Komisioni i Pirros
Fejzi HAJDARI
Paraqitja triumfaliste pas formimit të Komisionit për regjistrimin e popullsisë në Republikën e Maqedonisë më shumë se një ngadhënjim politikë shqiptarë, gjykuar nga një këndvështrim real, duket më shumë si një “Fitore e Pirros”. Formimi i një Komisioni të këtillë me 22 anëtarë nuk jep shumë shpresë, e as që paraqet ndonjë mekanizëm real i cili do të pamundësonte manipulimet eventuale me shifrat e shqiptarëve në Maqedoni. Fshehja e përqindjes reale të numrit të shqiptarëve në Maqedoni, në fakt, sikurse edhe më parë, edhe tani, ka qenë, është dhe do të jetë katalizator kryesor për përgatitjen e skenarëve të errët antishqiptarë. Manipulimi i përqindjes së shqiptarëve, ka mundësuar hartimin e fletëvotimeve, Njësive dhe listave zgjedhore, konform nevojave të pushteteve (por edhe opozitave) maqedonase, në kuptimin e reduktimit të numrit të deputetëve shqiptarë dhe ngritjen enorme të numrit të deputetëve maqedonas. Pikërisht ky raport joreal, maqedonasve u mundëson të kenë në dorë numrin absolute të ministrive, si dhe të drejtojnë presidencën e shtetit, qeverinë dhe parlamentin.
Prapë, ironia më e madhe, sërish po gjen strehë tek faktori politikë shqiptarë në Shkup, i cili në vend që të merret me propozimet konkrete për përfaqësimin e kuadrove shqiptare në Entin Shtetërorë për Statistikë (ESHS) (aty ku mund të bëhen manipulimet më të mëdha, kurse këtë e dëshmon edhe e kaluara e hidhur) ata po kërkojnë formimin e një “Komisionit fantom” me emër të madh por me kapacitet të vogël.
Në pamundësi për të arritur synimet e veta, shqiptarët po e stërzmadhojnë rëndësinë e monitorimit ndërkombëtarë. Mirëpo, këtyre pretendimeve përgjigjen më të mirë ua dha drejtoresha e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) Bllagica Novkovska, (e preferuar në këtë post sikurse nga Lubço Georgievski, poashtu edhe nga kryeministri Nikolla Gruevski) e cila qartë tha se monitorimi ndërkombëtarë “do të jetë sa për të qenë”.
Fatkeqësisht, gjykuar sipas vlerësimit të ekspertëve, sidomos atyre për çështje demografike dhe statistikore, as “Komisioni fantom” dhe as vëzhgimi nga jashtë, nuk munden ta mbikëqyrin këtë proces shumë të komplikuar dhe shumë të rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarëve në këtë shtet.
Ndërkohë që përqindja aktuale zyrtare e shqiptarëve në Maqedoni është mbi 25 %, ekspertët shqiptarë duke u bazuar në argumente, fakte dhe sidomos në përqindjen e filloristëve shqiptarë që tanimë pothuajse 3 dekada me radhë është rreth 34 për qind, janë të mendimit se edhe përqindja e shqiptarëve në përgjithësi, duhet të jetë në përputhshmëri me këtë shifër. Mirëpo, qarqe të caktuara maqedonase, me anë të paraqitjes së tyre publike, tanimë kanë filluar të shpalosin format e luftës speciale për sensibilizimin e opinionit në këtë drejtim. Ata, herë pas here, nëpër media të caktuara maqedonase që i kontrollon organi shtetërorë, shpalosin shifrën e shqiptarëve prej 18 %. Dhe, përderisa pushteti maqedonas ka filluar “luftën speciale” për manipulimin eventual të përqindjes së shqiptarëve, këta të fundit në pamundësi që të krijojnë mekanizma për të patur një regjistrim korrekt dhe të papolitizuar, po përpiqen të bindin shqiptarët se krijimi i Komisionit shtetërorë për regjistrimin e popullsisë dhe mbikëqyrja nga jashtë, do të jetë e mjaftueshme. T’i përkujtojmë se përpunimin e të dhënave dhe analizat e nevojshme në këtë drejtim, megjithatë i bëjnë organet përkatëse Enti shtetërorë i statistikës dhe Ministria e Drejtësisë, aty, ku fatkeqësisht, përqindja e shqiptarëve është margjinave dhe shumë periferike e simbolike. Me anë të këtij komisioni dhe mbikëqyrjes nga jashtë nuk parandalohet mundësi e manipulimeve, por në këtë mënyrë do të legjitimohet “përqindja e manipuluar” e shqiptarëve.
Zot, hapja sytë politikanëve shqiptarë, nëse ende i kanë!