Shpëtim POLLOZHANI

Një fëmijë që fillon të ecë në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, gjithë jetën do të ketë probleme me të ecurit. Ligji për Lustrim në Maqedoni u soll në vitin 2008, d.m.th tetëmbëdhjetë vite pas ndërrimit të sistemit represiv (në veçanti për shqiptarët) në Maqedoni. Kjo është një vonesë shumë e madhe, pasi të gjitha partitë, edhe ato që janë në pozitë edhe ato që kanë qenë në opozitë kanë qenë pjesë e pushtetit dhe kanë patur mundësi të bëjnë krehjen dhe pastrimin e arkivave të ndryshme. Këto parti kanë formuar edhe arkivat e veta partiake të cilat sipas nevojës do t’i përdornin për baltosjen e kundërshtarit politik, punë që është duke ndeshur në ditët e sotmeTë bëjmë vetëm një zbritje historike. Pas Luftës së Dytë Botërore, të gjithë ata që bënë zullum në Gjermaninë naziste u lustruan dhe u dënuan duke u degraduar nga postet ushtarake dhe ofiqet e ndryshme. Këtyre personave iu konfiskuan edhe pronat. Gjermania postnaziste bëri një prerje cezariane në jetën e vet shoqërore dhe politike dhe mori udhën e mbarë. Pas rënies së Murit të Berlinit, vetëm nga procesi arsimor në Gjermani u larguan 17000 persona dhe nga jeta publike mbi 180 000. STAZ-i dhe nën-shërbimet e tjera sekrete u reformuan 100%. Pas këtyre dy lustrimeve sot Gjermania është superfuqi në botë. Edhe në Çeki dhe Hungari u bë një lustrim thelbësor. Të gjithë nëpunësve të shërbimeve sekrete në këto shtete për pesëmbëdhjetë vite iu ndalua të merren me politikë. Polonia gjithashtu bëri një lustrim edhe më të thellë. Si rezultat i lustrimit ra kryekardinali i kishës katolike në Poloni. Në Bullgari, Rumani, Serbi dhe Maqedoni, ku ka dështuar dhe po dështon procesi i lustrimit kemi demokraci të kriptokomunistëve (komunistë të konvertuar-fshehur). Në këto vende demokracia po çalon dhe ekonomitë nuk po ecin. Ne këto shtete nuk u bë një ndryshim i administratës dhe sistemeve, por vetëm bartja e pushteteve nga komunistët tek partitë socialiste ose socialdemokrate. Kjo i ngjan një grupi muzikantësh, i cili ndërron vetëm emrin dhe këmishat, por jo edhe muzikën.
Arkivi sekret i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Maqedonisë pas ndërrimit të sistemit u transferua në arkivin e LSDM-së. Kjo për faktin se sekretari i fundit i arkivit të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë ishte Tito Petkovski. Në sistemin komunist Tito Petkovski ishte njeriu i dytë në Lidhjen Socail-demokrate të Maqedonisë. Më vonë ky ishte kryetari i tretë i Parlamentit të R. të Maqedonisë. Tani Tito Petkovski është deputet dhe kryetar i Partisë Liberal-demokratike të Maqedonisë. Vetë propozuesi i Ligjit për Lustrim z. Stojan Andov është kuadër i fidanishtes se shkollës komuniste. Andov në moshën 28-vjeçare ka qenë kryetar i Kavadarit dhe drejtor i FEN-it në këtë qytet. Ky person i kaloi të gjitha shkallët e hierarkisë komuniste. Karrierën e përfundoi si anëtar i Këshillit Federativ të Jugosllavisë dhe ambasador në Irak. Për këta dy persona nuk duhet koment.
Ishte drejtor i Arkivit të Shtetit, se ky institucion nga Arkivi i KQ të LKM-së ka marrë vetëm disa dokumente pa vlerë, siç janë disa procesverbale për shpenzime protokollare, udhëtime dhe sende të tjera pa vlerë. Ai vetë pati deklaruar se nuk ka asnjë gjurmë nga tri arkat e mëdha metalike, që ruheshin në zyrën e sekretarit të KQ të LKM-së.
Në ato arka me siguri kanë qenë dokumente dhe vendime për pushkatime, gjykime procese policore dhe vendime për diferencime ideopolitike. Aty janë vendimet për ndalimin e emrave shqip, për shpërnguljen e shqiptarëve, për ndalimin dhe shuarjen e kulturës dhe ndjenjave shqiptare, si dhe vendimi që fëmiu i tretë të mos ketë sigurim social. Ky dokumentacion nuk është në arkivin e shtetit, ku mund të gjurmojnë studiuesit dhe të interesuarit. Ky dokumentacion me siguri ruhet nëpër gjashtë arkivat e shërbimeve sekrete që i ka Maqedonia. Në këto shërbime shqiptarët janë të prezantuar me 0%.
Dokumentacioni në lidhje me vendimet e lartpërmendura kurrë nuk do ta shohë dritën e diellit, pasi në rast se do të respektohej ligji i lustrimit, do të duhej të rrezohej i tërë sistemi. Shumë ministra dhe funksionarë te sotëm kanë qenë ministra dhe funksionarë edhe në sistemin e kaluar represiv për shqiptarët (për këtë do të shkruaj në kolumnën e ardhshme).
Është një lëshim i madh i Ligjit për Lustrim që do t’i fshikullonte vetëm kodoshët-dhënësit e informacionit. Ky ligj ka të meta, pasi që kodosh llogaritet vetëm ai që ka dhënë deklaratë për kodoshllëk. Të gjithë e dimë se ku shkojnë fondet e zeza që i kanë qeveritë. Aty nuk ka as deklarata, as kontrata pune por çdo gjë shkon ndër duar dhe në të zezë. Ligji për Lustrim anashkalon shfrytëzuesin e informacionit, pasi jo rrallë informacioni është marrë me dhunë, me kërcënime ose me tundime nga ana e shfrytëzuesit.
Sot Komisioni për Lustrim nuk ka kushte elementare për punë. Sipas nenit 40, kapitulli 7 i Ligjit për Lustrim, qeveria obligohet që komisionit t’i sigurojë kushte optimale për punë. Për kushtet në të cilat punon Komisioni për Lustrim kanë folur vetë anëtarët e komisionit, por e di edhe vet opinioni, pra ato janë minimale. Sabotimi i fundit i Komisionit për Lustrim nga ana e qeverisë është pakësimi i buxhetit të komisionit gjoja në emër të rebalancit të buxhetit që u bë para do kohe. Këtij komisioni i bëhet sabotim edhe në aspektin hapësinor, tekniko-teknologjik dhe operativ. Kapitulli 3, neni 22 thotë: “Organet kompetente në afat prej tri ditësh duhet t’ia vënë ne dispozicion të gjithë dokumentacionin e kërkuar”. Ky komision ka kompetenca të hyjë ne arkivin e kryetarit të shtetit, qeverisë, shërbimeve për zbulim dhe kundërzbulim, sigurimit shtetëror dhe shërbimeve sekrete ushtarake. Se sa mund të hyjnë anëtarët e këtij komisioni në arkivat e shërbimeve sekrete, e kanë deklaruar ata vetë.
Në shtetet me demokraci të mirëfilltë, jo si kjo demokracia e jonë e shpifur, gjatë lustrimit dokumentacioni është marrë nga arkivat e shërbimeve sekrete të partive komuniste. Ku është arkivi i KQ të PKM-së? Anëtarët e komisioneve për lustrim të atyre shteteve janë futur në sigurimin shtetëror, në shërbimet për zbulim dhe kundërzbulim dhe në shërbimet sekrete të ushtrisë. Këtu në Maqedoni anëtaret e komisionit për lustrim marrin nga ndonjë informacion prej udhëheqësve të shërbimeve të ndryshme sekrete. Domethënë përsëri ndokush bën krehjen dhe selektimin e informatave. Unë jam i bindur se këtu ka një marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës qe procesi i lustrimit të mbahet nën kontroll. Si është e mundur që ky ligj ekziston nga shkurti i vitit 2007 dhe na doli vetëm një kodosh. Sipas kësaj logjike në mandatin e këtij komisioni për lustrim-5 vjeçar mund të dalin 1.7 kodoshë.
Në Maqedoni kurrë nuk do të ketë lustrim. Është fakt i pamohueshëm se ish komunistët i kemi edhe sot udhëheqës në ekonomi dhe politikë. Ata e bënë privatizimin e pronës shoqërore dhe e rrotullojnë gjithë kapitalin e vendit. Shumica e fëmijëve të ish funksionarëve komunistë të Maqedonisë sot janë instaluar dhe udhëheqin organizata joqeveritare dhe prodhojnë opinion me lloj-lloj anketa të porositura. Vetë ish-ministri i punëve të brendshme Pavle Trajanov disa herë ka deklaruar se në shërbimet sekrete janë ndërruar vetëm disa drejtorë dhe shërbimet nuk janë reformuar aspak. Ai vetë ka deklaruar se shërbimet sekrete në Maqedoni kanë formuar edhe disa parti politike në vend(7) dhe partitë që i përmend ish ministri nuk e kanë demantuar asnjëherë.
Sot nga blloku i ish shteteve komuniste ligj për lustrim nuk kanë vetëm Bjellorusia, Kirgizistani, Taxhikistani, Uzbekistani dhe Rusia. Në Rusi bile ka edhe ligj i cili mbron ish-udhëheqësit dhe bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete. Ky ligj i dënon të gjithë ata që ofendojnë komunistët dhe ish-bashkëpunëtorët e sistemit komunist në Rusi. Vetëm në Rusi një ish-udhëheqës i shërbimeve sekrete është udhëheqës shteti dhe dihet. Në të gjitha shtetet me demokraci çaloke, ish udhëheqësit e shërbimeve sekrete janë në pushtet, por opinioni nuk e di. Të gjithë ata të cilëve u janë shkelur të drejtat, të cilat i kishin të garantuara edhe me ligjet e sistemit komunist, mund t’i paraqesin shkelësit e atyre ligjeve deri te komisioni për lustrim. Këtë e parasheh dispozita e gjashtë, pika A e ligjit për lustrim. Ftoj opinionin që të bëj presion që ligji për lustrim të vlejë deri në ditët e sotme dhe nenet 31, 32 dhe 33 te Ligjit për lustrim te mos jene hipotetike. Këtë e kanë të garantuar me këtë ligj. Por, sipas këtij ligji, të gjithë qytetarëve të cilëve lëkura tri herë u është ndërruar ngjyra dhe u është mavijosur si kumbullat e Leskovecit, mund t’i paraqesin xhelatët e vet pranë këtij komisioni. Ligjit për Lustrim duhet t’i nënshtrohen edhe shfrytëzuesit e informatës, si dhe të gjithë ata zyrtarë që shkelën të drejtat dhe liritë e njeriut, të gjithë ata që torturuan, dhunuan dhe kërcënuan qytetarë. Të lustrohen të gjithë ata që për përfitime karrieriste dhe materiale shkelën edhe ligjet e shtetit në emër të të cilit i bënin të gjitha këto të këqija. Komisioni të ndërtohet nga njerëz-intelektualë të pavarur dhe njerëz që kanë ngrënë çorbën e hidhur të ish-sistemit. Të ndahet një buxhet serioz të cilin do ta hartojnë anëtarët e komisionit, buxhet i cili do ta ruajë dinjitetin dhe pavarësinë e tyre. Anëtarët e komisionit të jenë profesionistë dhe secili të ketë sekretarinë e vet. Tu sigurohen kushte hapësinore tekniko-teknologjike. Ligji për Lustrim të përfshijë të gjitha strukturat e shoqërisë që nga 2 gushti 1943 deri në ditën e sjelljes së ligjit të ri. Të parashihen sanksione për politikë dhe sanksione që do të fuste duart në procesin e lustrimit. Ligji për lustrim t’i përfshijë të gjithë pa përjashtim: politikanë, oligarkë, teknokratë, akademikë dhe gjithë personat publik. Komisionit për lustrim t’i mundësohet vetë të hyjë nëpër arkivat e ndryshme, jo ndokush ti japë informata të klasifikuara dhe të krehura.