Një vit pandemi- Kosova ende pa vaksinë, sa keq
Sipas raportit të fundit nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), qysh nga fillimi i pandemisë për Covid-19, për Covid-19 janë testuar 351 mijë e 523 qytetarë. Prej tyre 76 mijë e 688 kanë rezultuar pozitiv me virus.
Aktualisht numri i rasteve aktive është 10 mijë e 630, teksa 64 mijë e 362 persona janë shëruar.
E nga infektimi me koronavirus nuk arritën të mbijetojnë 1 mijë e 696. Kaq persona përgjatë këtij viti e humbën betejën ndaj këtij virusi.
Kosova ende pa vaksinë
Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili nuk ka filluar ende imunizimin e tufës përmes vaksinimit. Ndonëse vendet e fqinje tashmë kanë filluar vaksinimin e popullatës me vaksinat kundër koronavirusit, në Kosovë ende as që kanë arritur këto vaksina.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar dje kryeministri në detyrë Avdullah Hoti. Ai në Komitetin për Vlerësimin e situatës epidemiologjike tha se ardhja e vaksinës në Kosovë është çështje javësh.
“Më lejoni të them edhe njëherë, edhe për vaksinën jemi kritikuar, por ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së. Nuk kemi hyrë në lojëra për të sjellë vaksinën nga vendet e lindjes, të cilat vaksina nuk janë të certifikuara nga vendet e Bashkimit Evropian. Ata që lëshojnë dezinformata që kritikojnë pa nevojë, nuk e thonë të vërtetën se kah kanë ardhur disa qindra mos të them as mijëra vaksina në vendet e regjionit me origjinë të dyshimtë. Ne presim që mos të them për disa ditë, po disa javë të arrijnë vaksinat dhe të fillojmë vaksinimin sipas të gjitha protokolleve të Republikës së Kosovës dhe protokolleve të organizatave të Bashkimit Evropian”, ka thënë Hoti.