Një jetë të tërë në shërbim të atdheut
(Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së atdhetarit Adem Zenelaj dhe me rastin e varrimit të tij në varrezat e veteranëve të Luftës çlirimtare)
Shkruan: Xhevat Bislimi dhe Abaz Pllana
Për familjen Zenelaj dhe farefisin e gjerë, për shokët e tij dhe atdhetarët shqiptarë një shtatori i vitit 2009 ishte ditë dhembjeje dhe pikëllimi. Në këtë ditë, pas një sëmundjeje të rëndë, vdiq atdhetari dhe luftëtari i paepur i çështjes kombëtare, Adem Zenelaj.
Ademi do na mungojë të gjithëve, por jemi krenarë të gjithë ne që e patëm në mesin tonë një luftëtar kaq të vendosur, një njeri të sakrificës dhe shembullit të shkëlqyeshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Do të ruajmë kujtimet më të mira për Adem Zenelajn, atdhetarin që jo vetëm që nuk iu nda tërë jetën luftës dhe përpjekjeve për çlirim dhe bashkim kombëtar, por ishte një ndër veprimtarët më të çmuar të çështjes sonë kombëtare.
Adem Zenelaj u lind dhe u rrit në fshatin Shqiponjë të Gjakovës. U lind dhe u rrit në familjen liridashëse dhe të papërkulur të Zenelajve. Tradita atdhetare e familjes nuk mund të mos ndikonte edhe në formimin patriotik të Ademit. Ai në këtë frymë do të përpiqej që në çdo rrethanë dhe në çfarëdo kushte të bëjë atë që ishte e mundur të bënte për çlirimin e viseve të pushtuara shqiptare.
Si i ri ishte një arsimdashës i flakët, por ëndërrën e shkollimit ia këputën egërsisht presionet e ndryshme që bënte pushtuesi serb i Kosovës. Megjithatë, Ademi ishte shumë i vendosur të vazhdonte luftën e tij kundër pushtuesit serb që ua prishte ëndërrën e arsimimit mijëra e mijëra bashkëmoshatarëve të tij dhe kërcënonte brezat më të rinj që sapo ishin ulur në bankat shkollore.
Duke menduar se mund të bënte më shumë për atdheun dhe duke u ikur trysnive dhe përndjekjeve të pushtuesit serb, që rëndonin shumë mbi familjen e tij, vendos që në rininë e tij të largohet nga Kosova, që e donte aq shumë. E braktisi vendin e tij me një shpresë të madhe se do të kthehej një ditë si fitimtar mbi serbët pushtues. Dhe ashtu ndodhi. U largua nga presioni serb, por u kthye si fitimtar mbi këtë pushtues mizor. Lufta e popullit shqiptar për liri ishte edhe lufta e Adem Zenelajt. Ai u kthye në Kosovë në vitin 1999 si fitimtar. Ademi kishte humbur rininë e tij në mërgim, por kishte fituar luftën për popullin e tij. Ai kishte humbur shumë anëtarë të familjes, por kishte fituar lirinë për Kosovën.
Në mërgim, Adem Zenelaj nuk ndalej nga besa që kishte dhënë për të çliruar Kosovën. Pas kryengritjes së vitit 1981 nuk bëhej demonstratë në Evropë pa iu bashkuar edhe Ademi. Rrallë herë do të kishte ndonjë tubim përkujtimor apo tubime tjera me karakter tjetër kulturor apo historik që Ademi nuk do të ishte aty. Dhe ai nuk shkonte vetëm. Me vete kishte shumë shokë dhe për çdo ditë shtoheshin radhët e atyre që betoheshin dhe lidheshin me besa-besë për çlirimin e Kosovës.
Fundi i viteve të tetëdhjeta dhe fillimi i viteve të nëntëdhjeta paralajmëronin fundin e pushtuesit serb në Kosovë. Fryma liridashëse, guximi dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës po rriteshin. Manifestime dhe demonstrata të fuqishme kishin shpërthyer në Kosovë. Lufta në shumë republika të Jugosllavisë tashmë dukej në horizont. Në këto rrethana edhe veprimtarët e ilegales shqiptare, kudo që ishin, kishin rritur veprimtarinë e tyre për t’iu përgjigjur sa më mirë situatës dhe rrethanave të reja që po krijoheshin.
Me fillimin e luftës në Jugosllavi, Lëvizja Popullore e Kosovës, filloi përgatitjet e saja për të formuar Ushtrinë çlirimtare të Kosovës e cila do të përballej me pushtuesit serbë edhe me pushkë. Gjatë kësaj kohe, në Kosovë u krijuan bërthamat ose grupet e para të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Nga pjesëtarët e parë të kësaj Ushtrie ishte edhe Myrtë Zeneli nga fshati Shqiponjë (ish Jabllanicë). Ademi, vëllau i Myrtës, do ishte mbështetës i madh moral dhe material për vëllaun e tij ushtar. Ademi do të krenohej çdoherë për trimërinë dhe vullnetin e çeliktë të Myrtës për të vazhduar luftën deri në fitore.
Në fund të viteve të tetëdhjeta, Adem Zenelaj ndodhej në Lion të Francës. Aty ishte njohur edhe edhe me Xhevat Bislimin, që sapo kishte ardhur nga Kosova. Ademi do të ishte njëri prej shokëve dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të Xhevatit për shumë veprimtari dhe për shumë vite. Do të bëhej një ndër hallkat kryesore të organizimit në Lion e Francë por edhe më gjerë. Në fund të vitit 1989 Ademi jep kontribut të veçantë për themelimin e Këshillit të LPK-së në Lion dhe për formimin e nëndegës së LPK-së në Francë.
Pas konsultimeve dhe përpjekjeve këmbëngulëse, më 11 Mars të vitit 1991, në dhjetëvjetorin e Pranverës së vitit 1981, në Lion u themelua edhe Shoqëria Kulturore Shqiptare “Fan Noli”. Ndër më të merituarit për themelimin dhe veprimtarinë e kësaj Shoqërie ishte edhe Adem Zenelaj. Ai do të ishte për shumë vite një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së kësaj Shoqërie. Ishin shumë të mëdha meritat e Adem Zenelajt në formimin, veprimtarinë dhe sukseset e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Fan Noli” të Lionit të Francës. Kjo Shoqëri përveç që ishte një bërthamë e shëndoshë e organizimit atdhetar në Francë, ajo u bë një zëdhënëse e denjë e zërit çlirimtar të shqiptarëve të robëruar. Ajo shumë shpejtë u bë vatër dhe strehë e ngrohtë e gjithë shqiptarëve të mërguar në Lion e më gjerë pa dallim krahine, feje a ideje. Shoqëria shqiptare ¨Fan Noli¨ ishte edhe vatër e fuqishme diturie dhe edukimi për mëgimtarët e vegjël. Ajo do të bëhej me kohë edhe bartëse e rëndësishme e idesë së çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Adem Zenelaj dhe Shoqëria që kishte themeluar me shokë do të ishte mbështetëse e vendosur e luftës çlirimtare dhe e të madhes Ushtri çlirimtare të Kosovës.
Adem Zenelaj, si njëri ndër themeluesit e Këshillit të LPK-së në Lion dhe të Nëndegës së LPK-së në Francë dha kontribut të çmueshëm për shtimin e numrit të anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës në Francë e më gjerë. Anëtarë dhe veprimtarë tjerë të dalluar të Këshillit të LPK-së dhe të Shoqërisë ¨Fan Noli¨ gjatë atyre viteve ishin edhe Ramize Bislimi, Abaz Pllana, Ferat e Magbule Bislimi, Fehmi Plakiqi, Violeta e Nikollë Kaçeli, Nazmi Halimi, Enver Ademi, Shaip Hoxha, Ruzhdi Zeneli, e shumë të tjerë. Programi dhe qëllimet e kësaj organizate përputheshin shumë me idenë dhe ëndërrën e Adem Zenelajt për çlirim dhe bashkim kombëtar. Prandaj e përqafoi aq fuqishëm këtë organizatë dhe dha shumë për forcimin e saj në Francë dhe gjetiu.
Në kuadër të Shoqërisë Kulturore Shqiptare « Fan Noli » në vitin 1991 do të fillonte edhe shkolla e parë shqipe në Lion. Fëmijët e Adem Zenelit do ishin nxënësit e parë të kësaj klase që i mësonte mësuesja e parë shqiptare e Lionit, Ramize Bislimi. Përkrah Ademit qëndronte gjithmonë bashkëshortja dhe bashkëveprimtarja e tij, Drita, e cila e mbështeste dhe ndihmonte pa u kursyer bashkëshortin e saj dhe veprimtarinë e organizuar të LPK-së dhe Shoqërisë atdhetare ¨Fan Noli¨.
Në vitin 1994, në Lion të Francës do të dilte numri i parë i gazetës “Rruga Jonë”. Pas konsolidimit të redaksisë së kësaj gazete që vinte pothuajse kryekëput nga Nëndega e LPK-së në Francë, Adem Zenelaj dha kontributin e tij shumë të rëndësishëm në botimin e kësaj gazete. Adem Zenelaj ishte drejtori i parë i kësaj gazete, e cila që në numrat e parë kaloi shpejt kufijtë shtetëror të Francës. Ajo shpërndahej në të gjitha kontinentet e botës dhe gjithashtu shpërndahej dorë më dorë edhe në viset e pushtuara shqiptare. Ajo do të lexohej me ëndje edhe nga luftëtarët e mëdhenj të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, që kishin ngjeshur armët dhe kishin drejtuar tytat e tyre drejt pushtuesit serb. Për shpërndarjen e gazetës ¨Rruga Jonë¨ në Shqiponjë e Dukagjin përkujdesej posaçërisht Ademi. Disa ekzemplarë të kësaj gazete në Dukagjin e Kosovë kanë ardhur edhe me ndihmën e atdhetarit të shquar, Xhavit Hoxha, Safete Hadërgjonajt, etj.
Adem Zenelaj bashkëpunoi ngushtë para dhe gjatë botimit të numrave të parë të Gazetës edhe me anëtarët tjerë të Redaksisë. Xhevat Bislimi, Abaz Pllana, Refik Kucaj, Ramize Bislimi, Ferat Bislimi, Ibush Bytyqi, Avni Krasniqi, Enver Ademi, Ragip Grabovci e të tjerë anëtarë të Redaksisë do të kujtojnë përherë mundin dhe kontributin e Ademit për daljen në dritë të kësaj gazete. Gazeta do të ndalej së botuari pas katër vitesh jetë, në momentet kur përkushtimi ndaj Luftës çlirimtare në Kosovë kërkonte më shumë veprimtari në disa fusha konkrete të definuara nga organet udhëheqëse të LPK-së dhe UçK-së.
Në gjithë ato demonstrata dhe manifestime të mëdha e të fuqishme të shqiptarëve në Francë, Adem Zenelaj do të luante një rol shumë të rëndësishëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre.
Gjatë viteve 1998-1999, Adem Zenelaj do të ishte një ndër mbështetësit më të fortë të luftës çlirimtare në Kosovë. Vëllau i tij, luftëtari shembullor i UçK-së, Myrtë Zenelaj, do të binte heroikisht në fushëbetejë. Adem Zenelaj nuk do të thyhej përkundër dhimbjes së madhe për vëllanë e tij shumë të dashur. As nuk do të ligështohej. Ai merr forcë akoma më shumë, sepse ëndërra e tij për çlirimin e Kosovës tashmë dukej në horizont.
Në qershor 1999 Adem Zenelaj shkeli tokën e çliruar të Kosovës. Populli shqiptar me luftën e tij të udhëhequr nga UçK-ja, kishte dëbuar pushtuesin serb nga këto toka dhe çlirimi i viseve tjera dukej më afër se kurrë. Ideja e bashkimit kombëtar do të mbetej më e fuqishme se kurrë dhe do të mbetej synim i shumë veprimtarëve atdhetarë. Adem Zenelaj besonte se procesi i ribashkimit të Shqipërisë ishte i pandalshëm. Ai gjithmonë na thoshte se jemi një komb me një gjuhë, me një flamur dhe duhet të jemi me një shtet, që quhet Shqipëri. Ky ishte edhe betimi i UçK-së, ky është edhe amaneti i dëshmorëve të UçK-së dhe i të gjitha kohërave.
I ballafaquar me sëmundje të rëndë, Ademi vendosi që vitet e fundit të jetës së tij të qëndrojë në Francë për shkak të mjekësisë më të përparuar. Por, rrugëtimin e tij drejt vendlindjes nuk do ta ndalonte asnjëherë. As idenë e bashkimit kombëtar nuk do ta braktiste asnjëherë dhe deri në frymën e fundit të tij do të përpiqej për ta avancuar. Edhe në gushtin e vitit 2009 ai do të ishte në Kosovë. Nuk donte të mbyllte sytë pa e parë edhe njëherë Kosovën. Donte të shihte se si gjatë jetës së tij krahina e Shqipërisë, Kosova, u çlirua nga thundra pushtuese serbe. Do të linte për herë të fundit për së gjalli Kosovën me shpresën e madhe se çlirimi dhe bashkimi i të gjitha viseve shqiptare do të jenë kënaqësia e brezit që linte pas.
Më 1 shtator 2009, në moshën 51 vjeçare, mbylli sytë përgjithmonë Adem Zenelaj, atdhetari i madh i çështjes shqiptare.
Sot, më 1 shtator 2010, eshtrat e Adem Zenelit, po rivarrosen në varrezat dëshmorëve dhe veteranëve të çështjes kombëtare. Sot, ai do të jetë më afër vëllaut dëshmrë, Myrtë Zenelit. Afër vëllaut që nuk kurseu jetën as gjakun për lirinë e kësaj toke shqiptare. Do të jetë afër dëshmorëve tjerë të UçK-së, sepse me ta ndau gjatë gjithë jetës idenë e çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Dhe as sot nuk do të ndahet prej tyre. Do të jetë edhe këtë here në krah të atdhetarëve të mëdhenj.
Adem Zenelaj me jetën dhe veprimtarinë e tij do të jetë i përjetshëm në kujtimet tona. Do të jetë i përjetshëm për brezat e rinj që do të gëzojnë frytet e luftës dhe përpjekjeve të Adem Zenelajt dhe shokëve të tij.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Adem Zenelajn!
Shqiponjë, 01 shtator 2010