Në vend të reagimit!

Deklarata e Kryetarit të BDI-së se « shqiptarët e Maqedonisë kanë status shtet-formues dhe kanë realizuar ndryshime rrënjësore në Kushtetutën e Maqedonisë » provokoi një varg reagimesh. Emërues i përbashkët i të gjitha reagimeve( udhëheqësve partiakë shqiptar dhe maqedonas,  si dhe analistë të pavarur) është sjellja e fakteve që përgënjeshtrojnë thëniet e lartpërmendura!

Sikur të kishim të bënim me një gënjeshtër të qëllimshme nuk do t’juu kishim shtuar asgjë reagimeve të shumta. Këtu nuk kemi të bëjmë me gënjeshtër! Por me mitomani !

Në të shumtën e rasteve kur njerëzit normal detyrohen të sajojnë një gënjeshtër për të kaluar më lehtë ndonjë situatë të vështirë ata janë të vetëdijshëm së gënjejnë.

Kjo formë e sjelljes, sado amorale të duket, nuk është anormale. Por, një kategori njerëzish që sajojnë botën e tyre ireale dhe që jetojnë në kuadër të asaj bote paraqesin shenja patologjike.

Këtë patologji, psikiatri i njohur Ferninand Dupré, që në vitin 1905 e emërtoi si ”  mitomani”.  Ai u mbëtshtet në fjalët greke “mythos” (që do të thotë tregim johistorik-përrallë)  dhe “mania” (çmenduri).

Përderisa rrenacaku ndryshon në mënyrë të qëllimshme të vërtetën për të mashtruar të tjerët,  mitomani “nuk mashtron” të tjerët. Ai ka nevojë që të tjerët të aderojnë në atë që thotë, për t’i besuar vetë ngjarjeve dhe thënieve të prodhuara nga imagjinata e tij. Duke mos ecur për toke dhe me kokë të mjegulluar, mitomani nuk mund të vetëdijesohet për rrethanat në të cilat ai jeton.

As kritikat dhe as argumentimet me fakte nga ana e atyre që nuk i konsideron të afërm nuk mund ta ndihmojnë mitomanin që të dalë nga bota e ëndrrave të veta. Përkundrazi, vetëm forcojnë rezistencën e tij!

Për mitomanin, në Maqedoni nuk ka as diskriminim racial ndaj shqiptarëve, as vrasje të shqiptarëve, as maltretime, as procese të montuara gjyqësore, as të dënuar me burg të përjetshëm, as varfëri ekstreme, as…. Për mitomanin  ka status shtet-formues dhe realizim të të drejtave kombëtare!  

Shkencëtarët i sugjerojnë rrethit të tij dhe të afërmve të tij që ta ndihmojnë. E vetmja mënyrë për të ndihmuar mitomanin është mosaderimi në botën e tij të ëndrrave. Në të kundërtën, aderimi në këtë botë ëndrrash, sa për t’ia bërë qejfin apo arsyetimi se ai di çfarë flet, rrezikon tërë rrethin e vet. Në këtë rast shkenca nuk mund të bëjë asgjë! Prandaj, vlen vetëm shprehja popullore: Zoti ua ktheftë mendjen!

Por, në situatat kur mitomani ka pozicion të rëndësishëm politik dhe aderimi i anëtarësisë në botën e tij të ëndrrave vetëm e vetëm për ti pëlqyer liderit, ka rreziqe të mëdha të krijojë një situatë patologjike të përmasave të gjëra. Kjo situatë mund ta kontaminojë një pjesë të madhe të shoqërisë sa as Zoti të mos dijë se ç‘të bëjë me ne!

 

Bashkimit Demokratik Shqiptar

Bardhyl Mahmuti

Kryetar

16 mars, 2010