Thaçi: Vizioni kryesor i PDK-së është integrimi në të gjithë institucionet euro-atlantike
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi duke folur para mijëra qytetarëve të Burimit, që ishin mbledhur në Shtëpinë e Kulturës të këtij qyteti, ka theksuar se tani pas çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, vizioni kryesor i Partisë Demokratike të Kosovës është integrimi i plotë i Republikës së Kosovës në të gjithë institucionet euro-atlantike.
Thaçi në takim ka potencuar të arriturat kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Në veçanti, kryeministri Thaçi ka potencuar investimet e fuqishme dhe të vazhdueshme që qeveria i ka bërë në arsim, në infrastrukturë, si dhe në përgjithësi reformat në politikë, legjislacion dhe në ekonomi.
Me theks të veçantë, kryetari i PDK-së është ndalur tek hapat që i ka ndërmarrë qeveria nën drejtimin e tij, sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe krijimit të klimës së favorshme për investime në Republikën e Kosovës.
Fillimi i hovshëm i punimeve për ndërtimin e autostradës së kombit, nga Vërmica në drejtim të Prishtinës deri në Merdarë, është një e arritur jashtëzakonisht e madhe, është projekti më kapital që ka ndodhur në Kosovë në historinë e saj më të re. Ne do ta përmbyllim këtë projekt me sukses të plotë dhe asnjë ditë nuk do të ketë ndalje të punimeve,– siguroi qytetarët e Burimit, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës ka investuar shumë në edukim, në reformimin e sistemit të edukimit, në ngritjen e infrastrukturës shkollore, në rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e arsimit universitar dhe parauniversitar. Këtë e kemi bërë ngase ne edukimin e kuptojmë si zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës. Këto investime do të vazhdojnë edhe më fuqishëm në mandatin e ri qeverisës të PDK-së,-theksoi Thaçi.
Në takimin elektoral në Burim, u bë edhe prezantimi i kandidatëve të PDK-së për Kuvendin e Kosovës nga ky rajon: Idriz Blakaj, Ganimete Visoqi dhe Myrvete Dreshaj-Baliu.