Obama dhe Clinton urime të gjithë shqiptarëve për 28 Nëntorin
Presidenti amerikan Barack Obama dhe sekretarja e shtetit, Hillary Clinton uruan popullin shqiptar për Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntorin.
Në mesazhin e urimit, i mbajtur edhe në emër të presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Clinton nënvizon se “Historia e miqësisë dhe interesat e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u konsoliduan në Konferencën e Parisit të vitit 1919, kur Presidenti Wilson mbështeti fuqimisht pavarësinë e Shqipërisë”.
“Që prej atëherë Shqipëria ka dhënë një ndihmesë të çmuar për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Si partnere e NATO-s dhe si këshilltare e vendeve të tjera të Ballkanit, që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm dhe aktiv për avancimin e integrimit dhe stabilitetit rajonal. Shtetet e Bashkuara respektojnë gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Afganistan dhe dedikimin e saj për mbrojtjen e paqes në botë”, thuhet në mesazhin e sekretares Clinton, botuar në faqen online të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ajo vlerëson se heqja e vizave për Shqipërinë është “një tregues i fortë i përparimit që vazhdon të bëjë vendi drejt anëtarësimit të plotë në komunitetin euro-atlantik” dhe thekson se “mbështetja e SHBA-së për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet e fuqishme.”
Duke shprehur optimizmin për “vazhdueshmërinë e partneritetit me Shqipërinë për çështje me rëndësi rajonale dhe globale”, Hillary Clinton mbyll mesazhin e saj drejtuar popullit Shqiptar me urimin:
“I uroj të gjithë popullit shqiptar festime të mbara dhe të gëzueshme të Ditës së Pavarësisë”. Dita e Pavarësisë u urua dhe nga presidenti amerikan Barack Obama nëpërmjet një mesazhi që i kishte dërguar të premten presidentit shqiptar Bamir Topi