avokat i suksesshëm, i moshës 38 vjeç, i angazhuar me një zyrë ligjore shumë të njohur në SHBA. Nëpërmjet lidhjeve familjare, ai ndodhet shumë pranë mbretit Zog dhe vepron si përfaqësuesi i tij ligjor në Shtetet e Bashkuara.
Asetet e ish-Mbretit Zog përfshijnë:
a) 108 mijë dollarë në “National City Bank’ New York”
b) Afërsisht 5 mijë dollarë në “Garantee Trust Company”
c) Një ndërtesë dhe truall në Aleksandri, Egjipt, e vlerësuar 40 mijë Lira Egjiptiane
d) Bizhuteri të kurorës shqiptare që kapin një vlerë rreth 100 mijë dollarë, ndoshta dhe më tepër.
e) Rreth 450 mijë dollarë, të mbetura nga rezervat e arit të cilat Zogu i mori nga Shqipëria dhe i çoi në Egjipt dhe që në total vlerësohen si 3 milionë dollarë.
2. Zogu ka një farë detyrimi moral për t’iu gjendur gjyshes së gruas së tij, duke i dhënë çdo muaj një shumë prej 115 dollarësh. Ai nuk ka detyrime të ngjashme në Shtetet e Bashkuara me sa kam unë dijeni. Në shtete të tjera, ai ka përgjegjësinë dhe kujdestarinë për gruan e tij, katër motrat e tij dhe kunatin e tij, John Apony, i cili është i shtruar në një sanatorium për tuberkulozin në Siçili. Përveç këtyre detyrimeve, unë nuk mendoj që Zogu mund të ketë të tjera detyrime. Miku i tij i ngushtë, Mbreti Faruk, nuk do ta lejonte asnjëherë që ai të hynte në borxhe në Egjipt.
3. Zogu nuk ka burim të ardhurash në SHBA përveçse interesit që përfiton nga llogaria e tij bankare. Nuk mendoj se ai merr ndonjë të ardhur nga shqiptarët në Shqipëri apo në SHBA.
4. Të vetmet pagesa që ai i kryen rregullisht janë për gjyshen e gruas së tij. Këto pagesa ai i kryen çdo dy muaj ose çdo tre muaj.
5. Zogu nuk ka kryer asnjë tërheqje apo depozitim domethënës të ardhurash në llogarinë e tij bankare që prej Prillit të vitit 1949.
6. Në kuadër të grupimit të tij politik, çështjet financiare i janë lënë në dorë Kryeministrit të tij dhe Truprojës Sotir Martini. Martini rrallë herë largohet prej tij dhe mbikëqyr të gjitha bizneset e Oborrit. Punët e pista të Zogut i janë besuar kontit Alexander De Villa. Zogu përpiqet shumë me vetëmenaxhimin, ndërsa të gjitha përkthimet ia bën bashkëshortja e tij Geraldina.
7. Në kompaninë ligjore ku punoj, jam i vetmi që mbuloj bizneset e Zogut. Shumica e komunikimeve të mia me Zogun bëhet nëpërmjet letërkëmbimit me Geraldinën, asnjëherë me Zogun drejtpërdrejt. Çështjet urgjente komunikohen direkt me telegraf. Korrierët nuk përdoren asnjëherë ndonëse unë kam ngritur një sistem i cili mund të përdoret në raste urgjente.
8. Të vetmet kontakte aktive të Zogut në Shtetet e Bashkuara mbahen me gjyshen e bashkëshortes së tij, gruan time, me mua vetë si dhe me shtetasin John Blackburn i cili është bashkëshorti i Virginias, motrës së Geraldinës. Në një letër të fundit që Geraldina i ka dërguar gjyshes së saj, ajo i shkruan se Zogu është përqendruar fort në një grup shqiptarësh, ose disa grupe shqiptare, të cilët ndodhen aktualisht në SHBA. Një pjesë e kësaj letre thoshte:
“Bashkëshorti im i dashur është tepër i shqetësuar për çdo detyrë shoqërore. Gjërat, siç edhe mund ta kesh kuptuar, nuk është se po na shkëlqejnë, për më tepër atë e bluan fakti se fuqitë nuk kanë për ta dëgjuar atë, apo nuk kanë për ta përdorur fare atë; dhe se kanë formuar një farë Komiteti Shqiptar, i cili nuk ka lidhje fare me realitetin në Shqipëri, e që përbëhet nga ca marioneta që përplasen ndërmjet vetit. Gjithsesi ata po shkojnë në Uashington dhe të paktën Shqipëria do mund të përfaqësohet, pavarësisht nivelit të ulët të përfaqësimit. Kjo lëvizje mund të shkaktojë dhe shkëndijën për të plasur lufta apo trazira atje në tre javët e fundit, por nuk ka për të ndodhur nëse rusët tregohen më të fuqishëm se krahu tjetër. Financiarisht dhe ne nuk është se kemi përfituar ndonjë gjë”.
Në kontekstin e kësaj letre, unë besoj se Zogu mund të shtyhet për tu bërë më miqësor dhe i lidhur me grupin që përmend Geraldina në këtë letër.
9.Përfaqësuesit ligjorë të Zogut jashtë vendit, unë nuk i njoh. Unë e kam kuptuar se ai ka një avokat në Aleksandri i cili më pas shikon në mënyrë të hollësishme të gjitha dokumentet që unë përgatis për Zogun. Por unë nuk e di si quhet ky avokat.
10. As firma ime ligjore dhe as unë personalisht nuk kam kontakte në Shqipëri, por unë besoj se Zogu ka kontakte në vijimësi me nëntokën dhe rrjetin shqiptar. George Gog, i cili drejton policinë e pallatit të Zogut, mundet që të hyjë e të dalë nga Shqipëria. Anëtarët e rrjetit të tij shpesh lëvizin nga Shqipëria në Egjipt.
11. Nuk ka pikë dyshimi se regjimi aktual në Shqipëri, ka pretendime kundër Zogut, pasi e bëjnë përgjegjës se ka marrë nga Shqipëria 3 milionë dollarë flori’. Zogu nga ana e tij thotë se i ka shpenzuar këto para për mbajtjen e Oborrit të tij në ekzil dhe se i ka shpenzuar me korrektesën më të madhe. Vetëm 450 mijë dollarë flori’ i kanë mbetur tani. Askush nuk e ka të qartë atë që ka ndodhur vërtetë, si në kuptimin ligjor apo dhe të tjera aspekte.
12. Geraldina, gruaja e Zogut, është tërësisht e përkushtuar ndaj tij, pavarësisht veprimeve të tij të pamatura.
13. Kontesha Margaret Sherr-Thoss është një nga kushërirat e Geraldinës dhe vajza e nënës birësuese të Geraldinës. I ati i Margaretës ka qenë Shefi i Inteligjencës Ushtarake Gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe tani jeton në Klagenfurt, Austri.
Mamaja e Margaretës, ishte amerikane dhe u detyrua të bëjë vetëvrasje nga Gestapo, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Margareta është vajzë e lezetshme, por ajo s’mund të japë ndonjë ndihmë me aq gjëra sa di. Vëllezërit e saj, që të dy qytetarë amerikanë, janë shumë të pamatur.
14. Gjyshja e Geraldinës, Madame De Strahl d’Ekna, e moshës 82 vjeç, jeton në Shtetet e Bashkuara. Ajo nuk ka ndonjë ndikim mbi Zogun, por përpiqet vazhdimisht që të bindë atë dhe Geraldinën që të vijnë në SHBA. Ajo ka një imagjinatë të spikatur dhe sapo ka shkruar një libër mbi Zogun të cilin kërkon ta tregtojë si skenar për realizimin e filmave.
15. Motra e Zogut, Zenida (Senija), është një grua idiote e cila ka një ndikim të tmerrshëm mbi të vëllanë. Zogu dhe Zenida kanë një lidhje incesti aktualisht, lidhje për të cilën Geraldina nga ana e saj ka dijeni.
16. Konti Alexander De Villa, i njohur me nofkën “Skënderi”, është operatori i Zogut për punët e pista. Ai ka namin se është sjellë në Oborrin Mbretëror për të argëtuar Geraldinën, ndërsa Zogu nga ana e tij plekset me Zenidën. De Villa është gjysmë francez dhe gjysmë shqiptar, babai i tij ka qenë ambasador në Francë. Ai është një njeri shumë malinj dhe i pandershëm në kulm. Në vitet e kaluara ai ka trafikuar drogë në Francë , të cilën e fuste në valixhet diplomatike. Ai është një mik i ngushtë i Farukut dhe po përpiqet që të organizojë me të nxjerrjen jashtë Egjiptit të 450 mijë dollarëve flori’ të mbetur aty.
17. George Gog është Shefi i Rojave të Pallatit të Zogut, përgjegjësi për sigurinë. Ai është gjë e sigurt (siç e quajnë shqiptarët), i pashëm, tipik ushtarak dhe relativisht i ndershëm. Ai shkon e vjen nga Shqipëria dhe mban kontaktet me rrjetin atje.
18. Kemal Bej Mesari, është kujdestari i Oborrit. Ai mban një palë syze-teke, pëlqen veshjet sportive dhe vepron si spiun i Zogut. Kur e vizitova për herë të parë Zogun, Mesari më pa dhe më dëgjoi mua në hollin e hotelit për 2 orë përpara se të prezantohej vetë dhe të më shoqëronte për në pallat.
19. Planet e Zogut në të ardhmen përfshijnë marrjen e një shtëpie në Francë në verën e vitit 1950 dhe rikthimin në Aleksandri në dimër. Fiksimi i tij është të kthehet në Shqipëri dhe të dëbojë sovietikët. Ai kërkon mbështetje materiale ushtarake dhe këshilla nga SHBA, por mendon se mund të sigurojë edhe mbështetjen e arabëve të fuqishëm për të ngritur ushtrinë e tij. (Ai është shumë i afërt me Farukun dhe Ibn Saud). Zogu i ka përzemër çështjet ushtarake dhe do ishte shumë komod të diskutonte për to me një oficer ushtrie të rangut kolonel ose dhe më lartë. Nëse Zogu do të jetë efiçent, ai me patjetër duhet të shkëputet nga ndikimi femëror dhe të mendojë më tepër si të kryesojë ndonjë projekt ushtarak që do çlironte Shqipërinë. Ai më ka thënë se do të donte të luftonte për Shqipërinë, atje ku populli i tij po e kërkon. Më tej ai më tha se do përballej me një plebishit dhe se do të ikte jashtë Shqipërisë nëse do dilte i mundur.
***
PLANET E CIA’s PËR RRËZIMIN E REGJIMIT NË SHQIPËRI
Në vitin1949, CIA kishte bërë edhe planet për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe ishte e gatshme të bashkëpunonte me të gjithë shqiptarët e ikur në perëndim, që ishin kundër Enver Hoxhës. Megjithatë një prej planeve ishte bashkëpunimi me italianët për të futur agjentë me aeroplanë përmes ajrit.
Operacionet e inteligjencës në Shqipëri nga Italia e Greqia
Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë:
Plani I
Operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore. Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra. Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi, dhe transporti u sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet të datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIAn, është Ismail Verlaci.
Infiltrimi i agjentëve
Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur me mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht, ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri. Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes.
Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit, por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak.
Më 24 prill, Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill, ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.
Plani II
Një tjetër plan po përgatitet aktualisht në Itali dhe pritet të hyjë në fazën operacionale në qershor. Aktualisht agjentët, që me shumë gjasa do të lëshohen nga ajri, duket se nuk kanë shumë mundësi për propagandë apo krijim rezistence. Nëse në të ardhmen potenciali i tyre rritet, dega e OPC do të informohet.
Plani III
Ky plan është aprovuar më 1 mars 1949 dhe ka të bëjë me përdorimin e personelit nga organizata Keva, më e madhja e refugjatëve grekë nga Shqipëria e Jugut (e njohur ndryshe si Epiri i Veriut) për mbledhjen e inteligjencës. Agjentët e këtij operacioni janë Stefanos Venakides, sekret i Keva, dhe një punonjës i bankës kombëtare të Greqisë, Nikolaos Pangos, zëvendës-president i Keva. Këta dy individë kanë punuar prej kohësh në infiltrimin e agjentëve në Shqipërinë jugore, dhe raportojnë për një total prej tetëmbëdhjetë agjentë në qytetet shqiptare të Gjirokastrës, Leskovikut, Përmetit, Vlorës, Koriza dhe Himarës. Aktualisht, pesëmbëdhjetë korrierë janë të gatshëm për kalimet kufitare. Një listë prej njëzet e shtatë agjentësh të njohur dhe korrierë nga organizata Keva, bashkë me vendndodhjet dhe punësimet e tyre, i është bashkangjitur dokumentit. Organizata Keva ka një rang të gjerë funksionesh, duke përfshirë aktivitete ndihmëse në Greqi dhe grupe rezistencë në Shqipëri, me një anëtarësi prej rreth 5000 njerëzish në Greqi dhe rreth 2300 në Shqipëri, sipas raportimeve. Objektivat e këtij operacioni përfshijnë mbledhjen e inteligjencës mbi grupet e rezistencës në Jug të Shqipërisë dhe programet e planet e tyre, të dhëna mbi portet e aeroportet, ndërtimet, si dhe mbi asistencën që Shqipëria i jep rebelëve grekë. Korrierët do të nisen në kufirin shqiptar për krijimin e rrjeteve të agjentëve. Bazat kryesore të këtij operacion janë në Athinë, por është planifikuar që ato të zhvendosen në Janinë. Pritet që grupet e para të korrierëve nën drejtimin tonë të nisen pas disa javësh. Ndërkohë, është marrë një numër i vogël lajmesh me vlerë, mbi aktivitetet e dy zyrtarëve të grupit Keva të identifikuar më sipër. Pritet që produktet e rëndësishme të këtij operacioni të rriten në mënyrë të konsiderueshme kur drejtimi dhe mbështetja jonë të ndjehen më shumë.