Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, tek ka formuar Këshillin për zhvillimin e qendrës së lëvizjes “Vetëvendosje” të dielën në Pejë, ka komentuar edhe ceremoninë e inaugurimit të patriarkut të Kishës serbe, Irinejit në Pejë.

“Mendoj se ajo që po ndodh sot në Patrikanën e Pejës është përgjegjësi i pushtetit të Kosovës, i cili edhe përkundër kësaj ngjarje tregohet i vetëkënaqur dhe i vetëmjaftueshëm në Prishtinë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se i njëjti nuk brengoset se çfarë po ndodh në pjesë të tjera të vendit, transmeton Koha.net.

Duke sqaruar se e diela e këtyre dy ngjarjeve është vetëm koincidencë, Kurti ka kthyer vëmendjen në vitin 2005, kur ka thënë se lëvizja e prirë prej tij ishte kundër konceptit të eksterritorialitetit për kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë.

“Ky qëndrim yni po dëshmohet edhe sot”, ka vlerësuar ai, duke pohuar se pranimi i këtij realiteti nga kasta politike e Kosovës ka krijuar mundësinë që këto territore të serbizohen tërësisht.

“Kjo është duke ndodhur nga mungesa e vizionit të politikanëve tanë, në njërën anë, dhe nga politikat e ndryshuara të Serbisë karshi Kosovës, në anën tjetër”, është shprehur Kurti.

Sipas tij, Serbia ka ndryshuar vetëm mjetet për realizimin e qëllimeve të veta e jo edhe politikën ndaj Kosovës.

“Po të kishim një kastë tjetër politike, nuk do të kishim shndërrimin e kishave dhe manastireve ortodokse, që janë pasuri e përbashkët, në ambasada serbe”, është shprehur i bindur Kurti.

Duke folur për organizimin e “Vetëvendosjes” në terren, Kurti ka sqaruar se lëvizja e tij, e cila ende nuk dihet nëse do të jetë parti e mirëfilltë politike apo lëvizje e certifikuar për zgjedhje, do të konkurrojë në zgjedhjet e parakohshme me koncepte e jo me njerëz. (INA)