Thaçi: Zgjedhjet e 12 dhjetorit do të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare

Prishtinë-Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së Hashim Thaçi, ka shfaqur besimin se zgjedhjet e 12 dhjetorit do të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa formimi i institucioneve të reja do të bëhet brenda afateve kushtetuese dhe ligjore.

Ai këto komente i bëri të mërkurën në një konferencë për media në selinë e PDK-së, më ç’rast ka theksuar se në mandatin e ardhshëm do të dyfishojë buxhetin dhe do të rrisë luftën kundër ekonomisë jo formale.

“Në mandatin e ardhshëm do të dyfishoj buxhetin dhe do të rris luftën kundër ekonomisë joformale, e cila pa dyshim është brengë e madhe e shoqërisë sonë. Me lejoni që sot të adresoj luftën kudër ekonomisë jo formale përmes masave që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë në vazhdimësi dhe të cilat do të intensifikohen në mandatin tonë të ardhshëm. Përmes luftimit të ekonomisë joformale, e cila vlerësohet për mese 40 për qind transaksione ekonomik, buxhetit të Kosovës do t’i shtohen mbi 150 milionë euro në vit”, tha Thaçi.

Sipas tij, luftimi i ekonomisë informale do të bëhet përmes instalimit te softuerit operacional në dogana, instalimit të arkave fiskale, kontrollit në terren, forcimit të kapaciteteve të Policisë së Kosovës për krimet financiare dhe krijimin e një task force për parandalimin e invazionit fiskal dhe kontrabandës në veri.

Për më tepër Thaçi ka premtuar se do të inkurajojë investimet private, do sigurojë përfshirjen e sektorit privat në procesin reformues, do të zvogëlojë çrregullimin e tregut të fuqisë punëtore dhe do të ndërtojë një ekonomi tregu stabil.

I pyetur rreth mundësisë së konstituimit të Kuvendit të Kosovës deri në fund të vitit, Thaçi ka theksuar se institucionet do të krijohen shumë shpejt pas shpalljes së rezultateve.

“Ne duhet të respektojmë të gjitha procedurat e shpalljes së rezultateve zgjedhore edhe nga KQZ edhe nga PZAP dhe procedurave tjera , kështu që kjo nuk varet nga unë, por varet nga aspekte procedurale, por besoj që do të ndodhë shpejt , por kam besim se zgjedhjet do të jenë të një standardi të lartë ndërkombëtare të gjithë do të pranojnë rezultatin zgjedhor dhe do të formojmë shpejt institucione stabile dhe efikase. Çdo gjë do të jetë në afatin kushtetues dhe ligjor”, ka theksuar Thaçi.