Maqedonia përfundimisht ka vendosur që kodi i Serbisë (SRB) të hiqet nga pasaportat e shqiptarëve të Maqedonisë të cilët kishin lindur në Kosovë. Pasi është pranuar pavarësia e Kosovës nga Maqedonia, ndërsa kodi SRB i irritonte popullatën shqiptare, është vendosur që në të ardhmen të vendoset kodi RKS (Republika e Kosovës). Një vendim i tillë është marrë pas konsultimeve të vazhdueshme mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB) dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ). Sekretari shtetëror në MPJ, Abdulkadër Memedi ka njoftuar për “Lajm” se nuk do të ketë më shqiptar i lindur në Kosovë, i cili do të nxjerrë pasaportë ose dokument tjetër të udhëtimit dhe të ketë në të kodin SRB.

“Pas konsultimeve mes MPJ-së dhe MPB-së u arrit marrëveshje që kodi i Kosovës RKS të inkorporohet në sistemin për dokumente të Maqedonisë. Kjo do të thotë se nëse një qytetari të Maqedonisë i lindur në Kosovë në pasaportën e tij vendosej kodi SRB, tani e tutje do të qëndrojë kodi RKS”, tha Memedi.

Kodi SRB ka qenë e vështirë të hiqet nga përdorimi pasi Kosova ende nuk është përfshirë në sistemin e ICAO kodeve në nivel ndërkombëtar dhe automatikisht në çdo sistem të pasaportave për banorët e lindur në Kosovë figuronte kodi RKS. Përkundër mosanëtarësimit, pas insistimeve të vazhdueshme është rënë ujdi që Maqedonia ta eliminojë këtë kod dhe në kuadër të marrëdhënieve të mira diplomatike me Kosovën ta respektojë shtetin edhe me vendosjen e kodit të saj RKS.

Maqedonia me Kosovën aktualisht ka marrëdhënie të mrekullueshme diplomatike. Pas njohjes në vitin 2009 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike është arritur të bëhet komplet demarkacioni i kufirit, janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh bilaterale dhe në proces e sipër është hapja e vendkalimeve të reja kufitare me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe qarkullimin e lirshëm të banorëve të të dy anëve.