Demaçi: Bukoshi është më i korruptuari
Shkruar nga KosPress
Gjatë fjalimit të tij, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të themelimit të OVLUÇK-së, veprimtari Adem Demaçi ka thënë se është detyrë që të bashkohen të gjithë veteranët “por që të mos lejojmë që në mes tyre të na hyjnë edhe Tahir Zemajt e të tjerët”.
“Tahir Zemaj nuk ishte luftëtar. Tahir Zemaj ishte një njëri i cili i la 600 e sa të plaguar në front. E la armatimin më të mirë të vetin, iku gjoja e thirri Bukoshi atje”, ka thënë Demaçi, duke reaguar kështu ndaj dekorimit të Zemajt me urdhrin “Hero i Kosovës”, nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, gjatë muajit korrik.
Ndërsa ministrin aktual të Shëndetësisë dhe kandidatin e vetëm deri tani për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili gjatë luftës ka qenë kryeministër në ekzil, Demaçi e ka quajtur më të korruptuarin. “Bukoshi s’ishte kurgjo hiç atëherë. Ishim ne, ishte Ushtria Çlirimtare që luftonte këtu, e nuk ishin ata që silleshin poshtë nëpër sallone e poshtë e përpjetë andej shisnin patriotizëm e kushedi çka”, ka thënë ai.“Detyra jonë është që të ngremë zërin dhe të thomë të vërtetën për të gjithë. Ende na sillen ata që kanë plaçkit popullin. Bukoshi i ka me dhjetëra miliona nëpër bankat e Gjermanisë e na thotë neve luftone korrupsionin, a vetë është ma i korruptuari. E kemi për detyrë të guxojmë ta flasim të vërtetën, vetëm duke bërë këtë i ndihmojmë kombit tonë”, ka thënë Demaçi./KosPress/